Atentat në mes të Tiranës, plagoset ish-Drejtori i ÇEZ-it në Laç
Dy persona i kanë bërë atentat një 45-vjeçari, në mes të ditës dhe në mes të Tiranës. Ngjarja është shënuar rreth orës 16: 00 në rrugën Bardhyl në kryeqytet. Dy persona kanë hyrë në një kazino, ku dhe gjendej shënjestra e tyre.
Ai ka qënë duke luajtur në kazino, kur është pyetur nga njëri prej autorëve për emrin, mesa duket për të mos gabuar shënjestër. Dhe më pas e kanë qëlluar dy herë në këmbë me armë zjarri, pistoletë, 45 vjeçarin Viktor Skeja, ish-Drejtor i ÇEZ-it në Laç. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja fillimisht u raportua si një tentativë grabitjeje, por pasi policia mori në pyetje dëshmitarët në vendin e ngjarjes arriti në përfundimin se bëhej fjalë për një atentat, që ka dështuar ti marrë jetën 45-vjeçarit. Policia ka ngritur postblloqe në rrugët pranë vendit të ngjarjes për të bërë të mundur kapjen e autorëve, ndërsa nuk dihet ende se cilat janë motivet e këtij krimi.