Lushnje pranga hajduteve te hekurudhes

Vjedhja e materialeve për skrap në linjën hekurudhore Lushnje- Rrogozhinë nuk ka të ndaluar. Madje ky akt realizohet në mes të ditës dhe në sy të dëshmitarëve. Kështu ka ndodhur edhe në qytetin e Lushnjës, ku policia në flagrancë ka arrestuar dy persona që vidhnin materiale metalike të hekurudhës për t’i shitur më pas për skrap. Të arrestuarit Klodian Bilbili, 31 vjeç dhe Robert Cerria, 29 vjeç nga Lushnja, sipas policisë, janë kontigjentë të krimit, pasi edhe herë të tjera ata janë arrestuar nga policia për trafik të lëndëve narkotike. Kësaj radhe ata u kapën duke dëmtuar traversat e linjës hekurudhore Lushnje – Dushk. Ishin banorët e Lushnjës ata që njoftuan policinë për vjedhjen. Dyshohet sipas policisë se këta dy persona janë hajdutët e materialeve për skrap edhe të linjës hekurudhore Lushnje – Rrogozhinë, ngjarje e ndodhur në muajin mars. Ky është rasti i dytë që policia e Lushnjës vë në pranga dy hajdutë të linjave hekurudhore. Në muajin shkurt u arrestuan dy të mitur që më pas u lanë të lirë nga gjykata e të miturve në Vlorë.