E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e ish-deputetit Neranxi mbërrin në Gjykatë

Neranxi akuzohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 13 664 916 lekë. Shkelje janë kryer për 21 raste të mallrave të hyra në territorin shqiptar
Pas një odiseje nëpër gjykata dhe prokurori, dosja në ngarkim të ish-deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës. I pandehur për veprën e “kontrabandës me mallra të tjerë”, Neranxi akuzohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 13 664 916 lekësh, nga mosdeklarimi dhe zhdoganimi i mallrave. Pas hedhjes së shortit, këtë dosje pritet ta gjykojë gjyqtari Sokol Tona. Sipas organit të akuzës, Neranxi akuzohet se nga shkurti i vitit 2001 deri në gusht 2004, ka kaluar pa deklaruar mallra të ndryshëm si kaseta VHS, bateri, albume fotografike, film fotografik, CD etj. Prokuroria ka arritur të dokumentojë që këto shkelje janë kryer për 21 raste të mallrave të hyra në territorin shqiptar.
Hetimet paraprake
Autoritetet doganore greke, me anë të një shkrese, kanë kërkuar asistencën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës për një hetim administrativ të nisur në Greqi ndaj shoqërisë greke “SALCOFOT” A.E. Selanik, përfaqësuar nga shtetasi Salvator Kunio, për periudhën 2001-2004. Bashkëlidhur me këtë shkresë, autoritetet doganore greke kanë dërguar dhe kopje të faturave dhe deklarimeve doganore të eksportit, nga të cilat evidentohet se: për 21 raste faturat e kësaj shoqërie i janë lëshuar klientit I. T., me banim në Tiranë. Malli është deklaruar për eksport në Degën Doganore greke Kastoria dhe është transportuar në drejtim të Shqipërisë me disa kamionë me targa shqiptare. Kamionët që kanë bërë transportin kanë qenë; njëri në pronësi të S. D. dhe katër të tjerë në pronësi të babait të të pandehurit.
Nga verifikimet e kryera nga ana e Doganës shqiptare dhe nga hetimet e kryera nga prokuroria, rezulton se kamionët e deklaruar si transportues përpara autoriteteve doganore greke, në vijim kanë kryer procedurën tranzit në Degën Doganore Kapshticë dhe procedurat e zhdoganimit në Tiranë. Ndërsa në çdo rast janë deklaruar disa artikuj të tjerë, të dhënat e praktikave doganore respektove në Kapshticë e Tiranë, tregojnë se artikujt e blerë në Greqi nga shoqëria “SALCOFOT” A. E. kanë hyrë në territorin e vendit tonë, nuk janë deklaruar si të importuar dhe nuk janë zhdoganuar, duke mos paguar detyrimet doganore që kapin shifrën prej 13 664 916 lekë.
Në aktet e administruara nga prokuroria gjatë hetimit paraprak rezulton e provuar se blerja, transporti dhe mosdeklarimi para autoriteteve doganore shqiptare për 21 faturat e hetuara është realizuar nga i pandehuri Nikollaq Neranxi, i cili në këto kushte, sipas organit të akuzës, rezulton të ketë konsumuar plotësisht veprën penale për të cilën akuzohet.
Historiku i dosjes
Në datë 7 prill 2008, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën e “kontrabandës me mallra të tjerë”. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve të kryera në lidhje me këtë procedim penal, ka arritur të provojë se 21 rastet që kishte marrë në hetim, përbënin vepër penale dhe se ka dyshimin që deputeti Neranxi të ketë kryer këtë vepër. Në këto kushte, me vendimin e datës 05.01.2009, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë, duke i dërguar aktet Prokurorisë së Përgjithshme.
Me datë 15.02.2009 është vendosur regjistrimi i këtij procedimi në Prokurorinë e Përgjithshme.
Më datë 23.02.2009 kjo prokurori ka regjistruar emrin e Nikollaq Neranxit si personi të cilit i atribuohet kjo vepër penale.
Me datë 12.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për procedimin penal ndaj deputetit Neranxi. Me vendimin e datës 23.04.2009, Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit të këtij deputeti dhe autorizoj prokurorinë të vazhdonte hetimet e saj.
Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria dorëzoi dosjen në Gjykatën e Lartë, si organi kompetent për të gjykuar deputetët. Por, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku Nikollaq Neranxi nuk arriti të fitonte një mandat tjetër, e detyroi Gjykatën e Lartë që këtë dosje t’ia kalonte për kompetencë Gjykatës së Tiranës.

Reagon Drejtoria e Burgjeve: Lidhja me zinxhir, e lejueshme

Menjëherë pas publikimit nga ana e Instituti Europian të Tiranës lidhur me kushtet e paraburgimit, reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas saj, në bazë të një marrëveshje të bërë më parë, ky institut ka qenë i detyruar që një kopje të raporteve të niste pranë kësaj drejtorie, ndërkohë që nuk e ka bërë një gjë të tillë. Lidhur me pretendimin e ngritur për dhunë seksuale ndaj një të mituri në IEV Penale Korçë, bëhet e ditur se një rast i tillë është trajtuar me përparësi dhe në kohën e duhur nga strukturat e Drejtoria dhe Ministrisë së Drejtësisë. Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Korçë, për rastin në fjalë është filluar procedimi penal dhe në përfundim të hetimeve është vendosur pushimi i kësaj çështje. Më tej, në njoftim flitet dhe lidhur me rastin e lidhjes së të burgosurve me zinxhirë në Spitalin e Burgut. “Përdorimi i këtyre mjeteve parashikohet edhe në normat e KPT-së, Komiteti Europian i Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor apo Poshtërues, ku në Raportin II të Përgjithshëm të KPT mbi Shqipërinë, pika II për ‘Burgosjen’, fq. 19 cilësohet shprehimisht: ‘Personeli i burgut ndonjëherë duhet të ushtrojë forcë për të kontrolluar të burgosurit e dhunshëm dhe, përjashtimisht, mundet edhe të përdorë instrumente të kufizimit fizik’” - mbyll njoftimin për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›