E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Njesispeciale permanipulimet e PD

Kryesocialisti Edi Rama, njëherësh kandidati për Bashkinë e Tiranës, deklaroi dje se PS-ja ka marrë “masa speciale për të mbrojtur votat nga manipulimi” në zgjedhjet e 8 majit. Rama ka zbuluar se është duke u krijuar një dosje me shkeljet e vëna re, e cila veç OSBE-së, do t’i dorëzohet edhe Prokurorisë. Ndërkohë ai ka folur për projektet që ka për Tiranën, gjatë emisionit “5 pyetjet nga Babaramo”, në “News24”. Sipas tij, puna në krye të Bashkisë së kryeqytetit është bllokuar qëllimisht nga qeveria e Saliut, siç tha ai, bllokim i cili iu faturohet qytetarëve.
Zoti Rama, përse kaq e tensionuar kjo fushatë?
Po të shohësh hartën e këtyre incidenteve dhe natyrën e tyre, kupton se ka një panik, një panik që është paniku i pushtetit, i cili për fat të keq nuk po tregon qetësi në administrimin e një procesi, ku qeveria ka absolutisht përgjegjësinë e plotë për mbarëvajtjen dhe ku i takon qeverisë të garantojë ndarjen e qartë mes shtetit dhe pushtetit, gjë që nuk ndodhi në 2009-në, gjë që nuk po ndodh as sot. Shteti mbetet një mekanizëm që pushteti e vë në lëvizje edhe në procesin zgjedhor, përveçse në të gjithë procesin qeverisës, ku nëpunësit, mësuesit, deri edhe policët vendosen deri në presion të rëndë psikologjik për t’u sjellë si ushtarë.
A garanton infrastruktura zgjedhore zgjedhje të mira?
Sigurisht që ka një sërë aspektesh të kësaj infrastrukture që do të duhej të ishin trajtuar dhe që ka një sërë elementësh që do të duhej të ishin garantuar. Nuk ka ndodhur dhe kjo e shumëfishon barrën e përgjegjësisë mbi supet e Saliut dhe pushtetit.
Çfarë duhet të ishte garantuar?
Duhej të ishte garantuar një transparencë e plotë e listave të zgjedhjeve. Nuk ka ndodhur. Duhej të garantohej transparenca në identifikimin e zgjedhësve. Transparencë e plotë në procesin e numërimit, nuk ka ndodhur. Duhet të ishte bërë një transparencë e plotë në procesin e zgjedhjeve. Kam parasysh KQZ-në. Ai komision drejtohet nga një drejtues që ngjan me një gangster sesa me një zyrtar.
A janë në rregull listat, nëse i keni verifikuar...?
Unë dua të them se ne kemi marrë masa speciale, duke u nisur nga eksperienca e 2009-ës, dhe duke pasur parasysh që të gjitha këto domosdoshmëri në garancitë për procesin zgjedhor t’i adresojmë me një organizim të sofistikuar në të gjitha nivelet, gjë që po e bëjmë dita-ditës. Edhe për listat ne kemi një organizim tonin, një strukturë investigimi të këtyre listave dhe të gjitha lëvizjeve të bëra në këto lista. Kemi identifikuar një listë personash me emër e mbiemër që janë vënë në dispozicion të manipulimit të këtyre listave. Po bëjmë gati një dosje, të cilën do t’ia çojmë Prokurorisë dhe ndërkohë po përgatitemi që në rast se këta njerëz do të shfaqen në këtë proces zgjedhor, do të ballafaqohen me të vërtetën, si personazhe që janë bërë pjesë e një procesi të shkeljes së ligjit në funksion të interesave të pushtetit.
Ku ka ndodhur, cilat janë zonat e verifikuara?
Ne po vazhdojmë identifikimet. Kemi një listë personash të identifikuar si shkelës ligji, që vazhdojnë banojnë diku tjetër dhe në listë shfaqen si votues aty ku nuk banojnë. Këto do ia bëjmë me dije edhe publikut, OSBE-së dhe Prokurorisë.
Askush nuk do të mund të përmbysë vullnetin e zgjedhësve në 8 maj, sepse masat janë marrë të plota për t’u përballur sy për sy e dhëmb për dhëmb me pushtetin në rast se do të vihen re këto manipulime.
Si e gjykoni qëndrimin e ndërkombëtarëve?
Nuk shikoj asnjë gjë të veçantë në këtë veprim dhe nuk kam asnjë koment.
Ju duket qëndrim i paanshëm nga ana e tyre?
Ndërkombëtarët, miqtë dhe partnerët e këtij vendi kanë rolin e tyre dhe bëjnë atë që munden në raport me këtë vend. Nuk janë këtu as për të qeverisur vendin, as për të bërë opozitën e qeverisë. Nuk janë këtu për të ndërtuar vendin.
Për sa më takon, unë e shoh krejtësisht normale atë që ata bëjnë ose nuk bëjnë.
Ju keni zgjedhur një profil politik në këto zgjedhje, ndryshe nga maxhoranca dhe kryeministri Berisha...?
Në Kombinat, më la mbresa shprehja e një gruaje, kur foli për atë shprehjen “ju jeni të parët”. Dhe tha se ne jemi të parët për të ngrënë dajakun e qeverisë. Është shumë vonë për këtë pushtet që t’u thotë qytetarëve ‘ju jeni të parët’. Ky pushtet i ka vjedhur votën për të vjedhur Shqipërinë dhe i ka vrarë për t’i vjedhur. Pikëpamja jonë është se këto zgjedhje janë thelbësisht politike.
Rruga e tyre është e materializuar në territor dhe këtu flasim për zgjedhje që kanë të bëjnë direkt me territorin, është një rrugë qorre dhe pa asnjë qëndrueshmëri në kuptimin urban, në kuptimin social, në kuptimin ekonomik. Është rruga e një kuturisjeje dhe e improvizimeve ditë pas dite, bazuar në shfrytëzimin barbar të territoreve të vendit dhe në një shpenzim tërësisht pa asnjë plan të parave të publikut, ndërkohë që rruga jonë është rruga e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, urban, rruga e një zhvillimi shumë të kthjellët.
Nuk ka qeveri dhe kryeministër në botën e zhvilluar që të sorollatet nëpër territorin e vendit të tij dhe të flasë për 300 km, atje, 600 atje, sepse kjo nuk është një punë e qeverisë.
Një kryeministër që nuk i thotë dot njerëzve se sa vende të reja pune ka hapur, se sa ka rritur fuqinë blerëse, po u flet për asfalt; është një personazh që i takon një qasjeje primitive dhe të papranueshme ndaj problemeve të vendit dhe ndaj detyrave që ka qeveria.
Ka dyfishuar rrogat e pensionet?
Janë rritur vërtet, po sa herë më shumë është shtrenjtuar jetesa. Sa blihet më pak, sa janë rritur çmimet në treg, sa janë rritur faturat që u futen njerëzve nën derë! Sfida e një qeverie për këtë vend është se ajo do të duhej ta përfaqësonte këtë vend, që sot është i kyçur në kurthin e papunësisë. Kjo qeveri, njeriun e implikuar drejtpërdrejt si përgjegjës që vrau 4 njerëz në bulevard, e kandidon për kryetar të bashkisë, ndaj është shëmbëlltyrë e një degjenerimi moral dhe politik, të cilën qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë duhet ta refuzojnë me një votë plebishitare në rast se nuk duan të fyejnë inteligjencën e tyre, duke pranuar kokulur një regjim që sot ka vetëm një shpresë, kalljen e frikës në zemrat e njerëzve, duke i kërcënuar me bukën e gojës.
Slogani që ju keni zgjedhur “E vetmja rrugë”, a është një ligjëratë totalitare?
Ne flasim për çështje konkrete. Cila është rruga për të luftuar papunësinë; PS dhe Aleanca për të Ardhmen. Cila është rruga për të rritur fuqinë blerëse? Rritja e konkurrencës bëhet vetëm përmes një rruge. Pra e vetmja rrugë është PS-ja. Rruga tjetër është rruga e mbylljes së shtigjeve të konkurrencës.
Në këtë fushatë keni shtuar dozat e negativizmit, një taktikë që e ndoqi edhe Nano dhe u përpoq t’i trembte shqiptarët me ‘gogolin Berisha’. A mendoni se mund të keni të njëjtën përvojë?
Ky krahasim s’ka as kokë, as këmbë. S’kemi rritur asnjë dozë negativizmi. Ne po flasim me qytetarët me gjuhën e të vërtetës, e të vërtetës së hidhur, e vrasjes së qytetarëve të pafajshëm në bulevard, gjë që ka diktuar dorëheqjen në Tunizi të Ben Ali. Ndërkohë që këtu ai ministër sorollatet nëpër Tiranë për të kërkuar mandat. Është e vërteta e hidhur e kusarisë me bllok në dorë dhe me llogarira të hapura me një popull të tërë që po vuan padrejtësinë, ndërkohë që oborri i këtij pushteti pasurohet në kurriz të tij. Mos na fut në biseda për njerëz që nuk ekzistojnë në kuptimin politik të fjalës. Ajo që ne po tregojmë përditë është vizioni ynë. Aty ku ne qeverisim ka njerëzillëk. Nuk ka dasi, urrejtje, mllef dhe nuk ka ndarje të njerëzve në tanët dhe të atyre. Nuk ka administrata që mbahen nën dhunë dhe presion. Ne po e bëjmë prezent programin tonë.
Kandidati i PD-së për Tiranën ka treguar se ka integritetin e vet, përmes disa deklaratave ndryshe nga qeveria dhe kryeministri Berisha. Si e vlerësoni?
Ai s’është as vegla e Saliut. Ai nuk ekziston. Është Saliu në një përpjekje për të pushtuar Tiranën dhe për t’i bërë atë që i ka bërë Shqipërisë. Këtë qytetarët e Tiranës nuk e pranojnë dhe për këtë do t’i japin mesazhin e qartë në 8 maj, por të jeni të bindur se një mesazh të qartë do të marrë nga e gjithë Shqipëria edhe atje ku nuk ia pret mendja.
Ju akuzojnë se mandati juaj i fundit ka qenë dështim?
Unë nuk e di kush e mat suksesin apo mossuksesin. Ata që diskutojnë çështjen e kohës, nuk e kanë idenë as të punës që unë bëj dhe as të energjive të posaçme që unë kam për të bërë natën ditë për të punuar. Tirana ka pasur një ngërç, por ky nuk e ka ndalur zhvillimin e Tiranës, nuk na ka ndalur zhvillimin, nuk na ka dështuar objektivat tanë parësorë, por ka krijuar një ulje të shpejtësisë sonë të zhvillimit, sepse në vitin 2009, pas zgjedhjeve të vjedhura dhe me krijimin e koalicionit të turpit, këshilli bashkiak u mor peng. Votat e qytetarëve të Tiranës, për të marrë nga bashkia ato investime e që meritonin, u kaluan në krahun tjetër, në krahun që ka 10 vjet që nuk bën asgjë tjetër veçse të funksionojë si çekiç pneumatik që të shtypë qytetin e Tiranës.
Cili është bilanci i mandatit tuaj të tretë?
Mund të rendis aq shumë sa s’do mjaftonin 55 emisione. Pavarësisht pengesave kemi ndërtuar shkolla të reja, qendra të reja sociale, kemi transformuar parkun e liqenit dhe pse jemi bllokuar në pjesën tjetër. Saliu thotë ‘do t’ju hipotekojmë pallatet e pahipotekuara’, ndërkohë që prej 2008 të gjitha hipotekat janë depozituar te zyrat e Shaban tapive. Pra këtë e ka penguar qeveria. ‘Do të bëjmë tramin’, thotë Saliu. Cilin tram? Tramin që e ka refuzuar, linjën e parë të tramit që është nga Universiteti Politeknik te Stacioni i trenit!? Do të ulim 82 taksa. Nuk ka 82 taksa. Ju paguani 2 taksa, taksa e gjelbër ishte një taksë e përkohshme që ka pushuar së qeni këtë vit.
A i keni përcaktuar fazat e punës suaj?
Largimi i Saliut është faza e dytë dhe transformimi i Tiranës është tërësisht i gatshëm, i shkruar në programin tonë, i përkthyer në një hartë veprimesh dhe i detajuar në elementë për çdo projekt të rëndësishëm që kërkon thjesht vullnetin e qytetarëve me votë. Dhe unë jam i bindur që ky vullnet nuk do të mungojë.
Si e gjykoni fushatën e zotit Basha?
Nuk ka një gjë të tillë. Është Saliu dhe kaq. Nuk ka një fushatë që mund të quhet fushata e zotit në fjalë.
Në facebook ekziston dhe ka trefishin e miqve tuaj?
Në faqen tonë të facebook-ut janë të gjithë miq prej vërteti dhe nuk janë as numra dhe as sajesa. Po kjo s’ka asnjë rëndësi.
A mendoni se e keni vjedhur idenë e tij për tramin?
Trami është i vizatuar në planin e parë të qendrës së Tiranës dhe strategjia jonë për tramin është e shkruar dhe pastaj e materializuar në planin tonë rregullues në vitin 2008. Këtu ka vetëm një gjë që mund të nënvizohet si kontribut i palës tjetër, bllokimi dhe fshirja e projektit të tramit nga rikonstruksioni i sheshit kryesor të Tiranës. Janë ata që vodhën tramin.
Jeni akuzuar për betonizim të Tiranës me lejet e ndërtimit...
Edhe për lejet e ndërtimit është shfryrë një baltë e përmasave kolosale, ndërkohë që janë disa të vërteta të thjeshta që janë dhënë 926 leje ndërtimi në këto vite në Tiranë. Vetëm 1% është betonizuar me lejet tona në këto vite. Dhe në këto 926 kanë marrë pjesë 1 mijë investitorë. Flitet për salillëqe të turpshme. Kanë marrë pjesë 400 e ca kompani, kanë përfituar 10 mijë pronarë. Nga këto leje ndërtimi ka përfituar qeveria, buxheti i shtetit dhe qyteti.
Cilat janë projektet tuaja?
Kemi një sërë projektesh, duke filluar nga qendra e re e Tiranës, që është tek stacioni i vjetër i trenit, ku synojmë një transformim tërësor dhe një tjetër park për Tiranën. Është projekti i lumit Tirana. Është projekti i ‘Tram Tiranës’ që do të vazhdojë, sepse edhe vendosja e autobusëve të rinj është pjesë e transportit të integruar dhe shpresoj shumë që me vullnetin e qytetarëve dhe me ndihmën e Zotit, ne të jemi në gjendje të hapim kampusin e madh universitar. Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kasharit, Paskuqanit, ta shikojnë votën e 8 majit si votë për zhvillim të integruar.
(Intervista eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›