Atentat ndaj 19-vjeçarit, identifikohet autori
DURRËS – Një 19-vjeçar ka mbetur i plagosur gjatë një atentati me armë, ndërsa policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 12:00, në Lagjen Nr. 15 në qytetin e Durrësit, te rruga automobilistike Spitallë-Shënavlash, përballë lokalit të shtetasit A. T. Sipas tyre, shtetasi F. F., lindur në Skrapar e banues në Lagjen Nr. 15 Durrës, është qëlluar me armë zjarri pistoletë. Si pasojë e goditjeve, ka mbetur i plagosur në këmbë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe po punohet për kapjen e tij. “Po nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut të Durrësit.
Sherri për pronën, e qëllon me gur në sy
KRUJË – Një sherr për pronën mes dy femrave, për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Një 41-vjeçare ka qëlluar me gur në sy një vajzë, teksa ndodhej në ballkonin e shtëpisë së saj. E dëmtuara ka bërë denoncimin në polici dhe më pas kanë nisur hetimet. Burimet policore bëjnë të ditur se më datë 26 dhjetor, rreth orës 15:00, ka bërë kallëzim në komisariat shtetasja F. Ll., banuese në Thumanë në Fushë-Krujë, e cila pretendon se gjatë kohës kur po qëndronte në verandën e banesës së saj në fshatin Thumanë, është goditur me gur duke pësuar dëmtime në syrin e majtë (të cilat në bazë të ekspertimit mjeko-ligjor u klasifikuan në kategorinë e plagosjes së lehtë). Autore e kësaj plagosjeje është shtetasja A. P., 41 vjeçe, lindur në Thumanë e banuese në Laç, me arsim 8 klasë, e martuar, e padënuar më parë. “Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ngjarja ka ndodhur si pasoje e një konflikti pronësie”, - thonë burimet policore.
4 Janar 2000