Atentat në kryeqytet, vritet një person
Spartak Camaj, 36 vjeç, nga Yzberishti u qëllua katër herë dje në mbrëmje me armë zjarri nga një person i paidentifikuar
I vrari njihej nga policia si person i skeduar prej saj i dënuar për vjedhje e i akuzuar për rrëmbim femrash
TIRANE- Atentat në kryeqytet, plagoset me armë zjarri dhe më pas vdes në spitalin ushtarak në kryeqytet, Spartak Camaj, i dënuar për vjedhje dhe i akuzuar për rrëmbim femrash dhe i dyshuar për krime të tjera nga policia. Spartak Camaj, 36 vjeç, nga Yzberishi, u qëllua katër herë dje në mbrëmje me armë zjarri, në rrugën "Sulejman Delvina", jo shumë larg kryqëzimit me rrugën "Komuna e Parisit". Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, në kohën kur ai ishte brenda veturës së tij duke folur në telefon, ndërsa vetura e tij ishte e parkuar në anë të rrugës.
Dyshimet e policisë që lidhen me ngjarjen janë drejtuar mbi të shkuarën e dyshimtë të viktimës, ku ai sipas hetuesve ka rezultuar i përfshirë në veprime kriminale.
Ndërkaq, dyshimet e policisë janë drejtuar edhe mbi një konflikt të mundshëm të tij gjatë ditës së djeshme apo ditëve të mëparshme.
Camaj u dërgua me shpejtsi në drejtim të spitalit ushtarak, për t'i dhënë ndihmën e shpejtë. Menjëherë pas dërgimit të tij në spitalin ushtarak, ku ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për t'i shpëtuar jetën. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe përpjekjes së tyre për t'i shpëtuar jetën të plagosurit Camaj, gjendja e tij sipas burimeve të spitalit ushtarak, paraqitej e rëndë.
Ndërkaq, rreth orës 22:30, ai ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda të marra në kokë. Ndërkaq policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet dhe për të zbardhur atentatin ndaj 36- vjeçarit nga Yzberishi.
Hetimi
Hetuesit menjëherë kanë rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa është vënë re se mjeti kishte të thyer xhamin e krahut të shoferit. Ekspertët e policisë po kërkonin në vendin e ngjarjes predha plumbash, si dhe gëzhojat e fishekëve, me qëllim administrimin e tyre në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, efektivët e policisë në vendin e ngjarjes shoqëruan disa persona në cilësinë e dëshmitarëvë, me qëllim marrjen e sa më shumë të dhënave dhe informacioneve mbi rrethanat e ngjarjes.
Nga hetimi i kryer nga policia është mësuar se autori i ngjarjes, menjëherë pasi qëlloi 36- vjeçarin nga Yzberishi, është larguar në këmbë, duke mundur të fshihet përmes pallateve të zonës. Në lidhje me pistat e mundshme të ngjarjes, policia ka rradhitur disa të tilla që sipas hetuesve lidhen me të shkuarën.
Gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997 e më vonë ai është hetuar dhe më pas dënuar për veprën penale të vjedhjes. Ndërkaq në vitin 2002, ai është arrestuar nga policia sepse në bashkëpunim me një person tjetër, kishin rrëmbyer dy femra. Në momentin e arrestimit, policia i kishte bllokuar të arrestuarve një thikë në cilësinë e provës materiale