E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobiti biznesmenin, shoqërohet në polici ish badigardi Berishës

Fatos-SkejaIsh-punonjësi i Gardës së Republikës, Fatos Skeja është mbajtur në dhomat e shoqërimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për më shumë se gjashtë orë ditën e djeshme. Për Skejën ka pasur një kërkesë për shoqërim nga Prokuroria e Tiranës, e cila e ka marrë në pyetje në lidhje me një gjobë vënie të ndodhur dy ditë më parë, në vlerën e 100 mijë eurove ndaj një biznesmeni të huaj. Pas një seancë të gjatë pyetjesh prokuroria e ka lënë atë të lirë. Emri i gardistit, Skeja ish-badigard i ish-kryeministrit Berisha, është lakuar për skandalin që u denoncua nga vëllai i Hekuran Dedës, një prej viktimave të protestës së 21 Janarit. Burime konfidenciale nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se Skeja është ndaluar pasi akuzohet për disa raste gjobë vënie, që mund të arrijnë shifrën e 100 mijë eurove. Ndërsa të njëjtat burime konfirmojnë se ky ndalim nuk ka lidhje me detyrën që ka mbajtur Skeja në Gardën e Republikës, por me disa fakte që akuza ka arritur të sigurojë mbi veprimtarinë e ish-gardistit.

Precedenti

Ish-efektivi i Gardës së Republikës Skeja rezulton edhe biznesmen në Tiranë, e kryesisht në sektorin e ndërtimit. Që nga 14 marsi i vitit 2008, Fatos Skeja, rezulton ortak me 8% të aksioneve në kompaninë TREVI Group. Sipas një dokumenti që vërteton këtë fakt, ekstraktit të regjistrimit të kësaj firme në QKR, rezulton se aktiviteti i kompanisë ka të bëjë kryesisht me punime dheu, sistemime, ndërtime civile, vepra arti, tregti artikuj të ndryshëm, etj. Ndërkaq, aksionerë të tjerë në këtë kompani përmenden edhe Kujtim Hasa, Dritan Avllaj, Ylber Cami dhe Vision Construction. Përveç kësaj, emri i Fatos Skejës del si aksioner në të famshmin projekt ndërtimi tek Liqeni Artificial i Tiranës, projekt i cili u bë mollë sherri disa kohë më parë mes PS-së e PD-së, ku kryetari i kësaj të fundit ishte njëherazi edhe ish-kryeministri Sali Berisha.  Fatos Din Skeja, me detyrë oficer i Gardës së Republikës pranë Degës së Personaliteteve njihet edhe si shofer i familjes së Shkëlzen Berishës.

Akuzat

Ai u akuzua nga Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës, një nga viktimat e demonstratës të opozitës së atëhershme se i kishte ofruar para në këmbim të një takimi midis familjes së tij dhe ish-kryeministrit Berisha. Për të kundërshtuar këto akuza Skeja hapi një gjyq në gjykatën e Tiranës, të cilin e fitoi dhe gjykata dënoi me 10 milion lekë të vjetra Zabit Dedën për shpifje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›