Atdheu
Me Mustafa Krujën në shënimet publicistike
Atdheu âsht krejt nji varg kujtimesh të nalta e të shêjta, të trashigueme brez mbas brezi, kujtime qi janë pasunia e paprekëshme e jetës së njeriut, kujtime qi pastrojnë, kullojnë e naltsojnë ndisiet t'ona e na bâjnë me jetue nën nji qiell të madhnueshëm thjesht moral
Ç'âsht kjo fjalë e madhnueshme qi bân m'u dridhun shpirti i njeriut kur i tingllon aqë âmbël, por edhe aqë rreptë? Ç'âsht kjo fjalë e mrekullueshme qi e bân njeriun me harrue gjithë ça ka të çëmueshme e të dashun?
Fjalë magjike qi âsht e zonja me elektrizue për nji ças nervat e njeriut e me e bâmë qi të japë shpirtin pa u mendue se për se âsht tue vdekun e pa kujtue aspak lotët e dhimshëm të nânës, motrës a grues qi lên për mbrapa, pa i a vûe veshin fare kalamâjvet qi ndoshta kanë me i mbetun në rrugë të madhe. Kjo fjalë qi ka këtê fuqí kaqë të madhe e të rreptë, këtê fuqí të sipërnatyrshme, nuk âsht plangu e shtëpia, nuk âsht gjâja e fëmija, nuk âsht as toka e kufini.
Atdheu âsht krejt nji varg kujtimesh të nalta e të shêjta, të trashigueme brez mbas brezi, kujtime qi janë pasunia e paprekëshme e jetës së njeriut, kujtime qi pastrojnë, kullojnë e naltsojnë ndisiet t'ona e na bâjnë me jetue nën nji qiell të madhnueshëm thjesht moral.
Kujtimet e të parvet t'onë, të gjyshvet e të stërgjyshvet, jeta e zâni i tyne, eshtnat e gjaku i tyne, eshtnat e Skênderbegut në Lesh, t'Oso kukës në Vraninë, të grave e fëmijëve t'onë ndër greminat e Sulit, gjaku i shqiptarit qi âsht derdhun rrëkè nëpër fushat e Kosovës e të Thesalís, krejt qe-këto kujtime të shênjta janë qi përmblidhen në fjalën atdhé.
Kudo qi na shkel kamba mi tokën arbnore e dijmë se aty s'âsht gjâ tjetër veçse pluhni i eshtnave t'atyne kreshnikve qi na kanë lânë trashigim emnin e bukur shqiptar. Ç'do gur qi na sheh syni në këtê tokë na duket i kuq, lamun me gjak të tyne.
Ç'do lis plak qi naltohet madhështuer nëpër malet e pyjet e Shqipnis na vjen sikur âsht tue na dëftye jetën e tyne.
Ç'do lum qi rrjedh në këtê dhé na duket sikur s'bân tjetër me valët e veta, por na përmênd se ça ka ndodhë n'ato bregje në shekujt e kalume. Edhe zogjt qi flutrojnë në qiell t'onë na rrin sikur këndojnë epopetë e fisit shqiptar.
Ky pra âsht atdheu. Për këtê, për amshimin e këtyne kujtimeve duhet të jetojmë na. Trupin e shpirtin, mênden e zêmrën, gjithë energjín t'onë morale lândore atyne lypset t'u a kushtojmë.
Ç'do vogëlsí qi quhet egoizëm, fanatizëm, smirë, ambicie, krahinarizëm; ç'do interesë e veçantë, morale e materiale qoftë, duhet të zhduket përpara madhnís së fjalës atdhé.
Në mundshim me shpëtue e me naltsue atdheun do t'i kemi bâmë mâ të madhin shërbim edhe vetes s'onë, do të kemi shpëtue e sigurue edhe nderën e ç'do interesë t'onën. Sepse aty mbrêndë, n'atdhé jemi edhe na vetë. Kush mêndon veten para se me kujtue atdheun, ai moralisht rron jashtë atdheut.
E për në daçim me jetue shqiptarë, me kujtimet e shqiptarís e n'atdhé të shqiptaris âsht nevoja e detyra jonë e domosdoshme qi të tretemi, të shkrihemi, të zhdukemi të tânë në nji trup moral të vetëm.
Këtë, pra, ka për qëllim ajo shoqní e madhe, ay organ i madhnueshëm qi leu prej zêmrës së pastër të nj'atij burri të fortë, të forcuem prej nji ideali të naltë kombtar të papërkulun, due me thânë prej zêmrës s'Avni Rystemit e qi më 28 prill, në nji kongres të përbâmë prej njerzish të shpitnumë vetëm me nji ideal të shênjtë si ay i Avni Rystemit muer emnin Atdheu, për me djegun në flakët të tij të rreptë ç'do mêndim tjetër qi s'i përshtatet qëllimit të vet.
Asnji shoqní tjetër sod e mbrapa s'ka me gjetun arsye për nji veprim të damë nga Atdheu, mbasi ky në të gjitha kuptimet e në të gjitha mënyrët i ka mbyllun rrugët e dasies me shpirtin e programit të vet, sikurse ka me mbyllun edhe me veprimet e veta. Deri sod kemi pasun aty këtu në Shqipní e jashta shumë shoqnia qi, me pak ndryshim programesh kanë ndjekun krejt nji qëllim, por aspak në harmoní njena me tjetrën.
Ndër këto, mbas shoqnís "Bashkimi", qi ndezi zjarmin e kombtaries në zêmrat e shqiptarvet kur u shpall konstitucioni i Tyrkies, duhet me përmêndun me nderim të posatshëm federatën pan shqiptare "Vatra", e cila, lindun e organizuem prej nji tubë patriotve të vërtetë, të shtrënguem me dalë e me jetue përjashta atdheut, por me shpirt e zêmër gjithmonë afër tij e për tê, të përkrahun e ushqyem prej djersës së puntorís shqiptare n'Amerikë të lirë, ka shumë vjet qi po i shërben me të tâna mënyrët e mjetet atdheut të dashun e, me gjithë qi ndoshta valët e Atlantikut s'kanë për t'a lânë motrën e Amerikës me u bâmë nji trup me vëllaun e Shqipnís, sa për me i a shtrí dorën ajo këtij e ky asaj përmbi ato valë të kaltra ka me qênë gjithmonë punë e mundëshme.
"Mbrojtja Kombëtare", 1 maj 1921