At Nikolla Marku: Pas incidentit në Përmet qëndron Janullatos dhe Agimi i Artë
Famulltari i kishës Autoqefale në Elbasan, At Nikolla Marku ka akuzuar drejtpërdrejt kryepeshkopin Anastas Janullatosin për incidentet e ndodhura në Përmet. Pas qëndrimeve të priftërinjve të Përmetit fshihet, Anastas Janullatos dhe shovinistët e Agimit të Artë, të cilët kanë për qëllim përçarjen e komunitetit ortodoks në Shqipëri, shprehet, At Nikolla Marku.
Kritikat
Në reagimin e tij, At Nikolla Marku ka dënuar ashpër veprimet dhe qëndrimet e priftërinjve të Përmetit. Pas asaj shfaqjeje të turpshme del Mitropolia greke e Korçës bashkë me komandantin fetar të Agimit të Artë dhe Vorio Epirit, Anastas Janullatos. Të çudit Policia e Shtetit që mban qëndrim asnjanës. Si mund të rrijë Policia e Shtetit indiferente ndaj ngjarjeve të tilla që e ka për detyrë të parandalojë konflikte të mundshme që mund të përfundojnë edhe me lëndime njerëzish edhe pse jo edhe me vrasje. Si guxon Kisha Ortodokse Greke të flasë e të bëjë presion ndaj Kishës Ortodokse Shqiptare dhe Shtetit shqiptar? Me çtë drejtë ndërhyn në punët e shtetit të pavarur e një kishe të pavarur ortodokse siç është Kisha shqiptare? Çfarë kërkon ministria e Jashtme greke dhe shtypi i saj me deklarata e prononcime shoviniste kundër institucioneve të shtetit shqiptar si dhe kundër njerëzve që mbrojnë ligjin e të drejtën e besimit?, deklaroi at Marku. Në vijim, At Nikolla Marku kërkon reagimin e intelektualëve shqiptarë dhe ortodoksëve shqiptarë. Kërkojmë mbështetjen e intelektualëve të vendit tonë, kërkoj zgjimin nga gjumi të policisë e prokurorisë së shtetit ku Janullatos ka kryer vepër penale dhe organizime të tipit Kosinë, Himarë, Përmet. Ne nuk do të rrimë duarkryq ndaj besimtarëve të Përmetit, por dhe gjithë Shqipërisë. Ata që ushtrojnë dhunë si në rastin e Përmetit nuk janë as priftërinj as besimtarë. Ata janë banditë të paguar e të udhëzuar nga Janullatos. Reagimi ynë si ortodoks dhe shqiptar që e duam vendin e popullin tonë do të jetë i menjëhershëm. Askush nuk do të mund të përdhosë vlerat e besimit fetar në Shqipëri, por dhe vlerat tona kombëtare në përgjithësi, u shpreh at Marku. Në përfundim, at Nikolla Marku i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë, Anasatas Janullatosit. Janullatos, misionit tënd shovinist në dëm të Shqipërisë po i vjen fundi. Të paralajmëroj drejtpërdrejt se po vazhdove me lojëra të tilla si në Përmet do të mbash përgjegjësi direkt për ato çka do të ndodhë më pas. Po shkojmë me autobus të mbrojmë vlerat historike të vendit tonë. Askush në Shqipëri nuk kërkon të marrë kisha me forcë në dëm të besimtarëve ortodoksë, por problem në Shtëpinë e Kulturës në Përmet është çështja që zgjidhet me drejtësi dhe jo me konflikt. Bashkia e Përmetit duhet të kishte gjetur një zgjidhje alternative për pretendimin e saj ndaj kësaj godine, përfundoi at Marku.
Policia private rimerr Pallatin e Kulturës
Policia private ka rimarrë sërish godinën e Pallatit të Kulturës së Përmetit, pas incidentit të ndodhur dje mes tyre dhe disa besimtarëve ortodoksë, ku këta të fundit hynë me forcë në ndërtesë. Menjëherë pas largimit të tyre policia private ka vendosur sërish kontrollin e saj mbi këtë objekt të kthyer tashmë në një mollë të vërtetë sherri. Pas rimarrjes së godinës nga policia private Bashkia e Përmetit ka izoluar dritaret e godinës së Pallatit të Kulturës me tulla. Konflikti mes përfaqësuesve të Kishës dhe përmbarimit nisi ditën e shtunë ku ky i fundit zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kalimin e godinës në pronësi të Bashkisë së Përmetit. Gjatë zhvendosjes së objekteve, pati incidente mes priftërinjve dhe përfaqësuesve të përmbarimit. Situata u përkeqësua më shumë ditën e hënë kur rreth 40 besimtarë ortodoksë hynë me forcë në objektin i cili ruhej nga një polici private.
Kreu i Bashkisë: Po zbatohet ligji
Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe tha se për me godinën e Pallatit të Kulturës po zbatohet vendimi i gjykatës. Jaçe i ka bërë thirrje besimtarëve ortodoksë të ruajnë qetësinë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje jo konfliktuale. Bashkia e Përmetit është përgjegjëse për pronën publike, është përgjegjëse dhe për mbarëvajtjen e jetës në qytet kështu që qëllimi jonë është zbatimi i ligjit dhe nuk ka zgjidhje të tjera përveç ligjit. Sigurisht që hapësira është e pamatë dhe ne do jemi pjesë e zgjidhjes së problematikës. As një zë i fortë nuk është në favor të zgjidhjes së problemeve. Jemi larg veprimeve të dhunshme dhe larg çdo gjëje tjetër që ka lidhje me ekstremizmat. Qyteti i Përmetit ka nevojë për një hapësirë kulturore, sigurisht që dhe komunitetet mund të kenë nevojë për hapësirat e tjera rrugët janë të pafundme për zgjidhjen e problematikave. Objekti zotërohet nga Bashkia dhe nuk ka asnjë arsye që zgjidhje të jenë më forcë, u shpreh kryetari i Bashkisë së Përmetit.