Sekuestrohen në Janinë 300 kg drogë Lazarati

Sasia e lëndës narkotike që u bllokua nga Policia e Janinës
Operacioni i përbashkët policor. Kamerat termike fiksuan trafikun.
Arrestohen tre shqiptarë dhe një çift grek.
Pesë të arrestuar, prej të cilëve tre shqiptarë e një çift grek, si dhe rreth 300 kg kanabis është bilanci i dy operacioneve të përbashkëta të Policisë së Gjirokastrës dhe asaj të Janinës. Operacioni ka nisur mbrëmjen e së premtes nga Policia e Gjirokastrës, e cila ka vëzhguar veprimtarinë e dy grupeve të rrjetit ndërkombëtar të drogës nëpërmjet kamerave termike. Kamerat kanë siguruar pamje të qarta të veprimeve në fshatin Lazarat, ku janë ngarkuar sasitë e drogës. Më pas, droga ka kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër, nga ku destinacion përfundimtar dyshohet se ishte Athina.
Mëngjesin e së shtunës, forcat e Antidrogës në Policinë e Janinës sekuestruan fillimisht 130.5 kg marijuanë, e cila u gjet në bordin e një automjeti të drejtuar nga një shtetas shqiptar. Sasia ishte e ndarë në 121 pako të mbështjella me letër ngjitëse transparente. Sipas Policisë, mjeti i drejtuar nga 26-vjeçari R.T., po udhëtonte në drejtim të Janinës, kur në km e 5-të nga Kakavija në drejtimin jugor në kthesën e fshatit Dholana është sinjalizuar që të ndalonte. Në këtë moment, i riu nga Përrenjasi ka shtuar shpejtësinë për ti shpëtuar ndjekjes së Policisë greke. Por, për shkak të shpejtësisë së madhe, në kthesën e fshatit Kalpaqi, rreth 30 km në veri të qytetit të Janinës, makina është përplasur me portën hyrëse të një restoranti. Shoferi u prangos menjëherë, ndërsa miku i tij që qëndronte në sediljen e parë, 20-vjeçari Artan L., ka mbetur pa ndjenja si pasojë e dëmtimeve serioze në pjesën e kokës. Ai është dërguar me urgjencë drejt spitalit Haxhikosta në Janinë, për tiu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mësohet se një pjesë e mirë e copave të xhamit të parë që u thye nga përplasja, i kishin prekur pjesën e majtë të kokës, duke i shkaktuar hemorragji të madhe deri në rrezik për jetën. Mjeti me marijuanë vëzhgohej nga larg nga një tjetër makinë që shërbente për pastrimin e rrugës nga kontrollet dhe postblloqet policore. Dëshmia e drejtuesit 26- vjeçar R.T. tregoi se vrojtues të marijuanës ishin një çift grek, 49 dhe 46-vjeçarë, të cilët do të paguheshin me 2000 euro në momentin kur malli do të mbërrinte në destinacionin e duhur, në Athinë. Edhe çifti grek u arrestua. Disa orë më vonë, një tjetër rast trafiku droge angazhoi forcat e Policisë së Janinës. Afro 162 kg marijuanë u gjetën në bagazhin e një mjeti që drejtohej nga një 35-vjeçar shqiptar. Ngjarja ndodhi në Janinë, kur një automjet është ndaluar nga policia vendëse pasi dyshohej se transportonte marijuanë në drejtim të Athinës. Drejtuesi Arsen T., nga Kuçova është gjendur para një postblloku policor dhe u arrestua pa bërë rezistencë. Pas kontrollit në bord, policia ushtroi kontroll të imtësishëm në bagazhin e mjetit me targa greke, ku arriti të gjente 161.8 kg hashash, të mbështjellë në 153 pako me letër ngjitëse transparente.
POLICIA
Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se sekuestrimi i rreth 300 kg kanabis në rajonin e Janinës është rezultat i një operacioni të përbashkët policor. Gjatë natës të së premtes janë mbajtur në vëzhgim trafikantët dhe është vënë në dijeni pala greke për lëvizjet e tyre, me qëllim që të kapeshin përtej kufirit edhe bashkëpunëtorët e mundshëm grekë.
2000 euro do të merrte çifti grek në momentin që sasia e mallit narkotik do të mbërrinte në destinacionin e duhur. Ata kishin detyrë të udhëhiqnin dy trafikantët shqiptarë në mënyrë që ti vinin parapritë postblloqeve të Policisë, por u arrestuan si bashkëpunëtorë të këtij trafiku.
2.5 tone është sasia e lëndës narkotike kanabis sativa, që është sekuestruar deri më tani nga Policia greke në Igumenicë dhe në Patra. Kjo sasi është trafikuar nëpërmjet kufirit të gjelbër mes Shqipërisë e Greqisë. Kohët e fundit, trafiku i drogës nëpërmjet kufirit të gjelbër është shtuar
Igumenicë, sekuestrohen 180 kg kanabis, vinte nga Saranda
Droga e sekuestruar nga Policia e Igumenicës
IGUMENICË- Një makinë e ngarkuar në kufirin shqiptaro-grek, në Thesproti, me 180 kg hashash ka vënë në lëvizje Policinë e Greqisë. Ngjarja ndodhi mesnatën e së premtes, kur Policia greke e Igumenicës i ka bërë shenjë për të ndaluar një mjeti me targa bullgare. Drejtuesi ka shtuar shpejtësinë dhe është drejtuar për në Agrinjo. Por, pas disa minuta ndjekje, makina me të cilën udhëtonin dy persona u përplas me një bordurë, në vendin e quajtur Stano Amiflohiu, midis Prevezës dhe Agrinjos. Nga makina ka dalë menjëherë pasagjeri që është larguar me vrap, ndërkohë që drejtuesi i mjetit, për shkak të plagëve të lehta, nuk ka mundur të lëvizë më shumë se disa metra më tej. Forcat e Policisë e kanë kapur atë, e pas disa orësh edhe pasagjerin. Sipas Policisë, shoferi është një 24-vjeçar shqiptar, ndërsa pasagjeri një shtetas grek, 23 vjeç. Brenda në makinë janë gjetur disa çanta sportive të zeza, me 170 pako, pesha totale e së cilës ishte 179 kg e 935 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Nga hetimet është zbuluar se droga që vinte nga Lazarati është ngarkuar në kufirin shqiptaro-grek, në Igumenicë dhe kishte si destinacion Athinën. Hetimet nxorën se makina i është marrë në Greqi një shtetasi bullgar dhe ka ardhur deri në kufi me Shqipërinë, ku është ngarkuar me drogë. sh.d
GJIROKASTER/ PIRO NASE
