Darka e Vitit të Ri, çfarë do të ketë në tryezën e Shqiptarëve për këtë vit
Emanuela Sako
Nata e ndërrimit të viteve po afron, ndërsa amvisat po përfundojnë blerjet e fundit për darkën e madhe festive. Gatimet më të preferuara edhe për këtë vit do të jenë ato tradicionale, si produktet e mishit dhe bakllavaja, që nuk mungon në tryezat familjare. Tregtarët shprehen se më të shiturit janë gjelat e detit, të cilët gatuhen më së miri nga amvisat. Nga ana tjetër ata shprehen se edhe frutat kanë një shitje të lartë ditët e fundit, sidomos mollët, portokallet apo mandarinat. Megjithëse çmimet janë të larta, shqiptarët nuk ngurrojnë të shpenzojnë për një natë të vetme.
Varfëria
Varfëria dhe papunësia e këtij viti kanë trokitur në derë, familet Shqiptare nuk preferojnë të lënë tryezat të varfra. Produktet ushqimore kanë shënuar një rritje të dukshme. Perimet shiten me 50 lekë më tepër se më parë. Po e njëjta gjë ka ndodhur edhe me frutat ku ditët e fundit çmimet vazhdojnë të rriten. Ushqimi më i kushtueshëm është blerja e mishit, i cili kap shifrën e 850 apo 900 lekëve për kilogram. Tregtarët e mishit shprehen se nga shitjet e deritanishme një familje ble 3 deri në 5 kilogram mish. Ndërsa darkën më të varfër të viti do ta kenë pensionistët. Ata shprehen se nuk u dalin të ardhurat, por darka e tyre do të mjaftojë me 1 kilogram mish apo një gjel deti dhe fruta që do të blihen po nga një kilogram. Tregtarët bëjnë të ditur se në krahasim me vitin e kaluar blerjet kanë rënë dhe të ardhurat ditore për ta janë të pakta, në krahasim me një vit më parë. Por, ata shprehen se dy vitet e fundit janë më të dobëtit përsa u përket shitjeve dhe blerjeve nga qytetarët. Megjithatë dëshira e Shqiptarëve për t’i mbushur tryezat në natën e ndërrimit të viteve dhe për të pritur 2010-ën nuk mungon edhe pse ato mund të jenë më të reduktuara se vitet e shkuara.
Tendenca
Tejmbushja e tryezës, ose të pasurit ushqime të shumëllojshme me bollëk është një tendencë që nuk e ka humbur karakteristikën e vet edhe pse kriza ekonomike dhe papunësia kanë trokitur në derën e qytetarëve. Kjo tendencë presupozohet se të pasurit ushqim me bollëk është një lloj besëtytninë që viti i ardhshëm do ta gjejë familjen më të pasur dhe më të shëndetshme. Ndërkohë që një tendencë e re që ka hyrë vitet e fundit është shpërndarja e dhuratave për njerëzit më të afërt. Kështu, tregtimi i lodrave për fëmijët është tregu më i suksesshëm për festat e fundvitit. Ky është një moment ku megjithëse prindërit të lodhur nga një vit pune, preferojnë të ndajnë disa momente kënaqësie me familjen e vetë dhe t’u dhurojnë fëmijëve të tyre lodra të ndryshme. Ndërsa nuk përjashtohen edhe dhurata që bëhen mes të dashurve të zemrës apo njerëzve më të afërt. Dhuratat për këto kategori janë më më specifike dhe të veçanta. Me të shiturat për këto kategori janë veshjet me ngjyrë të kuqe dhe sidomos të brendshmet e kuqe kanë shitjen më të madhe, ndërsa çmimet për to kanë pësuar një rritje të dukshme me 200 lekë më tepër për çdo artikull.
Viti i Ri 2010, prenotime në restorantet e kryeqytetit
Qytetarët kanë marrë masa për festimit e natës së ndërrimit të viteve. Një pjesë e qytetarëve kanë bërë prenotime në disa prej restoranteve apo lokaleve që ofrojnë muzik live. Prenotimet kanë nisur një muaj më parë dhe shumica e restoranteve kanë mbyllur prenotimet e tyre. Darka do të jetë pothuajse e njëjtë me muzikë live dhe këngëtarë të ftuar për të kënaqur klientelën. Një pjesë e madh e restoranteve dhe lokaleve kanë ruajtur tarifat e përvitshme, ku darka për një çift arrin në vlerën e 1000 lekëve. Ndërkohë që gatimet janë nga më të ndryshme, ku ata që dëshirojnë darkë tradicionale kanë përzgjedhur vendet që e ofrojnë atë, ndërsa të tjerët kanë bërë përzgjedhjen e tyre për një darkë më moderne dhe me ushqime të huazuara nga vendet e tjera.
Dhuratat
Një parfum për të dashurin e zemrës, një krem antirrudhë për nënën, një portofol për motrën apo vëllanë. Çdo vit duket se përsëritet e njëjta histori. Nuk je i sigurt se cila është dhurata e duhur për të afërmit dhe miqtë. Është e vërtetë se mendimi vlen më shumë se çmimi i dhuratës, megjithatë një dhuratë që nuk do të përdoret kurrë është në shpenzim i gabuar. Për të mos gabuar, blini në kohë, mos prisni momentet e fundit, sidomos kur lista është e gjatë. Nëse nuk keni mundur të dilni për të parë diçka, mund t’u sugjerojmë diçka të vlefshme.
Lule
Tradicionalisht lulet janë një ide gjeniale dhe origjinale për vitin e ri. Kujdesuni të dini preferencat e personit që do t’ia dhuroni dhe një tjetër këshillë do të ishte që ato të jenë të freskëta. Një buqetë e zgjedhur me kujdes do të linte përshtypje të mirë të çdokush që i adhuron ato. Lulet me të preferuara për festën e vitit të ri janë: orkidet, tulipanët dhe karafilat e bardhë. Ju mund të blini edhe lule në vazo për nënën apo gjyshen tuaj, me dekorime festive dhe petale të kuqe.
Objekte arti
Zgjidhni një libër për shoqen tuaj, sepse ajo pëlqen të lexojë. Një libër best seller do t’i bënte përshtypje patjetër nëse e dini se cila është tematika e saj e preferuar. Një tjetër ide janë edhe stilolapsat e shtrenjtë me punime argjendi apo korniza fotografish me përmasa më mëdha. Për fëmijë zgjidhni materiale për të ngjyrosur apo ndonjë instrument muzikor.
CD apo video
Një ide e mrekullueshme për dhuratë është patjetër një CD me këngët më të bukura të momentit apo perlat e muzikës ndër vite. Edhe në këtë rast duket të dini preferencat e personit që do t’i bëni dhuratën.
Parfum
E natyrisht një aromë e mrekullueshme për t’iu përshtatur atmosferës së festave nuk mund të refuzohet kurrsesi. Kjo dhuratë do të ishte ideale për partnerin tuaj, apo për miken më të ngushtë. Parfumet më të preferuara për këtë stinë do të ishin: Armani Code, Dolce&Gabanna, Riçi Riçi, Black Orchid etj.
Bizhuteri
Për ata që pëlqejnë të mbajnë bizhuteri mos nguroni të zgjidhni diçka interesante për festën e fundvitit. Ndër dhuratat më interesante përmendim: unazat, byzylykët, varëset apo një orë e cila jo domosdoshmërisht duhet të kushtojë shtrenjtë.
4 Janar 2000