Miratohet plani: Vendimi i qeverisë, sa rriten pagat e pensionet

Një nga mbledhjet e qeverisë
Shtesë 4 për qind për pensionistët, indeksim për administratën. Rritje më e lartë për mjekët e arsimtarët.
Vendimi, sa rriten pagat e pensionet.
Zbardhet plani ekonomik e fiskal për periudhën 2012-2014. Pensionet e fshatit barazohen me qytetin.
Qeveria ka vendosur që të vijojë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve edhe përgjatë viteve në vijim. Në planin ekonomiko-fiskal për periudhën 2012-2014, i miratuar vetëm pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, detajohet qartë se në çfarë mase do të jetë kjo rritje. Duke vlerësuar edhe kornizën makroekonomike dhe mjedisin e jashtëm me risqe të theksuara, këtë herë qeveria duket se është treguar e kujdesshme me atë që e quante dikur rritje, duke e quajtur tashmë vetëm indeksim. Sektorët prioritarë duket se janë ata që do të përfitojnë rritje më shumë se 4 për qind.
Pagat
Rritja e pagave për administratën do të vijojë gjatë vitit 2012 dhe po kështu edhe për dy vitet në vijim. Në planin ekonomik e fiskal thuhet se rritje do të përfitojnë vetëm sektorët prioritarë, ndërkohë që pjesa tjetër e administratës do të marrë indeksim sipas inflacionit, që vlerësohet të jetë një rritje maksimalisht në nivelet 4 për qind. Sektorët prioritarë që tashmë qeveria i ka deklaruar dhe për të cilët edhe në vitet e kaluara ka bërë rritje mesatarisht me 7 për qind, janë punonjësit e Arsimit dhe Shëndetësisë, të cilët pritet që dhe për tri vitet që parashikon plani ekonomik të kenë të njëjtën rritje. Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë për vitin 2012 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritjeje selektive për sektorët prioritarë, thuhet në dokumentin e miratuar nga qeveria.
Pensionet
Pensionistët, në tre vitet e parashikuara në dokument, nuk duhet të presin një rritje mesatare më të lartë se 4 për qind. Shpenzimet e përgjithshme buxhetorë do të synojnë rritjen e nivelit të përfitimeve të pensionistëve me mesatarisht 4 për qind thuhet në dokument. Gjithsesi, qeveria thekson synimin e saj, për të barazuar përfitimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit dhe kjo do të shihet edhe në kahun tjetër, që lidhet me kontributet. ISSH-së i është caktuar si detyrë rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve me 4 për qind, dhe vazhdimi i procesit të nisur për ngushtimin e diferencave në pensionet e fshatit me qytetin dhe harmonizimi i këtij procesi me masën e kontributit dhe pjesëmarrjen në skemën e sigurimit, thuhet në planin ekonomik dhe fiskal të qeverisë. Nga ana tjetër parashikohet që në fondin e ISSH-së të shkojnë më shumë para nga kontributet, me një rritje 4 për qind për vitin 2012 ndërsa në vitin 2014 kjo rritje të jetë 14.8 për qind më shumë se në vitin 2011. Nga rritja e numrit të atyre që dalin në pension, qeveria pret që ISSH të ketë edhe rritje të shpenzimeve ku për vitin 2012 krahasuar me vitin e kaluar, kjo rritje pritet të jetë 4.2 për qind, ndërsa deri në vitin 2014 rreth 19 për qind më të larta. Duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe efektet mbetëse të rritjeve nga një vit në tjetrin, përsëri parashikohet që transfertat në buxhetet familjare nëpërmjet ISSH-së të cilat rrjedhin nga sistemi i pensioneve dhe trajtimeve të veçanta, të jenë në nivelin 6.5 për qind të PBB-sëthuhet në dokument.
4 për qind parashikohet të jetë rritja mesatare për pensionet. Kjo rritje do të jetë më e lartë për pensionet në fshat
dhe më e ulët për qytetin, duke synuar që të arrihet barazimi mes tyre.
Plani ekonomiko-fiskal 2012-2014
. Rritja mesatare e pensioneve 4%. Barazim i pensioneve të fshatit me qytetin
. Indeksim pagave të administratës 4%
. Rritje e pagave të sektorëve prioritarë,
Arsim dhe Shëndetësi, me më shumë se 4 %. Të ardhurat nga kontributet në 2012
rritje 4 për qind krahasuar me 2011. Të ardhurat në fondin e sigurimeve
për 2014, rritje me 14.8 për qind
Pensionet, PS: Skema ka falimentuar
Zbulohen pjesë të programit socialist të PS lidhur me sistemin e pensioneve
Raportin i punësuar/pensionist do e çojmë në 2.5 me 1

Kosta Bajraba
Skema e pensioneve ka dështuar, ndërsa programi i ri i PS-së do ta reformojë atë. Kështu u shpreh dje kryetari i grupit të punës të programit të PS-së për Çështjet Sociale, Kosta Bajraba. Problemet kryesore të sistemit të pensioneve aktualisht janë masa e ulët e përfitimit, raporti shumë problematik, raporti që është gati falimentues për sistemin aktual të pensioneve midis kontribuuesve dhe përfituesve, që është në raportin 1 me 1. Pra, sot një kontribuues mban një pensionist, në një kohë që raporti më minimal, më i pranueshëm edhe nga Banka Botërore, duhet të jetë 2 me 1. Prandaj, ne në programin socialist kemi parashikuar rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit. Që ky sistem të bëhet i qëndrueshëm, duhet të bëhet i qëndrueshëm nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe ndryshimit të raportit të atyre që kontribuojnë për sistemin me ata që përfitojnë nga sistemi. Në programin e PS-së ky raport do të shkojë 2.5 me 1, thekson Bajraba. Sipas tij, Partia Socialiste do të reformojë sistemin e pensioneve, duke u nisur nga vizioni i saj për të ndërtuar një sistem i cili do të jetë një mekanizëm për të nxjerrë pensionistët nga varfëria, jo me fjalë, por me politika realiste dhe funksionale, të cilat do të rrisin të ardhurat reale të pensionistëve. Ashtu siç është deklaruar edhe nga kryetari socialist Edi Rama, qeveria e PS-së do të vendosë dhe një pension të ri, atë social. Sistemi i pensioneve që përfshihet në programin e PS-së është edhe pensioni rezidencial, ose social, për të moshuarit mbi 75 vjeç që nuk kanë kontribuar në skemën e pensioneve. Kjo ka të bëjë me filozofinë sociale të programit tonë, u shpreh Bajraba. Sipas tij, do të stimulohen të gjitha nënat që lindin. Do të ketë leje barrëlindje njëvjetore për të gjitha gratë, kanë apo jo sigurime shoqërore, u shpreh Bajraba. Për ekspertin e Partisë Socialiste pritet që me shtimin e të ardhurave nga të punësuarit, të ndryshojë dhe raporti mes pensioneve maksimale dhe atyre minimale. Do ndryshojë dhe raporti midis kontributeve maksimale dhe minimale në sistemin e pensioneve, duke vendosur një raport sa më të drejtë mes pensioneve maksimale dhe minimale, duke tentuar ta sjellim këtë raport në shifrat 3/1, ose do të liberalizojmë formulën e pensioneve, duke llogaritur masën e pensioneve në varësi të kontributeve, u shpreh Bajraba.
2.5 të punësuar
Për një pensionist do të jetë raporti që kërkon të vendosë programi i Partisë Socialiste lidhur me sistemin e pensioneve. Aktualisht, një i punësuar paguan për të mbajtur një pensionit, ndërsa sipas PS, do të jetë 2.5 të punësuar që do të mbajnë një pensionist.
75 vjeç
E lart do të jetë mosha nga e cila do të përfitojë çdo i moshuar pensionin social, pension që do të jepet për të gjithë ata që nuk kanë plotësuar vitet e duhura për të marrë një pension të plotë.
NERTILA MAHO