Nano dha "ajrin" me koncesion për 20 vjet
Rreth tetë muaj para përfundimit të mandatit, në nëntor të vitit 2004, qeveria socialiste e drejtuar nga kryeministri Fatos Nano i dha me koncesion kompanisë amerikano-gjermane të vetmit aeroport civil ndërkombëtar në Shqipëri, atë të Rinasit. Ndërkohë që kontrata është ratifikuar edhe nga parlamenti, ku edhe opozita (sot mazhoranca) votuan pro kësaj kontrate.
Një ndër pikat e marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë amerikano-gjermane përcaktonte se të gjitha fluturimet ndërkombëtare për një periudhë 20- vjeçare do të realizohen vetëm në Aeroportin e Rinasit. Kjo pikë e kësaj marrëveshjeje nxjerr jashtë loje aeroportin e Kukësit për ndërtimin e të cilit janë shpenzuar 30 milionë USD, që janë dhënë falas nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, por pengojnë edhe investitorët e tjerë për të investuar në fushën e transportit ajror në Shqipëri. Miratimi i këtij ligji asokohe hasi në reagime nga përfaqësues të politikës, biznesit e mediave si dhe të komunitetit të Kukësit.