E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 8 prill, Kuvendi debaton për Kurtin

Kërkesa e Këshillit kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës është shqyrtuar në mbledhjen e së martës të Kryesisë, me ç’rast është vendosur që seanca debatuese për rastin e gjykimit ndaj udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje” të mbahet më 8 prill.

Në fakt vendimi për seancë i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës është mbështetur në peticionin e nënshkruar nga rreth 150 mijë qytetarë, të cilët kërkojnë ndërprerjen e gjykimit ndaj Albin Kurtit. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë se debati do të ketë natyrë politike, ashtu siç është edhe politik gjykimi ndaj Albin Kurtit.

“Siç është ngjarja politike, gjykimi ndoshta është pak politik edhe debati në Kuvend do të jetë i natyrës politike, ku obligohet që secili grup politik ose Komision Politik në Kuvend të paraqes qëndrimin grupit të vet. Sigurisht edhe Kuvendi do të dal me qëndrimin e tij, si organ ligjvënës, por gjithnjë pa u përzier në pushtetin e gjyqësorit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi. I pyetur nëse Kuvendi i Kosovës duhet të dal me ndonjë rekomandim që të ndërpriten gjykimet politike në Kosovë, kreu i legjislativit ka thënë se Kuvendi mund të dal edhe me rekomandimin që Albin Kurti duhet të bartë përgjegjësin e vet morale për atë që i ka nxjerrë qytetarët në rrugë.

“Kuvendi mund të dal edhe me rekomandimin që Albin Kurti duhet ta bartë përgjegjësin e vet morale për atë që i ka nxjerrë qytetarët në rrugë dhe ta merr atë përgjegjësi. Gjyqi duhet të kryej funksionin e vet dhe vetëm gjyqi në Kosovë ka të drejtë ta ndërpresë këtë gjykim, jo Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës mund të kërkoj nga OKB që të merret me shqyrtimin e drejtësisë ndërkombëtare për tejkalimin e përgjegjësive dhe kompetencave të policëve në demonstratat e 10 shkurtit 2007 dhe mbi bazën e ligjit ndërkombëtar të merret me atë lëndë. Kjo lëndë nuk është e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›