Atentatori i Lul Berishës, kërkon azil politik në Itali
Fatos Mahmutaj
Atentatori i Lul Berishës kërkon azil politik në Itali. Kërkesën, në emër të klientit të tij e ka paraqitur avokati që Kristian Begu, aktualisht 33 vjeç, ka zgjedhur për t'i bërë mbrojtje juridike, përballë kërkesës së shtetit shqiptar për ekstradim. Lajmin e kanë publikuar dje mediat italiane, të cilat duke iu referuar deklaratave të avokatëve, i kanë mëshuar faktit të pavërtetë se ish-kapoja i bandës së Durrësit, tashmë i paraburgosur, Lulzim Berisha është kushëri i parë i ish-presidentit dhe Kryeministrit aktual Sali Berisha. Pikërisht mbi këtë pretendim Begu, i cili dështoi më 4 prill 2005 ndaj Lul Berishës, ka mbështetur kërkesën e tij për azil. Aktualisht Begu ndodhet i paraburgosur në Torino ndërkohë gjykatat italiane kanë nisur shqyrtimin e kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në Tiranë dhe bashkimin në sallën e gjyqit bashkë me të akuzuarit me të. "Kristian Begu, atëherë 29 vjeç organizon një pritë kundër Lulzim Berishës, kushëri i parë i ish-Presidentit të Republikës dhe aktualisht Kryeministri i Shqipërisë Sali Ram Berisha. Prita dështon pasi zbulohet sekreti, ndërsa Begu arratiset jashtë vendit, ku përfundon në Itali i strehuar te disa shqiptarë në përpjekje për t'i shpëtuar kapjes. Ai tani është në burg, nën akuzën e tentativës së vrasjes. Përmes avokatit të tij dhe Wilmer Manuel Perga, dëshiron të marrë azil politik në vendin tonë (Itali). "Unë kam frikë - tregon ai -, unë kam frikë për jetën time. Unë nuk mund të kthehem në Shqipëri", pohojnë mediat italiane në artikujt e publikuar dje. Për më tepër duke dhënë sqarime të hollësishme mediat italiane kanë publikuar fakte të rreme, pasi, sipas tyre, Begu ishte paguar nga klani i Erion Hoxhës, për të eliminuar Lulzim Berisha. E vërteta sipas Prokurorisë shqiptare është krejt ndryshe, pasi si kundërshtar i Berishës njihet i bashkëpandehuri me të Endrit Dokle. Mediat italiane pohojnë më tej se bandat e drejtuara nga Hoxha dhe Berisha ndodheshin në rivalitet për kontrollin e veprimtarive të paligjshme të kryera në mbarë Shqipërinë. "Më 26 shkurt 2005, në Durrës, anëtarët e klanit Berisha vrasin disa anëtarë të klanit Hoxha. Për t'u hakmarrë klani Hoxha paguan Begun, i cili merr shumën e nevojshme për të organizuar pritë. Më tepër se një muaj më vonë, më 5 prill 2005 çdo gjë është gati, por ndërhyrja e policisë prish planin ndërsa Begu i dështuar është detyruar të fshihet dhe më pas të ikë jashtë vendit. Mediat e vendit Apenin pohojnë se Begu i arrestuar në Torino mbahet i mbyllur në burgun Alexandria, ndërsa mbi të rëndon akuza shqiptare: "tentativë vrasjeje". Në artikujt e publikuar dje pohohet deklarata e avokatit të tij Wilmer Manuel Perga, i cili në përpjekje për të mbrojtur me çdo kusht kërkesën për azil politik ka folur mjaft të pavërteta. "Ai nuk dëshiron të kthehet në shtëpi, është i frikësuar dhe gjithashtu dimë se mund të vrasin atë", thotë përfaqësuesi ligjor. "Unë kam frikë për jetën time dhe nuk dua të kthehem në Shqipëri. E di se jam përpjekur të vras një njeri VIP të krimit, i cili jo vetëm që është kreu i një prej dy klaneve kryesore të krimit në Shqipëri, por është edhe kushëri i kryeministrit shqiptar", citon avokati fjalët e klientit të tij. Mediat duke vazhduar në këtë linjë pohojnë se me pak fjalë, Kristian Begu ndodhej në vështirësi të madhe dhe nuk dinte se çfarë e pret nëse dërgohet me pranga në Shqipëri. "E vetmja që i ka mbetur atij është shpresa që dikush do të besojë se fjalët e tij për frikë reale do t'i japin azil politik në Itali", përfundon njëri nga shkrimet për të.