E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit në Tiranë, Apeli lë në burg dy bashkiakët

TIRANE Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë arrest me burg për një inspektor të Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkisë Tiranë, si edhe të një polici bashkiak të akuzuar për korrupsion. Dy ditë më parë, togat e zeza të Apelit lanë në fuqi vendimin e 25 marsit të Gjykatës së Tiranës për të dyshuarit Adem Cenmurati dhe Agustin Lekgegaj. Sipas këtij vendimi, ata duhet të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Apelit, pasi u njoh me pretendimet e palëve, vlerësoi se nuk kishin ndryshuar kushtet për të ndryshuar më pas masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve. Cenmurati dhe Lekgegaj u arrestuan afro dy javë më parë, për akuzën e korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike. Sipas prokurorisë, ata dyshohet se janë të përfshirë në një skemë korrupsioni në lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit. Prokuroria i fakton akuzat e saj me përgjime ambientale, fotografime, si edhe përgjime telefonike. Sipas hetimeve, aludohet se të dyshuarit i kanë kërkuar një shumë prej 2500 eurosh një banori të Saukut, për ti favorizuar atij një ndërtim pa leje. Nga i njëjti hetim u arrestuan Ylli Bala dhe Simon Braholli, për të cilët Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje.      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›