E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat policit të objekteve, qëllohet me katër plumba

• KUÇOVE – Atentat policit të objekteve të Kuçovës. Mbrëmjen e së enjtes, ndërsa 38-vjeçari Astrit Pirja po dilte nga shtëpia e tij në fshatin Tapi u qëllua me 4 plumba pistolete. Punonjësi i degës së ruajtjes së objekteve do të nisej për në punë për turnin e natës, rreth orës 23:00 kur arma e zjarrit është shkrehur ndaj tij. Sipas konfirmimeve të para zyrtare nga ana e policisë, në momentin kur Pirja po tentonte të hynte në makinën e tij private, tip “Fiat Punto”, me targë BR 4225 A, persona ende të paidentifikuar qëlluan ndaj tij. Polici ka tentuar që t’u shpëtojë plumbave, duke u hedhur në një kanal të madh me ujë që ndodhej në afërsi të shtëpisë së tij. Vetëm një prej plumbave, që dyshohet se dolën nga një pistoletë tip TT i ka përshkuar krahun e majtë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të Komisariatit të Kuçovës që kanë kryer ekspertizën. Sipas tyre, 2 plumba kanë rënë në pjesën e kofanos së makinës dhe 2 në xhamin e përparmë. Pikërisht njëri prej plumbave të rënë në xham ka depërtuar më pas në trupin e policit. Rreth orës 23:30, i plagosuri ka mbërritur në spitalin e Beratit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Gjatë ditës së djeshme, gjendja e tij paraqitej jashtë rrezikut për jetën dhe është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, por kolegu i tyre nuk ka pranuar të rrëfejë asgjë mbi ngjarjen dhe motivet e saj. Burimet zyrtare të policisë kanë pohuar se po hetohet në dy pista, në atë të një hasmërie të vjetër, të ndonjë konflikti brenda familjes, ndërsa përjashtohet atentati për shkak të detyrës.                               d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›