Standardet e dyfishta të Prokurorisë
GENTIAN HOXHA
Përdorimi i standarteve të dyfishta nga Prokuroria shqiptare po shfaqet si kontributi më negativpër shtetin e së drejtës dhe de facdo po e kthen këtë institucion në një parti politike. Marr shkas nga rasti i fundit i pretencës së Prokurorisë për dhunuesin e deputetit dhe le të reflektojmë. Kur një vit më parë u godit një shpifës (dënuar nga disa gjykata me vendim të formës së prerë si shpifës), që kish njëherësh edhe një kartë gazetari, u arrestua agresori biznesmen që kish reaguar në mënyrë të dhunshme ndaj fyerjeve dhe shpifjeve, dhe Prokuroria kërkoi burgosjen e biznesmenit të naftës. Ndërkaq, kur u godit deputeti që nuk kish fyer askënd, Prokuroria kërkon 80 orë punë të detyruar për agresorin!!! A thua shpifësi me kartë gazetari paska më shumë vlerë dhe imunitet se sa deputeti? Në mënyrë të ngjashme, Prokuroria përdori standard të dyfishtë edhe në rastin kur djali i një deputeteje vrau me dy plumba në kokë një të ri dhe iu përvodh drejtësisë për mbi tre muaj. Prokuroria kërkoi vetëm dy vjet burg për vrasjen, ndërkohë që për qytetarët e thjeshtë Prokuroria ka kërkuar dy vjet burg veç për armëmbajtje pa leje dhe një vit burg për pengim të drejtësisë. Prokurorja e Përgjithshme po e përdor institucionin si pronë individuale duke e trajtuar sipas qejfit, duke harruar që ai është institucion shtetëror dhe duhet të veprojë si i tillë, me integritet, qoftë kur i pëlqen dhe qoftë kur nuk i pëlqen kreut të radhës. Le të reflektojmë edhe mbi kujtesën historike të institucionit. Marrim për shembull ngjarjet e dhunshme të 14 shtatorit 1998 dhe ato të 21 janarit 2011. Në të dyja rastet pati të vdekur. Më 14 shtator 1998 protesta qytetare nuk u thirr me apel, por u nxit si pasojë e vrasjes së Azem Hajdarit, një vrasje shtetërore, me një bandë njerëzish me uniformë dhe të paguar nga shteti, ku vrasësit u treguan publikisht vetëm 30 minuta pas vrasjes, ndërkohë që qeveria e asokohe shkoi deri aty sa u jepte alibi vrasësve duke konfirmuar që në mëngjes ishin paraqitur në detyrë. Më 21 janar 2011, pavarësisht se nuk ishte vrarë asnjë përfaqësues i opozitës, PS mobilizoi njerëz dhe para, premtime, autobusë dhe mbyllje të institucioneve të qeverisjes vendore në të gjithë Shqipërinë për të rrëzuar qeverinë. Rezultati në të dyja rastet ishin pamje të tmerrshme, lëndime dhe 4 të vrarë. Unë besoj se jeta e njeriut është e shenjtë dhe nuk mund të jetë më e vlefshme jeta e njërit të një krahu politik se sa ajo e tjetrit që i beson krahut tjetër politik. Por çfarë bëri institucioni i Prokurorisë në secilin rast? Fill pas 14 shtatorit 1998, Prokuroria hapi tri gjyqe dhe ngriti akuza për një duzinë njerëzish për grushte shteti, ngjarje të dhunshme, kryengritje etj., dhe asnjë fjalë/padi/akuzë për vrasjen e protestuesve. Pse? Po më 21 janar 2011? Prokuroria urdhëroi arrestimin e gjithë zinxhirit komandues të Gardës, pa mbledhur ende asnjë provë, ndërsa ndenji një vit pa u shprehur për nxitësit e veprimeve të dhunshme që u panë direkt kudo, në çdo cep të botës. Ku i humbi kujtesa historike institucionit? Sipas kësaj kujtese, Prokuroria do të duhej të fillonte me shkakun, organizatorët e dhunës dhe më pas do të duhej të merrej me pasojën; natyrisht, duke kërkuar fillimisht ndjesë që në një rast të mëparshëm nuk kish vepruar. Prokuroria, me mosveprimin apo veprimin e njëanshëm dhe kthimin në një parti politike, ka dëmtuar në shtetin e së drejtës në Shqipëri. Nëse ky institucion do të kish vepruar qartë dhe ligjërisht ndaj çdo shkeljeje të ligjit, ka gjasa të mos kishim përjetuar as ngjarjet e 21 janarit 2011. Për shembull, a mund të me thotë znj. prokurore nëse është apo jo vepër penale bllokimi i rrugëve? Po pse Prokuroria nuk ngriti asnjëherë akuzë apo padi sipas nenit 293 të Kodit Penal? Kjo ngjarje në bulevard u krye në mes të Tiranës dhe zgjati për dy javë plot. Po më pas, kur u vijua me rrugët edhe në qytetet e tjera, duke shkuar deri aty sa kryetari i Bashkisë së Vlorës nisi sezonin turistik me fushatën Dua të djeg gomën time? Kryerja e veprave penale në vijimësi nga PS dhe mosreagimi i Prokurorisë është së paku shpërdorim detyre nga Prokuroria. Në rast të veprimit të Prokurorisë duke kërkuar respektimin e ligjit, kjo së pari do ta paraqiste ketë institucion si serioz dhe të pavarur nga palët, por edhe nuk do të lejonte përshkallëzim të veprave penale nga Edi Rama, e, për pasojë, nuk do të kish gjasa që ky i fundit të sulmonte institucionet. Por, Prokuroria, përveç veprimit të njëanshëm politik, tani nuk po mbron as interesin publik, dhe as po trajton shqetësimet e përditshme qytetare. Ka shumë pyetje për të cilat qytetarët kanë pritur përgjigje, si: – A ngriti ndonjëherë padi për veprat penale të Ramës me lejet e ndërtimit? Komisioni Xhaferi e depozitoi raportin qysh prej 3 vitesh, por ende nuk ka ndonjë përgjigje të Prokurorisë. – Po për lejet e ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe vetë vendimet e Bashkisë? Artan Lame e paditi Edi Ramën për leje ndërtimi për 18-katësh të dhënë në kundërshtim me Planin Urbanistik pranë stadiumit Qemal Stafa në Tiranë. Prapë nuk u tund njeri. Artan Lame më pas deklaroi publikisht që Bashkia e Tiranës shkeli ligjin kur i lëshoi leje shfrytëzimi pallatit që u ngrit mbi monumentin e kulturës kinema 17 Nëntori, paçka se nuk u respektuan as kushtet e kundërligjshme që kish vënë po vetë Rama për fasadën e kinemasë apo kalimin e makinave. – Po lidhur me lejet e ndërtimit të lëshuara në mënyrë të kundërligjshme në shumë qytete të vendit? P.sh. dhjetëra leje ndërtimi të kundërligjshme në Vlorë, apo për 20- katëshen e ngritur pranë Shkëmbit të Kavajës, në kundërshtim të çdo ligji apo rregulli të zonës bregdetare? – Po lidhur me paditë nga Drejtoria e Rrugëve për çarje të anësoreve të autostradave për ndërtim të pikave të karburanteve që përbëjnë rrezik në transportin rrugor? Pavarësisht se personalisht nuk më pëlqen që një institucion i pavarur të sulmohet nga një krah politik dhe të himnizohet nga krahu tjetër politik, pavarësia nuk mund të përdoret si licencë për papërgjegjshmëri. Është e papranueshme dhe ligjërisht e ndëshkueshme kur Prokuroria, që duhet të mbrojë sekretet hetimore, është vetë ajo që nxjerr në media rezultatet e hetimit, siç ka ndodhur rëndom, dhe askush nuk mban përgjegjësi. Në kushtet që ish-kryeprokurori bëhet anëtar i Asamblesë Kombëtare të një partie politike dhe kryeprokurorja mban qëndrime me standarde qartazi të dyfishta, kjo nuk ngjall asnjë shpresë për performancën shtetformuese dhe në mbrojtje të interesit publik nga ky institucion.