E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri policëve: Jeni në provë, para ligjit, ska të paprekshëm

Ministri i brendshem Sajmir TahiriEdhe pse vetëm pak orë pasi ka marrë zyrtarisht detyrën Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka mbledhur në një takim të gjithë krerët e Policisë. Ai ka deklaruar se përpara ligjit nuk do të ketë më njerëz të paprekshëm qofshin këta edhe pushtetarë. Gjatë takimit ditën e djeshme, Tahiri drejtoi apele të fuqishme, duke deklaruar se të gjithë punonjësit e Policisë janë në provë, por nga ana tjetër i garantoi mbështetje çdo drejtuesi e shefi policie. Sot është koha për të ngritur në këmbë Policinë e Shtetit dhe për të garantuar jetën e qytetarëve,- tha Tahiri në nisje të fjalës së tij. Mbështetje pa kushte për të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasigurtit. Askush prej punonjësve prej përmbushjes së detyrës nuk do të pengohet të bëjë detyrën në shërbim të ligjit,- tha Tahiri.

Apeli

Ndër të tjera ministri Tahiri theksoi se tashmë imuniteti i vetëm do të jetë ligji dhe se nuk duhet të ekzistojë më kultura e pandëshkueshmërisë. Ministri i Brendshëm i ka bërë apel punonjësve të Policisë së Shtetit se asnjë polic nuk do të kthehet mbrapa me telefon, ndërsa ka paralajmëruar, se edhe të gjithë pushtetarët nese e shkelin ligjin do të ndëshkohen. Ministri i Brendshëm gjatë mbledhjes me drejtuesit më të lartë të Policisë në vend, ka deklaruar se puna me dy standarde e policisë nuk do të tolerohet më, duke kërkuar korrektesë nga punonjësit e Policisë Rrugore. Ai i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të marrë masa për përjashtimin nga detyra të dy punonjësve të policisë të denoncuar edhe mediatikisht së fundi, pasi sipas tij, pezullimi është pak. SHKB të nisë procedurat dhe ti dërgojë për ndjekje penale dy drejtuesit e Policisë që shkelën ligjin,- tha Tahiri.

Objektivat

Dy ditë më parë, vetëm pak kohë pas betimit, Tahiri zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Sipas Tahirit respekti për ligjin nuk blihet me para, as me njohje dhe krushqi, pasi askush nuk ka imunitet nga ligji, ndaj sfida kryesore është rikthimi i besimit te Policia e Shtetit. Ndërsa përsa i përket denoncimeve nga qytetarët Tahiri ka thënë se ;Të rishikohet marrja e denoncimeve dhe të ketë rezultat për to, asnjë rast i tillë të mos mbetet pa zgjidhje. Do i japim fund sjelljeve arrogante, pasi forca e parandalimit është më e madhe se forca e ndëshkimit. Krimet e paralajmëruara janë të pafalshme. Nuk do të lejojmë më armëmbajtje pa leje, të cilat përdoren për zgjidhjen e problemeve nga më mediokre, tha Tahiri ndër të tjera. Në mbyllje të fjalës së tij Ministri i Brendshëm tha se të gjithë Policët në mbarë vendin si edhe drejtuesit e Policisë, madje përfshi dhe atë si ministër do të jenë në provë. Në mbyllje të fjalës së ministrit Tahiri, drejtori aktual i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, garantoi ministrin se policia do të zbatojë çdo detyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›