Atentatorët e ICO-së , agjentë gjermanë

Shtypi gjerman shkruan se tre bashkëkombasit e tyre të arrestuar të mërkurën në Kosovë për pjesëmarrjen e dyshuar në atentatin që kishte në shënjestër më 14 nëntor ambientet e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian në Prishtinë, punojnë për shërbimet sekrete gjermane. Një zëdhënës i shërbimeve të jashtme sekrete gjermane BND, i pyetur nga AFP-ja, refuzoi të komentonte këtë informacion të raportuar nga e përjavshmja 'Der Spiegel'. Tre shtetasit gjermanë, arrestimi i të cilëve u njoftua të enjten nga policia kosovare, kanë deklaruar se thjesht kishin inspektuar vendin e ngjarjes, shpjegon 'Der Spiegel'. "Njëri prej tyre ishte vënë re të hynte në një ndërtesë bosh aty pranë, nga ku mendohet që është hedhur mjeti shpërthyes, më 14 nëntor në oborrin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, që administrohet nga përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, Pieter Feith", shpjegon e përjavshmja. Që nga aty, ai kishte fotografuar zyrën e dëmtuar nga shpërthimi, vijon 'Der Speigel' pa cituar burime. Shtetasi gjerman u ndalua të mërkurën me dy bashkëatdhetarët e tij në Prishtinë. Sipas revistës, çështja ngjalli lëvizje diplomatike mes Prishtinës dhe Berlinit, meqenëse agjentët sekretë nuk ishin akredituar zyrtarisht për të ushtruar aktivitetin e tyre në Kosovë.