E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol shefit të Krimeve në Burrel: E kam për shkak të detyrës

Shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Burrelit, Sami Neli

Shpërthimi i dëmton banesën, 6 familjarët zgjohen në panik afër mesnatës. Terrorizohen banorët.

Sami Neli: Për shkak të detyrës, nuk kam konflikte me askënd.

Tritol banesës së shefit të Krimeve të Rënda në Policinë e Burrelit. Familja e Sami Nelit është ngritur e terrorizuar si pasojë e një shpërthimi të fortë rreth orës 23:30 të së premtes. Persona ende të paidentifikuar kishin vendosur një sasi të konsiderueshme lëndë eksplozive rreth 4-5 metra larg murit të pasmë të banesës njëkatëshe që ndodhet në periferi të lagjes Pjetër Budi në qytetin e Burrelit. Kreu i Krimeve të Rënda njoftoi menjëherë kolegët e tij, të cilët nuk vonuan të mbërrijnë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para, grupi i punës konstatoi se lënda e vendosur ishte mbi 300 gramë tritol. Mësohet se hetimet për ngjarjen që tronditi qytetin po udhëhiqen nga kreu i Policisë së Burrelit, Gjovalin Martincamaj, dhe se hetimet janë përqendruar kryesisht në pistën e sulmit me lëndë shpërthyese për shkak të detyrës që mban Neli.
Fatmirësisht, shpërthimi nuk lëndoi asnjë nga pjesëtarët e familjes, por shkaktoi dëme të mëdha materiale në banesë, pasi janë shkatërruar dyer e dritare, ndërsa muret pësuan plasaritje të konsiderueshme. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se sasia e tritolit që ishte vendosur fare pranë shtëpisë njëkatëshe, ka hapur një gropë afro 2 metra të gjerë dhe mbi 50 cm të thellë. Familjarët, por edhe fqinjët e tyre, janë zgjuar të tmerruar nga shpërthimi i fortë. Në momentin e shpërthimit unë dhe 5 pjesëtarët e tjerë të familjes ndodheshim në gjumë. Rreth një orë para ngjarjes kisha lënë punën në Komisariat. Pas darkës u shtrimë të gjithë për të fjetur. Vajza ime me dy fëmijët e saj dhe djali qëndronin në njërën dhomë, unë e bashkëshortja në dhomën tjetër. Në momentin e shpërthimit u zgjova menjëherë, pasi pati tronditje të fortë shtëpia. Nuk po kuptoja çfarë ndodhi, por pashë dyert e dritaret që kishin rënë. Shkova menjëherë te dhoma e fëmijëve për të parë nëse ishin mirë. Ata ishin të tmerruar. Pasi u garantova se nuk kishin problem njoftova kolegët e mi për ngjarjen, kështu u shpreh dje kreu i Krimeve të Rënda në Policinë e Burrelit, Sami Neli. Ai mohoi të ketë konflikte me persona të tjerë, ndërsa hedh dyshimet se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e tij. Mendoj se kjo ngjarje lidhet vetëm me punën time funksionale. Ngjarja në gjykimin tim nuk ka lidhje me asnjë problem tjetër, pasi unë nuk kam probleme personale me asnjë qytetar të Matit. Njerëz të botës së krimit duan të godasin Policinë, u shpreh më tej Neli. Shefi i Komisariatit të Burrelit, Gjovalin Martincamaj, u shpreh se pista kryesore e hetimit ka të bëjë me detyrën e Nelit. Por, ai nuk përjashtoi edhe pista të tjera, të cilat për shkak hetimi nuk bëhen të ditura. Dje pasdite, familja Neli ka kryer riparimet e dëmeve të shkaktuara.

Fqinjët: Menduam se kishte viktima
Fqinjët e Sami Nelit pohuan se shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe se ka ngjallur frikë të madhe te banorët e lagjes, pranë ish- SMT-së Burrel. Ata pohuan se kishin marrëdhënie mjaft të mira me familjen e shefit të Policisë dhe nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti të hapur të tij. Jemi zgjuar të frikësuar, pasi shpërthimi ishte mjaft i fortë dhe menduam se mund të kishte shkaktuar viktima. Shteti duhet ti vërë para ligjit autorët e kësaj ngjarjeje kriminale, u shpreh njëri nga fqinjët e Nelit.

Neli, prej 2005 në Policinë e Burrelit
Shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Burrelit është i vjetër në profesionin e tij. Ai ka punuar prej disa vitesh në rrethe të ndryshme të vendit, ndërsa prej vitit 2005, ka marrë detyra të ndryshme në Komisariatin e Burrelit. Gjatë këtyre viteve, mësohet se Neli nuk ka pasur konflikte të hapura me persona të tjerë, ndonëse për shkak të detyrës i është dashur të përballet me elementë të ndryshëm kriminalë. Për këtë shkak edhe vetë i dëmtuari dyshon se ngjarja ka lidhje me detyrën e tij.

Njoftohet Ministria: Gjeni autorët
Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së premtes ka vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Brendshme. Pasi janë informuar për ngjarjen, zyrtarë të Ministrisë kanë urdhëruar që kjo ngjarje të hetohet nga ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të qarkut, përfshirë ata të Dibrës e të Burrelit, në mënyrë që të kapen autorët. Aktualisht janë shoqëruar disa persona si të dyshuar për ngjarjen, por pasi janë marrë në pyetje ata janë lënë sërish të lirë.

BURREL/ HASAN PASHA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›