Atentat pronarit të buzukut

Redi Dizdari, biznesmeni i qëlluar me armë
Pronari i një buzuku në Tiranë i shpëtoi një atentati, nga i cili mbeti i plagosur me katër plumba në trup. Biznesmeni Redi Dizdari u qëllua nga dy persona në afërsi të gjimnazit Partizani në kryeqytet, teksa ndodhej në lëvizje me makinë.Atentatorët kanë qëlluar shtatë herë me pistoletë në drejtim të 31-vjeçarit Dizdari, i cili është prekur nga katër prej plumbave, në shpatull, në vithe dhe në këmbë. Policia tha dje se pronari i një buzuku me muzikë tallava në Tiranë, nuk ka pësuar dëmtim në asnjë organ jetësor, ndonëse është goditur me katër plumba. Burime nga grupi hetimor thanë se Redi Dizdari ndodhej në sediljen e pasme të makinës së tij, me targë TR 4810 B, që drejtohej nga një mik i tij, i cili u ka shpëtuar plumbave. Policia ka marrë në pyetje në Spitalin Ushtarak biznesmenin e plagosur, si dhe mikun e tij, i cili është shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit. Nga deklarimet e tyre dhe provat në vendin e ngjarjes, policia tha dje se janë identifikuar autorët e ngjarjes, por emrat e tyre nuk mund të bëhen publikë për arsye hetimi. Menjëherë pas atentatit, janë ngritur edhe pistat e para hetimore dhe, sipas policisë, pista më e mundshme lidhet me ndonjë konflikt për femrat që këndonin e kërcenin në buzuk Bodrumi, në pronësi të Redi Dizdarit, që ndodhet në rrugën Thanas Ziko në Tiranë. Nga ana tjetër, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera, duke i lidhur me faktin se Dizdari është person me precedentë të mëparshëm penalë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 7 gëzhoja të kalibrit 9 milimetër, që dyshohet se i përkasin një pistolete, si dhe makinën me të cilët po udhëtonte biznesmeni në momentin që u plagos.
ATENTATI
Rreth orës 03:50 të mëngjesit të djeshëm, biznesmeni Redi Dizdari sapo kishte mbyllur lokalin e tij me muzikë tallava, në rrugën Thanas Ziko dhe bashkë me një mikun e tij ishte nisur me makinë drejt shtëpisë. Makina drejtohej nga shoku i biznesmenit, ndërsa Dizdari ndodhej në sediljen e parë. Në kohën kur makina me targë TR 4810 B ishte në lëvizje, në afërsi të gjimnazit Partizani, në Tiranë, dy persona kanë qëlluar në drejtim të automjetit shtatë herë me pistoletë. Katër nga plumbat kanë goditur 31-vjeçarin Redi Dizdari, dy në shpatull, në vithe dhe një në këmbë. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motor, ndërsa miku i biznesmenit ka lajmëruar menjëherë në sallën operative të policisë së Tiranës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.4, si dhe oficerë të Krimeve të Rënda, të cilët bënë të mundur këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke administruar provat. Dizdari është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe mjekët i kanë hequr nga trupi katër plumbat. Sipas mjekëve, fatmirësisht asnjë prej predhave nuk kishte dëmtuar organet jetësore të 31-vjeçarit dhe ai nuk ka asnjë rrezik për jetën.
Dizdari me kokainë, vëzhgohej për drogë
Pronari i lokalit me muzikë tallava, Redi Dizdari, i ka shpëtuar atentatit, duke mbijetuar edhe me katër plumba në trup, e megjithatë nuk i është shmangur dot procedimit penal për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij pas plagosjes, i është gjetur një dozë lëndë narkotike e llojit kokainë, të cilën Dizdari e ka justifikuar me faktin se është përdorues. Megjithatë, policia ka nisur procedim penal ndaj tij, duke mos kryer arrestin, për shkak të rrethanave të ngjarjes. Nga ana tjetër, Dizdari mësohet se mbahej në vëzhgim nga policia, pasi dyshohet se merrej me shitje lëndësh narkotike. Mësohet se 31-vjeçari ka edhe precedentë të mëparshëm penalë. Më 17 janar të vitit 2011 ai u arrestua, pasi gjatë një kontrolli në lokalin e tij iu gjet një automatik Kallashnikov me 30 fishekë.
ETLEVA DELIA