Atentati mikut të Shullazit, 25 të shoqëruar në polici

Pajtim Serjani, miku i Shullazit
Pajtim Serjani e Gilmando Dani, sherr me armë për futbollin në 2004.
Rreth 25 persona janë shoqëruar në Policinë e kryeqytetit pas atentatit me armë zjarri të ndodhur në Yzberisht ndaj shtetasit Pajtim Serjani, i njohur si mik i Emiljano Shullazit. Shoqërimet në kuadër të këtij hetimi janë kryer nga policia bazuar në informacionet e saj operative, pasi 30-vjeçari nuk ka përmendur ndonjë person të dyshuar për autorësinë e sulmit me armë të kryer ndaj tij pas mesnatës së të enjtes. Pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Yzberishtit, pranë pallatit ku banon shtetasi Pajtim Serjani, janë kryer një numër veprimesh hetimore, përfshi edhe shoqërimin e disa të dyshuarve dhe personave me dijeni për ngjarjen, thanë burimet e Policisë. Sipas tyre, personat në fjalë u shoqëruan mbi bazën e informacioneve dhe dyshimeve të grupit hetimor, pasi vetë personi që dyshohet se ka qenë shënjestër e atentatit nuk ka orientuar asnjë dyshim te persona konkretë. Ai madje i ka mëshuar më tepër qëndrimit se nuk ka pasur asnjë lidhje me të shtënat dhe se goditja e makinës së tij nga dy predha arme zjarri ka qenë krejt rastësi. Nga ana tjetër, policia dyshon se ngjarja ka të bëjë me miqësinë e ngushtë mes shtetasit Pajtim Serjani dhe shtetasit Emiljano Shullazi, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, duke u gjykuar për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Kjo është pista kryesore e hetimit, ndërsa policia thotë se nuk ka ende ndonjë person të dyshuar.
Miqësia me Shullazin
Policia ka siguruar informacion se Pajtim Serjani ka një njohje të hershme me Emiljano Shullazin dhe rrethin e tij shoqëror, përfshi edhe bashkëpunëtorin më të afërt të tij, Gilmando Danin. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, Serjani ka një precedent në vitin 2004, më 29 prill të atij viti, kur ka marrë pjesë në një ngjarje bashkë me Gilmando Danin, aktualisht i arrestuar së bashku me Shullazin. Më 29 prill, rreth orës 21:00, në një kompleks sportiv në fshatin Vaqarr, Tiranë, shtetasi Klodian M. me disa shokë të tij kanë qenë duke luajtur futboll me një ekip tjetër, ku bënin pjesë edhe të pandehurit Gilmando Dani dhe Pajtim Serjani, thuhet në vendimin e Gjykatës, që e ka dënuar Serjanin me 6 muaj burg asokohe. Sipas Gjykatës, gjatë lojës, lojtarët e të dyja ekipeve janë grindur duke përdorur fjalë fyese me njëri-tjetrin dhe kanë ndërprerë lojën. Ekipi ku merrnin pjesë të pandehurit Pajtim Serjani dhe Gilmando Dani janë larguar, ndërsa ekipi tjetër ka qëndruar në kompleks. Pas 15 minutash nga largimi i tyre, të pandehurit Pajtim Serjani dhe Gilmando Dani janë rikthyer me një makinë tip Benz, me targë TR 2202 J. Kur kanë dalë nga makina, i pandehuri Gilmando Dani ka nxjerrë në mënyrë demonstrative një pistoletë, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente dhe së bashku me të pandehurin Pajtim Serjani janë drejtuar për te vendi ku qëndronte shtetasi Klodian M. Ky i fundit, kur ka parë këtë skenë, ka ikur me vrap dhe është larguar nga kompleksi. Më pas ai është larguar në drejtim të fushave të Vaqarrit, duke u ndjekur nga të pandehurit Pajtim Serjani dhe Gilmando Dani, ky i fundit në momentin që shtetasi Klodian M. po kapërcente rrethimin e kompleksit, ka realizuar dy të shtëna në ajër me pistoletën që e mbante në dorë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, shtetasit Pajtim Serjani dhe Gilmando Dani janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka bërë të mundur vetëm arrestimin e shtetasit Pajtim Serjani, i cili ka shprehur pendim të thellë për veprën e kryer dhe ka shpjeguar se qëllimi i tyre ishte që të kapnin dhe rrihnin të dëmtuarin Klodian M. për shkak të fyerjes së rëndë që ai u kishte bërë, ndërsa për të pandehurin Gilmando Dani është zhvilluar gjykimi në mungesë. tr.so
Konflikti
Në dhjetor të vitit 2009, shtetasi Pajtim Serjani me dy persona të tjerë kanë pasur një konflikt me armë me policinë në zonën e Selitës në Tiranë. Policia tha se Serjani dhe personat e tjerë në një makinë nuk i ndaluan patrullës së policisë dhe më pas, gjatë ndjekjes, pati të shtëna armësh. Nga ana tjetër, Serjani dhe dy shtetasit e tjerë që ndodheshin në automjet e akuzuan policinë për ushtrim dhune e keqtrajtime gjatë shoqërimit në komisariat, pas incidentit që kishte ndodhur me armë zjarri në periferi të Tiranës.
Atentatet
Miqtë e Emiljano Shullazit, me sa duket, janë vënë në shënjestër
të sulmeve me armë. Më 25 qershor të vitit të kaluar, në afërsi të banesës së tij, i shpëtoi një atentati me armë Gilmando Dani. Ai u qëllua disa herë, por arriti të shpëtojë me gërvishtje të vogla si pasojë e manovrimeve në vendngjarje. Pak javë më parë, në Rrugën e Kavajës në Tiranë u vra Arlind Fuga. Ky person njihej prej kohësh si mik i Emiljano Shullazit e madje strehues i tij me anë të disa banesave. Fuga u qëllua gjashtë herë me armë zjarri pasi kishte dalë nga një kafene ku ishte takuar me vëllain e tij.