E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, shtohet deficiti i llogarisë korente me 331 milionë euro në fund të vitit

BSH-ë pasqyron zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për 3-mujorin e tretë
Ervin KOÇI

Bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e tretë të vitit 2009 rezultoi në rritje të mjeteve valutore me 44 milionë euro. Tremujori i tretë i vitit u mbyll me një deficit të llogarisë korente prej 331 milionë eurosh. Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2008, deficiti korent është thelluar me rreth 100 milionë euro, nga 231 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave arriti në 591 milionë euro nga 602 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Flukset e kapitalit regjistruan një pozicion neto prej 187 milionë eurosh, duke mbuluar rreth 57 për qind të deficitit korent. Shuma e transaksioneve korente hyrëse dhe dalëse, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 ishte 2,677 milionë euro ose rreth 7% më e lartë se një vit më parë. Llogaria korente regjistroi një deficit prej 331 milionë eurosh, krahasuar me 231 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Thellimi i deficitit është pasojë e deficitit në kategorinë e të ardhurave (në rreth 34 milionë euro) nga suficiti prej 55 milionë eurosh i regjistruar një vit më parë, si dhe e ngushtimit të suficitit të transfertave korente nga 229 milionë euro në 206 milionë euro. Ndërkohë, deficiti i tregtisë së mallrave është tkurrur nga 602 milionë euro në 591 milionë euro dhe suficiti prej 88 milionë eurosh në shërbime shënoi të njëjtin nivel të një viti më parë. Rreth 53% e shpenzimeve korente kanë shkuar për financimin e importeve të mallrave, ndërkohë që hyrjet valutore janë siguruar nga eksportet e shërbimeve dhe të mallrave (74%) dhe nga transfertat korente të njëanshme (22%).

Tregtia e mallrave

Vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 shënoi 994 milionë euro, me një rënie vjetore prej 8%. Shitblerja e mallrave përfaqësoi rreth 37% të veprimeve korente. Eksportet shënuan një rënie vjetore prej 17% dhe vlerësohen në 202 milionë euro. Ndërkohë, për importet u paguan 793 milionë euro ose 6% më pak se një vit më parë. Deficiti tregtar u tkurr me rreth 11 milionë euro duke arritur në 591 milionë euro. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ra në nivelin 25% nga 29% një vit më parë. Pagesat për importe janë ulur kryesisht për grupmallrat më përfaqësues të importeve, si importet e produkteve minerale (rënie me 19%), metalet bazë (rënie me 13%) dhe makineri e pajisje (rënie me 3%). Rënia vjetore e importit të karburanteve (me 54%) erdhi si pasojë e rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe e rënies me 24% të sasisë së importuar gjatë këtij tremujori. Ndërkohë, e lartë mbetet kërkesa për importe në grupmallra ushqimore, të cilat u rritën me 22%. Në kahun e eksporteve rënia vjetore me 17% gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e drejtë për drejtë e tkurrjes së eksportit nga prodhimi i brendshëm, kryesisht në kategorinë e metaleve dhe lëndëve djegëse.

Zërat e tjerë

Llogaria e shërbimeve u mbyll me një suficit prej 88 milionë eurosh, duke ruajtur nivelin e një viti më parë. Ndaj tremujorit të tretë të vitit 2008 vërehet përmirësimi i pozicionit deficit në shërbimet e transportit si pasojë e rritjes së të ardhurave në shërbimet e transportit të pasagjerëve. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 81% dhe 78% të totalit. Bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një suficit prej rreth 91 milionë eurosh nga 94 milionë euro vlerësuar në tremujorin e tretë të vitit 2008. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 543 milionë euro ose 40% më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Tremujori i tretë regjistroi një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë dhe rritje të shpenzimeve mesatare ditore ndërkohë që, koeficienti i ditë-qëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë. Rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 453 milionë euro ose 54% më shumë se një vit më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht rritja e numrit të udhëtarëve shqiptarë jashtë vendit, si edhe rritja e shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që nuk është shënuar ndryshim në koeficientin e vlerësuar për ditë-qëndrimin mesatar. Llogaria e të ardhurave u mbyll me një bilanc negativ prej 34 milionë eurosh kundrejt suficitit prej 55 milionë eurosh një vit më parë. Të hyrat në valutë të kësaj kategorie ranë me rreth 49%, ndërsa daljet pothuajse janë dyfishuar në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Dy burimet kryesore të të ardhurave kanë qenë puna e punëtorëve sezonalë dhe kufitarë dhe të ardhurat nga investimet në formën e interesave të depozitave të sistemit bankar jashtë. Të ardhurat hyrëse nga puna kanë rënë me 35%. Ndërkohë, janë dyfishuar daljet në të ardhurat nga investimet direkte në formën e pagesave të dividendëve dhe fitimit të riinvestuar. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 Shqipëria ka paguar 5 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm. Transfertat korente neto u vlerësuan në 206 milionë euro me një rënie prej 24 milionë eurosh kundrejt një viti më parë. Rreth 188 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 6% nga vlera prej 200 milionë eurosh e një viti më parë. Njëkohësisht, vihet re rënie në pozicionin suficit të transfertave dalëse të sektorëve të tjerë, si pasojë e rënies së transfertave hyrëse me 7% dhe rritjes së transfertave dalëse me 8%.

Llogaria kapitale dhe financiare

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 Shqipëria regjistroi një prurje neto prej 187 milionë eurosh në llogarinë kapitale dhe financiare. Nga këto, rreth 32 milionë euro kanë hyrë në vend në formën e granteve për investime kapitale, ndërsa 155 milionë euro në formën e flukseve financiare neto. Pozicioni neto i lëvizjeve të kapitalit për këtë periudhë, ka mundësuar financimin e deficitit korent në masën 57%. Në llogarinë financiare vërehet rritje e detyrimeve financiare të Shqipërisë ndaj botës, si dhe rritje e kosiderueshme e mjeteve të rezidentëve jashtë. Lëvizjet më të mëdha në këtë llogari janë regjistruar në zërat e huamarrjes, investimeve të huaja direkte dhe mjeteve të rezidentëve jashtë. Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, gjatë këtij tremujori vlerësohen në 162 milionë euro. Huamarrja për sektorin publik (tërheqjet) ishte rreth 140 milionë euro ose 29 milionë më tepër se sa në vitin 2008, ndërkohë që huamarrja private shënoi 22 milionë euro. Rritja e këtyre detyrimeve ka çuar në rritjen e detyrimeve për pagesat e ardhshme të borxhit të jashtëm. Shërbimi i borxhit të jashtëm për tremujorin e tretë të vitit 2009 ka pakësuar detyrimet e rezidentëve me 20 milionë euro. Fluksi i investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare për tremujorin e tretë të vitit 2009 vlerësohet në rreth 143 milionë euro. Mjetet valutore të investuara jashtë ekonomisë shqiptare kanë regjistruar një rritje prej 130 milionë eurosh. Kjo rritje vihet re kryesisht te investimet në formën e depozitave të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente (104 milionë euro) si dhe në formën e huadhënies afatshkurtër (10 milionë euro). Gjithashtu, në rritje janë paraqitur mjetet financiare në formën e investimeve të portofolit (16 milionë euro). Mjetet e rezervës u rritën me 44 milionë euro. Stoku i rezervës valutore në fund të tremujorit të tretë të vitit 2009 shënoi nivelin 1,736 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e 4.2 muaj importesh të mallrave dhe shërbimeve.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›