E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA përjashton Shqipërinë

• FIFA përjashton Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare për shkak të ndërhyrjeve të rënda politike të shtetit shqiptar në autonominë e Federatës Shqiptare të Futbollit.Fatjon KodraKa qenë ky lajmi tronditës që është bërë i ditur dje pasdite, fill pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Një vendim që ishte paralajmëruar nga krerët e qeverisë së futbollit shqiptar, por shteti nuk e mori në asnjë moment në konsideratë ultimatumin që kishte dhënë FIFA dhe UEFA pas konfliktit mes MTKRS-së dhe FSHF-së të nisur prej disa vitesh tashmë. MbledhjaMbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s ka nisur dje pak pas orës 12:00 të mesditës dhe në rendin e ditës, kanë qenë pikërisht dy problemet kryesore. I pari, ndoshta dhe i rëndësishmi për FIFA-n, ishte konflikti mes shtetit spanjoll dhe Federatës Spanjolle dhe ai dyti, konflikti mes shtetit shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. FIFA pati paralajmëruar në një letër dërguar pak kohë më parë se në rast të mosplotësimit të tre kushteve, Komiteti Ekzekutiv i saj do të merrte masën ekstreme ndaj Shqipërisë e që do të thotë, pezullimin pa afat nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Vendimi Nga e thëna në të bërë. FIFA dje vendosi ta përjashtojë Shqipërinë, duke mos u lodhur më kot me ultimatume, pasi shteti shqiptar nuk bëri asnjë lëvizje për të plotësuar kërkesat e vëna nga organizmat ndërkombëtarë. Shqipëria për një kohë të papërcaktuar do të mbetet jashtë të gjitha aktiviteteve futbollistike ndërkombëtare. Në vendimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, shkruhet qartë se përjashtimi erdhi për shkak të ndërhyrjes së shtetit në futboll. Një vendim i cili kishte kohë që ishte lajmëruar është dhënë vetëm dje duke vënë përpara përgjegjësisë shtetin dhe konkretisht ministrinë e Sporteve për ndërhyrje të rënda në Federatën Shqiptare të Futbollit. Arsyet Vendimi për përjashtimin e Shqipërisë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të futbollit ka ardhur për tre arsye. Akuzat kundrejt presidenti të FSHF-së, Armand Duka për shitje të ndeshjeve kanë qenë një nga shkaqet për sjelljen e vendimit fatal të futbollit shqiptar. Arsyet janë bërë të ditura në letrën që dy sekretarët e përgjithshëm të FIFA-s dhe UEFA-s i kanë bërë Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s deklaron se ndërhyrjet e vazhdueshme të shtetit në FSHF, e cila ka të bëjë me bërjen e auditimit në veprimtarinë financiare të federatës, kanë vështirësuar situatën. Arsyeja e tretë e cila ka çuar në këtë vendim të rëndë për futbollin shqiptar ka qenë edhe çështja e statutit të FSHF-së, e cila është firmosur para dy javësh me disa ndryshime nga ministri Pango, por që FIFA ka kërkuar të firmosej pa bërë as më të voglin ndryshim.Arsyet sipas statutitPërgjegjës për pezullimin e një federate anëtare është Kongresi. Megjithatë, edhe Komiteti Ekzekutiv mund të pezullojë me efekt të menjëhershëm një federatë anëtare që seriozisht dhe në mënyrë të përsëritur dhunon detyrimet e saj të anëtarësisë. Pezullimi zgjat deri në Kongresin e ardhshëm, në rast se vetë Komiteti Ekzekutiv nuk e anulon në periudhën e ndërmjetme. Pezullimi duhet të konfirmohet në Kongresin e ardhshëm nga tre të katërtat e votuesve. Nëse nuk konfirmohet, pezullimi hiqet automatikisht. Një anëtar i pezulluar i humbet të drejtat e anëtarësisë. Anëtarët e tjerë të FIFA-s nuk lejohet të kenë kontakte sportive me anëtarin e pezulluar. Masa të mëtejshme mund të merren edhe nga Komisioni Disiplinor.Anëtarët që nuk marrin pjesë në të paktën dy kompeticione të FIFA-s në katër vite radhazi përjashtohen nga votimi në Kongres, deri sa të përmbushin detyrimet e tyre.
Ministrit Pango i thashë se po na merr në qafë”
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur keqardhjen e tij për përjashtimin e Shqipërisë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, ndërkohë që tha se e priste këtë vendim duke pasur parasysh edhe sjelljen e shtetit shqiptar. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Duka shpjegoi atë çfarë shteti duhet të bëjë që të mund të kthejë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. President, kur e morët vesh lajmin e përjashtimit?Fill pas përfundimit të mbledhjes dhe konferencës për shtyp të dhënë nga presidenti Blater. Më njoftuan me anë të një faksi për atë vendim. Si e keni përjetuar?Nuk ishte një ndjenjë e mirë, ju siguroj. Unë nuk kam eksperiencë për të tilla situata, por më erdhi shumë keq për këtë, pasi kam bërë maksimumin që ky vendim të mos merrej. Kam dhënë maksimumin për të bindur MTKRS-në që të realizonte kërkesat e FIFA-s, kam bërë maksimumin për futbollin. Jam përpjekur të bëj ç’është e mundur në rrugë zyrtare për t’i dhënë fund këtij konflikti, por nuk paska qenë e thënë që kjo të mbyllej pozitivisht. Çfarë detyre i lind FSHF-së në këto momente?Vendimi i pezullimit të Federatës Shqiptare të Futbollit nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s nuk është se lë detyra për Federatën Shqiptare të Futbollit, kjo nuk ka ardhur si rrjedhojë e mosplotësimit të kërkesave nga Federata Shqiptare e Futbollit, por nga Ministria e Sporteve për një ultimatum që ishte për t’u plotësuar deri më datën 20 shkurt për të fiksuar disa gjëra në lidhje me futbollin shqiptar të cilat ministria nuk i plotësoi asnjëherë dhe erdhëm në këtë vendim.Një ditë para mbledhjes së KE-së së FIFA-s, krerët e MTKRS-së deklaruan se nuk prisnin asnjë gjë të re, pasi për ta kjo çështje ishte e mbyllur. Si e shpjegoni këtë reagim? Kjo është e keqja, pasi ministria nuk e kuptoi në asnjë moment se u ishte dhënë një ultimatum dhe se kërkesat e FIFA-s duheshin realizuar sa më parë të ishte e mundur. Më vjen keq, pasi kemi pasur të gjithë kohën e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë. Ministria ka bërë vazhdimisht lojëra fjalësh, duke menduar se do t’ia hidhte FIFA-s e UEFA-s. I pata thënë Pangos se po na merrte në qafë. FIFA kërkoi firmosjen e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe regjistrimin e tij në gjykatë, gjë e cila nuk ka ndodhur edhe sot e kësaj dite për arsye sepse ai statut është firmosur nga ministri por me vërejte, dhe e dyta ne jemi në një konflikt gjyqësor me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo ministri ka kërkuar çregjistrimin e statutit tonë dhe nuk është tërhequr nga ky vendim. Ministri Pango duhet të jepte argumente në drejtim të akuzave që ka dhënë për institucionet e futbollit për trukim rezultatesh. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo çështje?Unë uroj që ne të rikthehemi sa më shpejt në familjen botërore të futbollit dhe ministria të kuptojë që kjo nuk është një lojë fjalësh, por detyra për t’u realizuar. Të kuptojë që duhet të respektojë një pavarësi reale të FSHF-së dhe jo një letër me justifikime. Ministria duhet të jetë e bindur që duhet të funksionojë kështu. Nëse ajo është e bindur se duhet të funksionojë ndryshe atëherë le të gjendet një zgjidhje ndryshe por të bëjë të mundur rikthimin tonë në familjen e futbollit botëror sepse unë mendoj se është utopi të luash futboll vetëm në shtëpi.Qeveria hesht për vendimin e FIFA-sQeveria ka qenë i vetmi institucion i cili ka heshtur ndaj vendimit të FIFA-s për të përjashtuar Shqipërinë nga të gjitha veprimtaritë futbollistike. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango është kontaktuar gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme nga gazeta për të reaguar lidhur me vendimin e fundit të FIFA-s, por ai nuk ka pranuar të japë asnjë koment. Rreth orës 23.00 ka qenë zv.ministri i këtij institucioni, Ekrem Spahiu, i cili i ka bërë të ditur gazetës së gjatë mbrëmjes përfaqësuesit e ministrisë kanë qenë të angazhuar në një takim pune dhe vetëm ditën e sotme pritet të ketë një qëndrim të këtij institucioni. Mesa duket vendimi i FIFA-s ka qenë i papritur për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, saqë kjo e fundit ka dashur shumë kohë për të përgatitur reagimin zyrtar. Ka qenë Kryeministri Berisha ai i cili më 30 nëntor të vitit të kaluar ka rihapur luftën mes qeverisë dhe Federatës duke akuzuar krerët e saj se kanë luajtur me flamurin kombëtar teksa kanë shitur dy ndeshjet e fundit. “Turpi që kanë bërë, aty është flamuri kombëtar, ajo nuk do të mund të kapërcehet, ç’është ai grup mafioz që shkelmon mbi flamurin që bën një amoralitet të madh në mes të Evropës si përfaqësuesi i kombit. Kam pritur një reagim shumë më të madh nga mediat dhe shoqëria civile, ai ishte një poshtërim, fyerje për tifozët e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët kanë ndjekur këtë futboll më me pasion se çdo gjë tjetër. Kanë skuqur me flamur kombëtar jo vetëm stadiumet e Shqipërisë, por edhe stadiumet e Evropës. Duhet të marrë përgjigjen më të rreptë”, u shpreh Kryeministri gjatë një interviste në TVSH. Deklarata e Berishës u kundërshtua ashpër nga FSHF-ja e cila mohoi të gjitha akuzat. Meta: Pango të japë urgjentisht dorëheqjen, Berisha larg duart nga futbolliKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka reaguar dje ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për të përjashtuar për një afat të pacaktuar Shqipërinë nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Në një prononcim për mediat kreu i LSI-së, i kërkoi ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango të japë dorëheqjen urgjentisht, si përgjegjës për vendimin e fundit të FIFA-s. Në të njëjtën kohë Meta i kërkoi Kryeministrit Berisha që t’i mbajë larg duart nga futbolli. “Lëvizja Socialiste për Integrim, i kërkon ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango të japë urgjentisht dorëheqjen nga kjo detyrë. Në të njëjtën kohë ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që t’i mbajë duart larg futbollit”, theksoi kreu i LSI-së, në një prononcim për mediat. Sipas Metës “ne kërkojmë që të hymë në NATO, kurse maxhoranca e Kryeministrit Berisha na nxjerr nga FIFA”. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë mjaft e ashpër edhe pak muaj më parë kur kryeministri Berisha akuzoi drejtuesit kryesorë të Federatës Shqiptare të Futbollit se kanë shitur dy ndeshjet e fundit eliminatore të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë. Akuzat e Kryeministrit Berisha pasuan mosmarrëveshjet e Federatës me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, të cilat çuan deri në përjashtimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Klosi: “Eshtë humbje e madhe”Ish-ministri i fundit socialist i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi dënoi politikën e ndjekur nga qeveria që çoi sipas tij në vendimin e FIFA-s. “Eshtë një humbje e madhe dhe e paralajmëruar, është një humbje e madhe e imazhit të vendit tonë në mënyrën më të paditur dhe injorante nga drejtuesit e ekzekutivit shqiptar, por me pasoja të rënda për të gjithë shqiptarët. Deklarata e Kryeministrit shqiptar pak kohë më parë për shkrirje të ekipit kombëtar duket se po bëhet realitet me vendimin e fundit të FIFA-s. Ishte pikërisht kjo që Kryeministri e kërkonte dhe e kishte shprehur. Ky vendim duhet të jetë një mësim i mirë për politikën dhe qeverinë që në vend të sulmojë sportin, ta mbështesë atë dhe të mos luajë e provokojë ndjenjat dhe ngjyrat kombëtare të të gjithë shqiptarëve, që sot e shohin identitetin e tyre kombëtar në sport jashtë çdo gare. Përplasja kokëfortë mes Ekzekutivit dhe Federatës së Futbollit ishte një kontradiktë 3-vjeçare, me një finale të paralajmëruar, pasi institucionet ndërkombëtare kanë të tjera parametra funksionimi”, tha Klosi.    Si qëndron çështja e SpanjësPërsa i përket Spanjës, sipas asaj që shkruhet në komunikatën e shtypit, FIFA vendosi të monitorojë situatën, duke i lënë një afat tetë mujor. Presidenti i FIFA-së, Sep Blater i kërkoi qeverisë së sapozgjedhur spanjolle të tërhiqet nga konflikti në mënyrë që Spanja të mund të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Evropian. FIFA kundërshton ndërhyrjet në futbollin spanjoll të kryeministrit Hoze Luis Rodriguez Zapatero, i cili fitoi zgjedhjet fundjavën e kaluar. “Presim që autoritet spanjolle të bashkëpunojnë me ne”, - tha Blater. – “Ata janë në procesin e krijimit të një qeverie të re, kështu që jam i sigurt se do ta mbyllin çështjen”. Qeveria spanjolle kërkon që federata e futbollit, së bashku me të gjitha federatat e tjera, të zhvillojë zgjedhje para nisjes së Olimpiadës së Pekinit, në gusht. Mandati i drejtuesve të federatës përfundon në nëntor, kështu që FIFA e cilëson këtë veprim si thyerje të statutit të saj. Situata në Turqi do të vazhdojë të monitorohet, pezullime mund të pësojnë Magadaskari, Kuvajti e Republika Domenikane, në rast se s’ndryshojnë qëndrim.Edhe Kosova në monitorim Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, është prekur paksa edhe çështja e Kosovës. Nuk dihet se çfarë mund të jetë përfolur në mbledhjen e djeshme nga anatarët e KE-së, por në komunikatën e bërë publike thuhej se administrata e FIFA-s do të ndjekë nga afër zhvillimet diplomatike në lidhje me një aderim të mundshëm të Kosovës. Që pas shpalljes së pavarësisë, drejtuesit e futbollit kosovar kanë qenë mjaft aktivë në këtë drejtim dhe kanë nisur procedurat për të bërë të mundur anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në organizmat më të larta. Përveç kësaj, FSHF-ja është caktuar nga ndërkombëtarët për të qëndruar sa më afër kosovarëve, në mënyrë që ta ndihmojë në rrugën drejt anëtarësimit. Mesa duket FIFA po përpiqet të jetë shumë e kujdesshme në këtë drejtim dhe nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap të nxituar, për të cilin mund të pendohet më pas. Gjithsesi, kjo çështje është trajtuar me prioritet nga FIFA.Kur Shqipëria përjashtohej nga FIFA në nëntorin e 1996Vendimi i dhënë dje nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s për përjashtim nuk është diçka krejt e re për futbollin tonë. Në fakt, është hera e dytë që futbolli shqiptar pezullohet nga FIFA, po për shkak të ndërhyrjeve të politikës në çështjet e FSHF-së. Hera e parë dhe e vetme ka ndodhur në nëntor të vitit 1996, në një situatë shumë të ngjashme me aktualen përsa i përket paralajmërimeve të njëpasnjëshme nga Zvicra dhe kokëfortësisë së zyrtarëve shqiptarë. Gjatë viteve 1995 e 1996, shteti ushtroi kontrolle të njëpasnjëshme në FSHF, ndërkohë që sekretarja e shtetit në Ministrinë e Sporteve, Marjeta Zaçe vendosi të shkarkonte Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Dervishin, i zgjedhur nga Komiteti Ekzekutiv. Shkarkimi i Dervishit ishte pika që mbushi Kupën dhe detyroi Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s të pezullonte menjëherë Shqipërinë, ndërkohë që pati zhvillime të ngjashme edhe me sekretarin e federatës së basketbollit, Stavri Bello, ç’ka solli reagimin e FIFA-s. Edhe pas përjashtimit, nga Zaçe vazhdoi e njëjta kokëfortësi, me justifikimin se Shqipëria është një vend sovran dhe FIFA nuk mund ta detyrojë në vendimet e brendshme. Për fat të mirë, ndërhyri menjëherë Kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Aleksandër Meksi. Brenda pak ditëve, Marjeta Zaçe u shkarkua nga detyra që mbante në Ministrinë e Sporteve, ndërkohë që nga ana e qeverisë shqiptare u njoftua organizmi drejtues i futbollit botëror se situata do të normalizohej dhe se FSHF do të gëzonte të drejtat e saj, pa iu cenuar pavarësia. Përpjekjet e Meksit gjetën mirëkuptimin e FIFA-s dhe në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv pezullimi u hoq dhe Shqipëria rifitoi sërish të drejtat e saj, si çdo federatë tjetër anëtare e FIFA-s. Kronologjia e një përjashtimi të paralajmëruarPezullimi i paralajmëruar i Shqipërisë nga FIFA e ka zanafillën që prej më tepër se dy vjetësh, kur ministri i atëhershëm i Sporteve, Bujar Leskaj, deklaroi e bëri publik konfliktin, me shprehjen e famshme të gozhdës që do të ngulte në murin e korrupsionit të FSHF-së. Nisma e Leskajt për auditim dhe më pas mosnjohja e zgjedhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të 27 shkurtit 2006 u konsideruan si një ndërhyrje në punët e futbollit nga ana e FIFA-s e UEFA-s, të cilat mbështetën fuqimisht FSHF-në. Paralajmërimet për masa të rënda për shkak të ndërhyrjes nisën që në janar 2006. Lufta rinis pas humbjes turpëruese të Kombëtares në Rumani, për të cilën Pango akuzoi direkt Dukën si trukues. Nga FIFA e UEFA erdhi menjëherë ultimatumi me tri pika, ku kërkohej vërtetimi i akuzave, ndërprerja e veprimeve kundër FSHF-së dhe firmosja e Statutit. Pango hodhi firmën në çastet e fundit të afatit të mëparshëm, por me vërejtje, çka nuk u pranua nga FIFA. Thirrjes së fundit për të firmosur Pango nuk iu përgjigj dhe rezultati është pezullimi i gjithë futbollit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›