E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja për një varëse, Apeli lë në burg Aldo Hoxhën

TIRANE-Aldo Hoxha, i dyshuari për vrasjen e Fatbardha Tafës, gjatë tentativës për t'i vjedhur një varëse floriri që mbante në qafë, 'humb' betejën e radhës me drejtësinë.

Gjykata e Apelit vendosi ta lërë në burg Hoxhën, ndaj të cilit rëndon akuza e rëndë e vjedhjes me pasojë vrasjen, dhe që, nëse cilësohet fajtor, rrezikon të mbyllet për vite të tëra prapa hekurave. Një treshe gjykuese, dëgjoi pretendimet e palëve, ku prokuroria këmbënguli që Aldo Hoxha të qëndronte në burg, me argumentet se ka prova dhe fakte që ai është i implikuar në krimin e rëndë të ndodhur pasditen e 7 gushtit në afërsi të ish-Fushës së Aviacionit. Një kapelë e gjetur në vendin e ngjarjes, që është dorëzuar në polici nga kunati i viktimës, është dhe prova e fortë që ka në duar prokuroria, pasi në të janë gjendur njolla gjaku.

Profili gjenetik i ADN-së i përftuar prej këtyre njollave përputhet me atë të të dyshuarit Hoxha. Megjithatë, ky i fundit, në asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë, duke këmbëngulur se nuk ka lidhje me ngjarjen. Por shkalla e dytë e gjyqësorit, vendosi ta lërë në qeli të dyshuarin, të paktën deri në përfundim të hetimeve për krimin e rëndë, ku viktimë mbeti 38-vjeçarja Tafa dhe u plagos e motra, Lumturi Gjana.
Ngjarja
Fatbardha Tafa, gruaja 38-vjeçare sapo ishte kthyer nga Italia dhe pasditen e 7 gushtit, kishte dalë të shëtiste me të motrën, Lumturi Gjana, dhe fëmijët e kësaj të fundit, në një rrugë dytësore pranë ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë. Papritmas dy të rinj që udhëtonin në një motor të zi, pa targa, ku drejtuesi mbante në kokë një skafandër, ndërsa pasagjeri një kapelë, e sulmuan gruan, në tentativë për t'i grabitur varësen e floririt, që mbante në qafë. Gruaja u përlesh me grabitësin, ku për fat të keq mbeti viktimë, pasi agresori nxori një thikë dhe e goditi disa herë, duke e lënë të vdekur. E plagosur mbeti Lumturi Gjana, motra e viktimës, e cila u tha hetuesve, se autorët kanë qenë dy persona, të moshës rreth 20 vjeç. Sipas saj, personit që ka qenë me kapelë, gjatë momentit të përleshjes i ka rënë kapelja në tokë. Ka qenë me flokë të shkurtra, me nofulla të dala, një person me gjatësi mesatare. Pas dëshmisë së gruas dhe provave të tjera, Aldo Hoxha përfundoi në pranga si i dyshuari kryesor. Ai u prangos në shtëpinë e xhaxhait të tij, i "strukur" poshtë një krevati.

Ndërkohë, edhe pse po mbushet plot një muaj nga krimi i rëndë që tronditi mbarë opinionin publik, ende policia nuk e ka identifikuar bashkëpunëtorin e të dyshuarit Aldo Hoxha.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›