Sulmi me armë drejt Top Channel, vritet roja e sigurisë, sekuestrohen mbi 25 gëzhoja

Mbi 25 gëzhoja plumbash janë gjetur në ambientet e jashtme të godinës së Top Channel, e cila pak pas mesnatës së të dielës u bë pre e një sulmi me armë nga persona ende të paidentifikuar.
Viktimë e sulmit të ndodhur rreth orës 01:00 të 27 marsit mbeti roja e televizionit, Pal Kola, i cili në momentin kur autorët kanë qëlluar ka qenë në kabinën e tij të rojës.
Dyshohet se të paktën dy persona kanë qëlluar me kallashnikov drejt godinës së televizionit kombëtar, informon gazetarja e rtsh, Albana Agolli duke raportuar nga jashtë ambienteve të televizionit, në Mëzez të Tiranës paraditen e sotme.
Vritet roja
Pal Kola, 60 vjeç, me detyrë roje sigurie ishte baba i tre fëmijëve dhe ishte punësuar prej gjashtë muajsh pranë Top Channel. Mbrëmjen e së dielës gjendej në detyrë ashtu si dhe një pjesë e stafit që angazhohet si turni i tretë dhe të cilëve po ashtu ju rrezikua jeta.
Autoret dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paidentifikuara, ndërkohë që është ngritur grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave, sekuestrimin e provave dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Mesohet se pas ngjarjes, në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, targat e te cili rezultojnë të vjedhura, e që dyshohet se u përket autorëve. Në makinë gjithashtu dyshohet se janë gjetur dhe dy kallashnikovë.
Top Channel e cilësi sulmin si “Akt terrorist i paprecedentë ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë”
Ngjarja e rëndë është dënuar nga drejtuesit e shtetit shqiptarë, politika, autoritetet mediatike dhe gazetarët.
/rtsh.al/