E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati, ndalohet miku i Shullazit

TIRANE-Pajtim Serjani, personi i cili i shpëtoi mrekullisht atentatit të tre ditëve më parë, është ndaluar nga Policia e Tiranës me akuzën e "Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës".

Ndalimi i tij është kryer në orët e vona të së premtes, pas kontrolleve të shumta të efektivëve të policisë, të cilët bën të mundur ndalimin e tij në afërsi të zonës së Selitës në kryeqytet.

Burime nga blutë e Tiranës bëjnë të ditur se Serjani, i njohur si mik i Emiljano Shullazit, akuzohet se pas ngjarjes ku u qëllua me armë në drejtim të tij, ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe është munduar që të fshijë gjurmët e lëna nga plumbat në makinën e tij duke u përpjekur që në këtë mënyrë të zhdukte çdo provë që kishte të bënte me atentatin ndaj tij.

Ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 21:00 të së enjtes, ku persona ende të paidentifikuar, në afërsi të rrugës "Tre Dëshmorët" pranë Yzberishtit kanë qëlluar 5 herë në drejtim të Pajtim Serjanit, i cili ishte duke udhëtuar me makinën e tij. Fatmirësisht, asnjë prej plumbave nuk ka arritur të prekë 30-vjeçarin, por dy prej tyre kanë dëmtuar makinën me të cilën ai udhëtonte.
Ka qenë një qytetar i cili ka njoftuar se ka dëgjuar krisma në afërsi të "Misto Mames" dhe menjëherë forcat e Komisariatit Nr.6 kanë shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar gëzhojat në tokë, të cilat janë marrë në cilësinë e provave. Ndërkaq, forca të shumta policie të cilat kanë mbërritur në vendngjarje kanë nisur mbledhjen e dëshmive për të identifikuar autorët e kësaj ngjarje. Nga ana tjetër, gëzhojat e gjetura në vendngjarje janë dërguar pranë Laboratorit të Policisë së Shtetit ku do t'i nënshtrohen ekspertizës balistike për të provuar nëse arma që i ka qëlluar ato është përdorur në tjetër ngjarje apo jo.

Me atentatin kundër Pajtim Serjanit shkon në 4 numri i miqve të Emiljano Shullazit, të cilët kanë rënë pre e sulmeve të armatosura. Shkëndija e parë është dhënë më datë 25 qershor 2011, kur persona ende të paidentifikuar kanë plagosur Gilmando Danin, i njohur për miqësinë e tij me Emiljano Shullazin.
Tre muaj më pas, më 26 shtator 2011, është vrarë në një atentat vetëm pak metra larg shtëpisë Arjan Selimi. Por nuk mbaron me kaq, pasi më 20 mars 2012 një tjetër mik i Shullazit, Arlind Fuga, ka humbur jetën si pasojnë e një atentati të mirëorganizuar, kur edhe në këtë rast, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar 6 herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›