"Festivali i Birrës e bën Korçën qytetin e festave"
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Tre net me Festën e Birrës. Korça është pushtuar nga entuziazmi i mijëra personave, shqiptarë e të huaj, të cilët i gëzohen shoqërisë së tyre, me gotat e birrave dhe mezet në duar. Një prej tyre është dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi. Mes rolit prej kreut të institucionit që organizon festën dhe një korçari tradicional, Peleshi ka qenë i pranishëm çdo natë në ambientet festive. Ai pohon se Festa e Birrës po rritet vit pas viti, duke e shndërruar Korçën në "Qytetin e festave".
Mes impenjimeve të shumta keni gjetur kohë që çdo mbrëmje të festoni së bashku me mijëra vetë Festën e Birrës. Si jeni ndjerë mes tyre dhe a keni projekte të tjera që rrisin vlerat e qytetit që ju drejtoni?
Ndjehem siç do të ndihej çdo njeri në mes të një atmosfere festive, të gëzuar, me prodhime të shkëlqyera, në shoqërinë e miqve nga gjithë Shqipëria. Në një mjedis ku stresi, problemet, hallet e gjithsecilit, duket se janë mundur nga dëshira e brendshme për ta jetuar jetën sa më mirë. Dhe pa dyshim që kjo festë është edhe një promovim i vlerave qytetare të Korçës sonë. Korçari e ka në genin e vet historik argëtimin apo qejfin siç e quajmë ne, por ai gjithashtu "nuk prish qejf". Kjo festë masive që vazhdon për 4 net, pa asnjë incident apo humor të prishur, dëshmon për cilësi qytetare të sjelljes në komunitet. Kështu, duke promovuar vlerat dhe potencialet tona përmes projekteve të ngjashme, unë jam i bindur se hipotekojmë një të ardhme të garantuar për Korçën.
Shumë festa, mes tyre më popullorja Festa e Birrës, gjatë mandatit tuaj lindën ose u ringjallën dhe po kthehen në traditë. Është kjo një koincidencë apo një projekt juaji i hershëm?
Festat tona nuk janë aktivitete spontane, por projekte të një programi të quajtur "Korça, qyteti i festave", i cili është qasja jonë për Korçën turistike. Ne jemi duke ndërtuar me sukses këtë profil të veçantë për qytetin e Korçës, duke e kthyer qytetin në një destinacion të turistëve të fundjavës dhe duke bërë kështu më të shëndetshëm bizneset e vogla të shërbimeve, si baret, restorantet, hotelet, agjencitë turistike, etj. Rritja e interesit të sektorit privat për të investuar në struktura shërbimi, si hotelet dhe bujtinat e tipit "Bed and breakfast", janë shenjat e para të funksionimit të kësaj qasjeje. Festa e Birrës është një nga projektet që unë kam për zemër, pasi është dëshmia dhe modeli se si bëhet funksional vizioni për një Korçë atraktive turistike, bazuar tek idetë inovative dhe potenciali i qytetit.
Në hotelet e Korçës nuk ka vende të lira. Thuhet se janë "pushtuar" nga miqtë e Festës së Birrës. E konfirmon kryetari i Bashkisë këtë fakt?
Ajo për të cilën interesohem së pari kur fillon Festa është okupimi i hoteleve, pasi ky është indikatori më i mirë i suksesit. Këtë vit kemi marrë konfirmim që hotelet nuk kanë më vende të lira, çka do të thotë që jehona e kësaj feste, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri dhe mbase më e madhja në përmasa, ka tejkaluar edhe vështirësitë e situatës ekonomike në vend. Përmes ëebsitit të Festës së Birrës në Internet ka pasur edhe interesime nga të huaj, të cilët i janë bashkuar Festës. Ajo është promovuar edhe në televizionet kombëtare dhe në disa qytete në Shqipëri, Maqedoni e Greqi. Bizneset lokale duhet të mendojnë seriozisht për të shtuar kapacitetet e tyre për të përballuar fluksin që do të rritet nga viti në vit.
Festa të tilla kërkojnë edhe investime. Si ka qenë bashkëpunimi i bashkisë me biznesin, në mbështetje të këtyre nismave? Çfarë mund të thoshit për bashkëpunimin tuaj me Fabrikën e Birra Korçës?
Së pari, kam kënaqësinë të pohoj se ky projekt i madh i ka kushtuar buxhetit të Bashkisë vetëm 600 mijë lekë, pasi gjithë pjesa tjetër është përballuar nga pjesëmarrësit, fabrikat e birrës, prodhimeve të mishit e ëmbëlsirave si dhe nga sponsorët tanë, për bujarinë e të cilëve unë mbetem mirënjohës. Më vjen mirë që të gjithë pjesëmarrësit janë të kënaqur me Festën, çka garanton vazhdimësinë dhe rritjen e saj nga viti në vit. "Birra Korçën" duhet ta veçoj si partnerin tonë kryesor për Festën. Festa e Birrës nuk mund të ketë kuptim pa "Birra Korçën", e cila është rikthyer kaq denjësisht si krenaria e qytetit tonë.
Si e vlerëson Niko Peleshi "Birra Korçën"? A mund të deheshit të paktën një herë në vit me të?
"Birra Korça" nuk të deh, por vetëm "të sjell në qejf" dhe një herë në vit është shumë pak për të qenë me humor të mirë.
Festës së Birrës vitin e ardhshëm çfarë do t'i shtonit apo ndryshonit?
Nuk do të ndryshojë personazhi ynë i famshëm Milo, i cili siç e dini ka qenë një punonjës i hershëm babaxhan i Fabrikës së Birrës. Festa do të rritet për të përballuar një numër edhe më të madh pjesëmarrësish që do të vijnë edhe për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm të këtij viti.
Drejtori i fabrikës: Emigrantët dhe turistët, urime për "Birra Korçën"
Gjergji Duro, drejtori i fabrikës së "Birra Korçës", pohon se rikthimi i traditës është çelësi i suksesit të saj dhe në këto ditë të festës së birrës. Sipas tij, angazhimi i plotë i kompanisë dhe masat e marra nga Bashkia e qytetit, krijuan këtë atmosferë të mrekullueshme festive, jo vetëm për korçarët, por sidomos për miqtë që po marrin pjesë në të. “Korça dhe fabrika e birrës e 1928-ës kanë qenë pionere të kapitalizmit modern të asaj kohe në Shqipëri. Sot, e rinovuar si asnjë fabrikë tjetër, fabrika e birrës është bërë një ndër pioneret e prodhimit modern vendas, nga të gjitha pikëpamjet". Duro tregon se gjatë ditëve të festës ka marrë urime dhe përgëzime me superlativa nga vizitorët e shumtë që kanë parë fabrikën. "Një mik holandez, i cili gjatë qëndrimit të tij në Korçë vizitoi fabrikën më tha: 'Birrën e kisha provuar që në Tiranë dhe më kishte pëlqyer, por tash që pashë fabrikën do më shijojë edhe më tepër. Veçse pak ditë e bëni festen, minimumi duhen 10 ditë festë për ta shijuar këtë birrë'". Drejtori i fabrikës tregon se emigrantët dhe të huajt kanë shprehur urimet e tyre për cilësinë e "Birra Korçës", pasi e krahasojnë atë dhe me birrat që tregtohen në vendet ku jetojnë. Madje, ata, sipas Duros, shprehin habi pse kjo birrë mungon në tregjet e vendeve të tyre. "Në këtë drejtim ne kemi një sërë projektesh, kontaktesh e deri ne prag kontratash per ta eksportuar "Birra Korçën" që prej SHBA-se e deri në Greqi, Itali, Zvicër, Kosovë e vende te tjera. Aktualisht po bëjmë kujdes për të siguruar tregje të qëndrueshme e permanente". "Birra Korça" është mbretëresha e festës. E tillë është cilësuar dhe në 2 konkurset ndërkombëtare të cilësisë, në Londër dhe në Frankfurt, ku "Birra Korça", ka marrë përkatësisht medaljen e artë e të platintë për cilësinë e saj.