E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj babë e bir, viktimave u digjet banesa dhe makina në Theth

SHKODER – Ngjarja e ndodhur pasditen e së enjtes në lagjen “Skëndërbeg” të Shkodrës, ku mbeti i vrarë 45-vjeçari Frederik Marku dhe u plagos rëndë djali i tij 22-vjeçar, Jurgen Brunga (Marku), ka alarmuar policinë.

Sot policia bëri të ditur se është djegur banesa e Federik Markut në Theth si dhe automjeti në oborr. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.
Nga ngjarja e shënuar gjatë orëve të para të mëngjesit shpëtoi fatmirësisht roja e cili sapo ka parë flakët që kishin përfshirë makinën.

Ngjarja
Ngjarja me familjen Marku në Theth tronditi blutë e Shkodrës 2 ditë më parë.
Sipas ekspertëve, katër të rinjtë janë grindur në Theth me djalin e Frederik Markut (ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë) e viktimës. Frederik Marku ka ndërhyrë për të mbrojtur të birin, duke goditur njërin prej tyre me qytë pistolete. Dy palët janë thirrur në Komisariatin e Policisë së Shkodrës dhe janë marrë në pyetje në lidhje me sherrin dhe më pas janë lënë të lirë. Më pas, 4 të rinjtë u zunë pritë babë e bir tek Spitali Rajonal i Shkodrës dhe i qëlluan me armë zjarri.

Pas 24 orë hetimesh intensive, efektivat blu të Shkodrës mundën të vënë në pranga njërin nga 4 personat e dyshuar si autorë të krimit të dyfishtë. Burime Zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës pohojnë, se rreth orës 14:15 të ditës së djeshme u arrestua Leonard Nika. Mësohet se 25-vjeçari u kap pas një operacioni të mirëorganizuar në banesën e tij, në lagjen “Tre Heronjtë” të qytetit verior. Sipas hetuesve të çështjes, Nika është njëri nga bashkautorët që morën pjesë në pritën e organizuar ndaj Frederik Markut dhe djalit të tij 22-vjeçar tek porta e Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Po të njëjtat burime sqarojnë, se pas hetimeve të kryera ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarjeje janë: 29-vjeçari Lin Martini; 32-vjeçari Enkel Boka; 25-vjeçari Leonard Nika; 30-vjeçari Alfred Prebibaj (Mehmeti), si dhe 32-vjeçari Artan Doçaj, banues në qytetin e Shkodrës.

Në vendngjarje u gjetën dhe u bllokuan në cilësinë e provës materiale 3 gëzhoja mod 54, me kalibër 7.62 mm. Ndërkohë, policia lokale bën të ditur se gjatë marrjes në pyetje, Leonard Nika e ka pranuar faktin se ka qenë pjesë e sherrit të ndodhur një ditë para vrasjes në fshatin Theth. Por, ai ka mohuar që të ketë qenë i pranishëm në momentin e vrasjes së 45-vjeçarit Marku. Pavarësisht kësaj, policia e Shkodrës deklaron se ka siguruar të gjitha provat e duhura që dëshmojnë të kundërtën e thënieve të Nikës, por pa dhënë hollësi të tjera në lidhje me rolin e 25-vjeçarit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›