E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati, Topi thërret kryeprokuroren dhe kreun e SHISH

Në këtë takim me drejtues të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar, Presidenti Topi kërkoi një informacion të detajuar mbi zhvillimet e deritanishme që i përkasin ngjarjes tragjike të vrasjes në Vlorë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Pasi dëgjoi me vëmendje Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e SHISH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Presidenti i Republikës kërkoi angazhimin maksimal të këtyre institucioneve dhe strukturave të tjera vartëse për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve si dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë.

Edhe një herë në këtë takim, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se një ngjarje e tillë, që ka tronditur sot gjithë opinionin publik, është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit si garant i vendosjes së drejtësisë në vend, ndaj dhe për këtë duhet një bashkëpunim shumë profesional dhe i efektshëm mes institucioneve përkatëse për të zbuluar shkaqet dhe gjetur autorët e këtij akti makabër.

Presidenti i Republikës inkurajon të gjithë punonjësit e zbatimit të ligjit që të kryejnë me guxim e profesionalizëm detyrën e tyre fisnike në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-09 14:27
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›