I jep fund jetës nga depresioni, një tjetër tenton vetëvrasjen
KRUJË – Edhe një tjetër rast vetëvrasjeje është regjistruar dy ditë më parë, duke rritur ndjeshëm numrin e flijimive në këtë fundviti, ndërsa një tjetër ka tentuar që t’i japë fund jetës. Gruaja 48-vjeçare, në gjendje depresioni, ka pirë substancë helmuese vdekjeprurëse. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 14:00, në Spitalin Ushtarak Tiranë ka shkuar e helmuar me fostoksinë shtetasja Xh. K., banuese në Bubq Krujë, e martuar. Sipas burimeve spitalore, gjendja e 48-vjeçares ishte e rëndë. Rreth orës 18:00 kjo shtetase ka ndërruar jetë. “Nga veprimet paraprake të kryera lidhur me ngjarjen rezultoi se Xh. K. vuante nga depresioni”, - thotë Policia e qarkut Durrës.
Po dje, një tjetër tentativë vetëvrasjeje u regjistrua në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ku një vajzë 18-vjeçare konsumoi një sasi lënde helmuese. Pas ndihmës mjekësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë arriti t’i shpëtojë vdekjes. Gjatë dy javëve të fundit janë shënuar disa raste vetëvrasjesh. Vetëm një ditë para festës së Krishtlindjes, dy persona i dhanë fund jetës për shkak të kushteve ekonomike dhe sëmundjeve të pashërueshme.
Dëshmia: Pashë masakrën ndaj tim ati, nuk i njoh autorët
LEZHË – Disa persona kanë masakruar për vdekje një 45-vjeçar bashkë me të birin, i cili është gjetur pa ndjenja pranë urës së Milotit në lumin Mat. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se autor të këtij krimi janë tre persona, për të cilët policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e tyre. Sipas policisë së Lezhës, viktima është shtetasi Lekë Gjon Biba. Ngjarja ndodhi në orën 23:00 të ditës së hënë, teksa Biba së bashku me djalin e tij po udhëtonin nga fshati Kashnjet në drejtim të Tiranës. Në hyrje të Milotit, dy pjesëtarët e familjes Biba janë ndaluar nga tre pësona, të cilët më pas kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. Për pasojë gjeti vdekjen Lekë Biba, ndërsa i biri, Shkëlzeni, fatmirësisht shpëtoi. Sipas dëshmisë së djalit të viktimës, “në orën 22:00, Leka ka komunikuar me një person në telefon. Ata kanë biseduar tri herë gjatë rrugës dhe kanë lënë takim tek Ura e Milotit. Shkëlzeni thotë se i ati nuk i ka treguar se me kë po fliste. Kur kanë mbërritur në vendin e takimit, janë përballur me tre persona. “Njëri prej tyre i kërkoi babait që të zbriste nga makina dhe të bisedonin. Pasi kanë komunikuar për pak minuta, tre personat kanë filluar të qëllonin babanë me thikë disa herë pas koke derisa e kanë lënë të vdekur në vend”, - tha Shkëlzeni në dëshminë e tij. Ai shtoi se nuk kishte mundësi që të ndërhynte për të shpëtuar të atin. Ai tha para ekspertëve të policisë se më pas e kanë keqtrajtuar edhe atë, duke e lënë pa ndjenja në tokë. “Jam përmendur vetëm në spitalin e Lezhës, - tha Shkëlzen Biba”. Burimet zyrtare pohojnë se djali i viktimës është marrë disa herë në pyetje për ngjarjen pasi ndodhej në një gjendje të traumatizuar. Ekspertët e krimeve e përjashtojnë mundësinë që 28-vjeçari të kenë qenë pjesë e organizimit të planit për ekzekutimin e të atit. Tashmë kanë nisur procedurat për verifikimin e tablateve të telefonit, të cilat pritet të zbardhin një pjesë të misterit të këtij krimi. Të njëjtat burime shprehen se policia po përdor edhe metoda speciale për zbulimin e autorëve të krimit, për të bërë të mundur gjetjen e më pas edhe arrestimin e tyre. Policia mori në pyetje edhe personat që kanë gjetur viktimën dhe të birin.
4 Janar 2000