Bregu: Emigrantët po na afrojnë me Evropën
• Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu theksoi në një seminar me temë “Të jetojmë së bashku”, organizuar në Londër, se emigrantët po afrojnë Shqipërinë me Evropën.Ministrja Bregu theksoi se mendimi i përgjithshëm që mbizotëron në vendet pritëse, është se emigrantët në përgjithësi dëmtojnë mirëqenien ekonomike të shoqërisë vendase; se ata bëhen barrë për buxhetin publik pasi paguajnë më pak taksa dhe kontribute ndërsa nga ana tjetër pretendojnë përfitime dhe shërbime sociale, por në të vërtetë studimet tregojnë të kundërtën. Duke u ndalur më specifikisht tek emigrantët shqiptarë, Bregu pohoi se ata janë integruar tashmë në shoqëritë e vendeve ku kanë emigruar, duke treguar dhe kapacitetet e tyre në nivele të larta administrative e akademike. “Janë pikërisht këta shqiptarë që kanë emigruar në Evropë të cilët po afrojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë me Evropën”, është shprehur ministrja. Gjatë qëndrimit në Londër ministrja Bregu pati një takim me Ministrin e Evropës në kabinetin e Kryeministrit Brown, Jim Murphy. Gjatë këtij bashkëbisedimi Murphy u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment të mirë të perspektivës evropiane të saj. “Progresi i Shqipërisë po bëhet i prekshëm nga instancat e Brukselit dhe kancelaritë evropiane. Mbështetja britanike nuk do të mungojë për Shqipërinë në proceset e saj të integrimit”, u shpreh ai.