Milingonat dhe elefanti, rritja e pensioneve dhe e çmimeve
KOSTA BAJRABA
Ditët e fundit qeveria po i bën një jehonë të pazakontë një fakti të zakonshëm: rritjes rutinë të pagave dhe pensioneve çdo 1 korrik. Por, qeveria nuk thotë dy gjëra. E para, cilët janë përfituesit nga rritja e pagave; dhe e dyta, cili është ndikimi real i rritjes së pensioneve në fuqinë blerëse dhe cilësinë e jetës së pensionistëve.
1. QEVERIA RRIT PAGAT PËR TË PUNËSUARIT E SAJ
Nëse i referohemi bilancit të forcave të punës, botuar nga INSTAT, të punësuarit në sektorin shtetëror gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 përbënin rreth 16.5 për qind të forcës së punës të vendit, rreth 165 mijë në 933 mijë të punësuar. Këta janë, në fakt, përfituesit nga rritja e pagave, për të cilat qeveria e ngre zërin në kupë të qiellit. Kjo rritje bëhet edhe më komprometuese, po të mbajmë parasysh politizimin e theksuar të punësimeve në sektorin shtetëror dhe akuzave që i bëhen qeverisë majtas dhe djathtas, nga jashtë dhe nga brenda, nga opozita dhe ndërkombëtarët, madje dhe nga politikanë të përgjegjshëm brenda shumicës parlamentare e qeverisëse, për klientelizmin e theksuar në rekrutimin e të punësuarve të rinj në sektorin shtetëror dhe administratën publike. Në këtë kontekst, rritja e pagave është një karamele që qeveria u jep kryesisht të punësuarve, atyre që thjesht i konsideron votues të saj.
2. SA I AFROHEN PENSIONET E RRITURA MINIMUMIT JETIK?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje qeveria nuk e jep. Jo se nuk do, por se nuk e ka. Por nuk e ka jo se nuk mundet, por nuk do. Prandaj, mungesa e përgjigjes lidhet me mungesën e përgjegjësisë së qeverisë ndaj së drejtës themelore ekonomiko-sociale të qytetarëve të Shqipërisë: së drejtës për të pasur burimet minimale për të jetuar. Mungesa e vullnetit politik për të adresuar këtë çështje është shqetësuese. Nuk është e thënë që qeveria të garantojë minimumin jetik me një të rënë të lapsit dhe me një ngritje mekanike pagash e pensionesh më 1 korrik apo 1 janar. Asnjë qeveri nuk do të mund ta realizonte këtë objektiv. Por, qeveria që kemi sot as që e njeh këtë detyrim politik, ekonomik, kombëtar dhe njerëzor. Dhe as ka, të paktën nuk ka publikuar, ndonjë axhendë masash ligjore, ekonomike dhe financiare për plotësimin e këtij detyrimi themelor për një qeverisje. Në këtë kontekst, rritja e pagave dhe pensioneve nuk thotë asgjë për pyetjen: nga kjo rritje, sa mund të ngjiten mbi vijën e varfërisë përfituesit? Kjo ngaqë pika e referimit, pra shifra e minimumit jetik, nuk njihet.
3. RRITJA E PENSIONEVE DHE CILËSIA E JETËS SË PENSIONISTËVE
Nëse analizojmë dinamikën e pensioneve gjatë viteve 2008-2012, shohim se gjatë kësaj periudhe pensionet janë rritur rreth 22 për qind, ndërsa çmimet e mallrave të shportës janë rritur mesatarisht rreth tri herë më shumë. Grafiku i mëposhtëm na e bën më të qartë diferencën midis rritjes së çmimeve dhe rritjes së pensioneve për periudhën 2008- 2012. Këto të dhëna tregojnë se cilësia e jetës së pensionistëve ka ardhur duke u keqësuar, pavarësisht rritjes thërrime të pensioneve. Në këtë kontekst, mund të themi se rritja e pensioneve është e pandjeshme për nga ndikimi në jetën e pensionistëve. Ajo vetëm se plotëson axhendën rutinore qeverisëse. Prandaj rritja e pensioneve dhe rritja e çmimeve ngjajnë me krahasimin midis milingonave dhe elefantit.