E Hënë, 2 Nëntor 2026

Atentati me katër të plagosur në Tiranë – Autorët u gjurmuan deri në Elbasan, tre pista për ngjarjen

Dy ditë nga ngjarja e rëndë, ku katër persona mbetën të plagosur si pasojë e një atentati të regjistruar në afërsi të Lundrës, Policia e Tiranës ende nuk ka mundur që të identifikojë autorët.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se gjurmimi i tyre është arritur që të përftohet deri në Elbasan, ku nga autostrada mjeti tip motor është futur në disa rrugë rurale e më pas ka humbur çdo gjurmë.

Të dhënat nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se vështirësia është e lartë për zbardhjen e identikitit të autorëve, pasi errësira dhe reshjet e shiut, por edhe kamuflimi i autorëve, ka qenë i lartë, ndërsa ka dyshime se autorët janë vrasës me pagesë.

Këta të fundit me një motor qëlluan në lëvizje automjetin me të cilin po udhëtonin personat e lënduar, dhe më pas janë larguar me shpejtësi drejt Elbasanit.

Një ditë pas ngjarjes, grupi hetimor ngriti dyshime se autorët ngatërruan objektiv dhe se objektiv ka qenë gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u ekzekutua po të njëjtën ditë në Lezhë.

Pista e dytë që po hetohet nga ekspertët është ajo e fajdeve nga familja Demiraj, ku ka dyshime se ata mund të jenë përfshirë.

Pista e tretë ka të bëjë me elementë të botës së krimit, të cilët ka dyshime se jetojnë në këtë zonë.

Burimet e policisë saktësojnë se një pjesë e konsiderueshme e tyre po verifikohen se ku kanë qenë në momentin e atentatit, pasi mund të kenë qenë shënjestër, por edhe autorë të mundshëm.

Kamerat e sigurisë që janë administruar nga grupi hetimor kanë treguar se autorët e ndoqën automjetin G Class dhe e qëlluan me breshëri automatiku, ndaj dhe mbetën të plagosur katër persona, dy prej të cilëve janë dërguar jashtë vendit për kurim më të specializuar.

Një 17-vjeçar dhe një 11-vjeçar ishin dy të plagosurit me gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të plagosurit e tjerë Arens S., 34-vjeç dhe Kian M., 19 vjeç, janë në gjendje të stabilizuar.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›