E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdheu apo njerkdheu?

EDMOND TUPJA

Para disa muajsh, një i njohuri im, që nuk po arrinte të rimerrte pronat e të atit, gjyshit e stërgjyshit i neveritur nga stërzgjatja e gjyqeve, nga pretendimet, makinacionet dhe kërcënimet e nëndheshme apo të hapura të pronarëve zaptues të këtyre dy dekadave të fundit, më deklaroi, në zemëratë e sipër, se do të largohej njëherë e mirë nga Shqipëria, sepse, sipas tij, lidhja më e fortë me atdheun është prona: A nuk u kthye, vallë, mëtoi ai, Skënderbeu nga Stambolli në Krujë për ti gëzuar ai, ndër të tjera, edhe pronat e familjes Kastrioti? A nuk u kthyen vallë kosovarët, krejt në fillim të këtij shekulli, në trojet e tyre edhe për arsyen se kishin atje shtëpi e prona, ndonëse ua kishin djegur e shkatërruar? Pavarësisht orvatjeve të mia plot durim për ta bindur se atdheu nuk është vetëm prona (tokë, banesë, biznes), se nocioni atdhe përmbledh edhe familjen, shoqërinë, gjuhën, kulturën kombëtare, kujtimet vetjake, peizazhin e deri qytetin, madje edhe lagjen ku ke lindur, ku banon, ai ngulte këmbë në të vetën. Sigurisht, prindërit e mi nuk kishin e, rrjedhimisht, nuk më kanë lënë ndonjë pronë, por unë e kuptoj shumë mirë reagimin e skajshëm të të njohurit tim të sinqertë dhe revoltën e tij të drejtë e të përligjur katërcipërisht. Një kasaphanë e vërtetë është bërë në Shqipërinë time kapitaliste të tipit Far West: O burra, kush të rrëmbejë i pari një copë tokë a një banesë pronë të aksh individi apo edhe të shtetit e ta deklarojë të zënë nga ai, pra, pronë të vetën, duke pritur legalizimin e premtuar majtas e djathtas në fushata zgjedhore! Oburra kush të gërmojë shtratin e lumit për zhvatur zhavorr e gurë si lëndë ndërtimi! Oburra kush ta gërryejë malin për ti marrë atij gurët për gëlqere apo për diçka tjetër! Oburra kush ta presë pyllin për lëndë drusore! Oburra kush të ribotojë një libër apo një fjalor, me një farë kozmetike sipër, natyrisht, tashmë të përkthyer apo të hartuar para shumë vitesh nga një tjetër!… Dhe kështu, pak e nga pak, kjo ndjenjë pakënaqësie e zemërimi, e përforcuar nga pabarazitë e padrejtësitë e tjera shoqërore, nga paaftësia e klasës sonë politike për të zgjidhur problemet më jetike të shqiptarëve, po i shtyn këta ta rishikojnë nocionin atdhe në botëkuptimin e tyre. I panjohuri im nuk ma tha, por unë e kuptova se ai nuk ndihej më bir i kësaj toke, bir i atdheut, ai ndihej madje më keq se jetim, ai ndihej thjesht bir njerke, nuk ndihej më në Shqipëri, në atdhe, por në një vend të përçudnuar nga grabitja, korrupsioni dhe padrejtësitë e ngritura në sistem, në një vend që, në sytë e në shpirtin e tij të vrarë, nuk mund të quhej më veçse njerkdhe. I njohuri im është më i ri se unë, i ka a si ka mbushur të pesëdhjetat dhe është gati ta lërë Shqipërinë tonë kapitaliste për të shkuar diku, në një vend të huaj, gjithsesi një njerkdhe për atë, por ku të paktën fëmijët e tij do të mund të gjejnë një gjysmatdhe për tu integruar duke u sjellë e duke punuar ndershmërisht, duke vënë një pronë të vogël, të cilën nuk ka për tua rrëmbyer askush. Gjithsesi, unë druaj se, me thellimin e katrahurës sociale te ne dhe në kuadrin e pamëshirshëm të krizës botërore, do të vijë një ditë kur edhe dyzetvjeçarët do të duan të largohen nga njerkdheu ynë; dhe, disa dekada pas tyre, ndoshta edhe tridhjetëvjeçarët; dhe pas këtyre… Në fillimet e lëvizjes kundër diktaturës komuniste në Shqipërinë e izoluar nga bota perëndimore, pjesëmarrësit në demonstratat e studentëve e të minatorëve në Tiranë ishin njëzet apo tridhjetëvjeçarë (pak a shumë pesëdhjetëvjeçarët e sotëm, pra, si i njohuri im) dhe ata protestonin duke hedhur, ndër të tjera, parullën: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!; të mëdha i kishin shpresat e plot dritë ëndrrat për tu bërë europianë të vërtetë në një atdhe europian, por, mjerisht, në ditët tona materialisht e shpirtërisht të zymta, ata druajnë gjithmonë e më shumë se mos po bëhen si tërë ata nigerianë, etiopias, somalezë, sudanezë, pakistanezë, filipinas etj., etj., që braktisin njerkdheun e tyre për një jetë më dinjitoze larg, sa më larg tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›