At Daniel Gjeçaj, tradita françeskane në diasporë
AGRON GJEKMARKAJ
Letërsia e diasporës është një nga treguesit e rëndësishëm që na ndihmon për të kuptuar më mirë zhvillimin historik të letërsisë shqipe. Letërsia e pas Luftës së Dytë Botërore e realizuar nga shkrimtarët e diasporës, në shumë raste përfaqëson nostalgjinë dhe zemërimin e shkrimtarëve në arrati.
At Daniel Gjeçaj është një nga këta shkrimtarë, por dhe personalitet françeskan që duhet lexuar dhe studiuar brenda kontekstit të historisë së françeskanëve në Shqipëri dhe shkollës së tyre letrare, e cila lulëzoi në vitet 30, duke shprehur maksimumin e vet nëpërmjet veprës së At Gjergj Fishtës.
Gjykimi për këtë histori dhe për këtë shkollë ka njohur kundërshti të skajshme, produkt i zhvillimeve politike në vend. Edhe jeta e vepra e At Daniel Gjeçajt kushtëzohen nga këto zhvillime. Gjeçaj hyn tek ata autorë që brenda një kulture konsiderohen si transmetues dhe sistemues të veprave të të tjerëve. Është një pozicion i imponuar, por shumë i dobishëm po të kemi parasysh specifikat e zhvillimeve kulturore e politike në Shqipëri. Gjeçaj bëhet përçues i vazhdimësisë letrare të shkollës së françeskanëve. At Daniel Gjeçaj në vitin 1948 arratiset nga Shqipëria dhe, nga viti 1955 e deri sa ndahet prej nesh në vitin 2002, ka jetuar në Romë. Aktivitetin e tij e ka zhvilluar larg vendit amë, prandaj kjo trajtesë ka natyrë deskriptive.
Në vazhdën e përgatitjes së atij grupi intelektualësh që i bënte françeskanët të vetëmjaftueshëm në shkencat albanologjike, At Daniel Gjeçaj pasi përfundon Seminarin e Shkodrës dërgohet me studime teologjike në Siena e më pas në Fulda në Gjermani, studime të cilat i kryen me sukses dhe në mesin e Luftës së Dytë Botërore kthehet në Shkodër. Krahas obligimeve fetare, caktohet si përgjegjës i bibliotekës së françeskanëve, asokohe një nga më të pasurat në vend, si dhe zëvendësrektor i Kolegjit françeskan. Këto ishin dy institucionet kryesore të kulturës dhe edukimit françeskan. Janë pikërisht këto dy përgjegjësi që dëshmojnë pritshmërinë e lartë që kanë eproret ndaj tij. Në jetën e At Daniel Gjeçajt dallojmë dy faza që ndryshojnë dukshëm nga njëra-tjetra. E para, ajo e rinisë, e shkollimit brenda vendit dhe jashtë tij, kthimi me dëshirën dhe vullnetin për të kontribuar sipas traditës françeskane në ato sfera të kulturës që ata kishin më për zemër dhe faza e dytë, e cila projektohet nga një zhvillim i ndërmjetëm që është përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe instalimi i regjimit komunist në vend. Dihet se cili qe qëndrimi ndaj françeskanëve, kishës dhe klerit në përgjithësi. Ekstremizimi i këtij qëndrimi e detyron At Daniel Gjeçajn të shndërrohet në një frat intelektual të diasporës, pra të lërë vendin e tij. Siç thamë, në vitin 1955 Gjeçaj vendoset në Itali, në fillim në Toskana e më pas në Romë, ku edhe emërohet nga Selia e Shenjtë si përfaqësues i katolikëve shqiptarë në diasporë.
Ajo çka ka ndodhur në Shqipëri, nxjerrja nga tekstet, detraktimi i shkrimtarëve françeskanë, kryesisht i Fishtës, por edhe i Harapit e të tjerëve, kushtëzon zgjedhjet dhe veprimtarinë intelektuale të Daniel Gjeçajt, i cili shndërron në mision ruajtjen e kujtesës françeskane, konservimin e asaj tradite, promovimin e saj, botimin dhe ribotimin e veprës së shkrimtarëve françeskanë. Le të themi, platformën e këtij misioni e shpreh te parathënia që i kushton Andrrës së Pretashit në vitin 1959, ku thotë se Asgjamangut letrat shqipe në botën e lirë, në këto dy vjetët e fundit, shënojnë nji periudhë zgjimi. Librat e botuem tash së voni janë prova e parë e këtij zgjimi() Në këtë veprimtari rindërtuese-mbas mendimit tim duhen përqendrue fuqitë tona, po deshtëm të ndihmojmë, ndieshëm, agimin e asajë Lirije, të cilën bashkëvllaznit tanë natdhe e presin si nata ditën, si i vorfni kashatën. Këtë punë ai e bën me zë nëpërmjet Radio Vatikanit, por edhe me shkrim. Gjeçaj është françeskani i vetëm nxënës e bashkëkohës i etërve të mëdhenj françeskanë që ia del të largohet nga Shqipëria. Në Itali janë edhe At Paulin Margjoka e Jakob Marlekaj, por kanë mbetur aty që në kohë të studimeve, por nuk kanë aktivitetin e Gjeçajt. Në librat dhe shkrimet e At Danielit gjejmë një frat studiues që identifikohet me mësuesit e tij, me veprën dhe doktrinën e tyre. Shqiptarëve të bashkëkohësisë u sugjeron që të ndjekin modelin shpirtëror dhe intelektual që etërit françeskanë lanë, testamentin atme e fe, kulturën si ndërlidhëse e pazëvendësueshme ndërmjet tyre. Gjeçaj në Itali bart me vete kujtesën sociale të epokave të ndryshme. Kësisoj, për shpërfaqjen e komponentëve interpretues të veprës mund tu kthehemi niveleve të saj të ndryshme në varësi nga detyra e vendosur. Si rregull, në një situatë të tillë ndërkallet nocioni kontekst, sepse çdo interpretim i tekstit, interpretim shkencor apo leximor, na shpie pashmangshëm te ky term. Studimi i kontekstit është një kusht i domosdoshëm i depërtimit në thellësi të veprës, një prej premisave më kryesore të arritjeve si të konceptit autorial të veprës artistike, ashtu edhe intuitës parësore të procesit leximor. Kështu, në të shkuarën funksionalizohet fuqimisht e ardhmja e saj, e cila varet më së shumti nga Kodi Etik, me të cilin u mor përsipër të përzgjidhej, të gjykohej, të dëshmohej, të botohej e ribotohej vepra e Fishtës e Harapit apo e të tjerëve. Dhe kështu në vitin 1958 ribotohet prej tij Lahuta e Malcisë, e pajisur me komentar. Kësaj vepre në vitin 1997 do ti bëhej botim anastatik në Prishtinë. Po prej At Danielit, në vitin 1981 dhe 1991 do të ribotohet Lahuta, duke parë kërkesat në rritje të shoqërisë shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore, në revisten Shejzat është ndër të parët që i qaset në mënyrë kritike prozës së Fishtës, duke bërë përcaktime që kanë gjetur mbështetje të tipit Në qoftë se poezia satirike e At Gjergjit rrin krahas, në mos e kaloftë poezinë e tij epike, në prozë pa dyshim mund të thomi, se polemika ja kalon prozës së shtrueme fishtjane, nga pikpamja stilistikore proza e Fishtës ka stil të naltë, të mjesëm e tultë a familjar ose Proza fishtjanë shkollë kombëtare dhe votër kulture, proza fishtjane armë mbrojse e idealit fetaro-kombëtar1. At Daniel Gjeçaj përdori dy pseudonime në shkrimet dhe librat e tij, Gjin Duka dhe Pal Duka Gjini. Gjithashtu në vitin 1959 boton për të paren herë, po në Romë, Andrrën e Pretashit të Harapit dhe shumë vite më vonë (1995) Valë mbi valë. Bota e maleve ku ai shërbeu për disa vite si meshtar, me njerëzit, zakonet, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek At Danieli ashtu siç kishte ndodhur edhe me françeskanët e tjerë që e zgjidhnin Malsinë si pjesë model të Shqipërisë, malësorin si model të shqiptarit e gjuhën e tij si më të konservuarën. Tek librat e tij me natyrë artistike, si Hije e drita në mal të Dukagjinit të botuar në vitin 1963, Mehmet Shpendi e Mark Sadiku i Shalës të botuar me 1996 gjejmë pikërisht këtë arketip. Te lind Kiri të botuar në Shkodër në vitin 2000 është e njëjta atmosferë, por në vazhdën e veprës së At Zef Pllumit, aty shprehet nostalgjia për fenomenin tashmë të papërsëritshëm françeskan2 kur ata dominon disa sfera të kulturës në Shqipëri. Nga ky libër ndajmë një shqetësim për trashëgiminë arkivore të françeskanëve të rrënuar menjëherë pas vendosjes së diktaturës: Tashti shi këto shkresa të çmueshme kalojshin dorë-më-dorë ndër gjysë alfabetë, shkyheshin me mëni apo digjeshin pa mëshirë në logje kecimi, argëtime të rinisë. Çka, ma fort gand se me të mendueme, i pështoi vandalizmit të parë, u bajtë radhë mbas radhet ndër qendra, ku priten atëherë e presin sot, fatin e kryeveprave artistike nën Atilen mizuer ose shortin e Bibliotekës Aleksandrine nën kalifatin Omarid. Vepra kryesore e At Daniel Gjeçajt mund të konsiderohet monografia Gjergj Fishta, Jeta dhe Vepra, për të cilin autori shprehet se Punimi im, pat vlerë apo spat, asht homage dashunie dhe kunorë lulesh mbi vorr të Fishtes të pa eshtën. Nuk pretendoj të kem krye një punë të madhe dhe aq ma pak ti kem përgjegjë si duhet madhënisë së subjektit. Tek Gjergj Fishta, Jeta dhe Vepra triumfon pasioni për të adhuruarin e madh, për mësuesin Fishta, ku ashtu si tek Pl