Aksidentet "mbysin" veriun, 12 të plagosur në 12 orë
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Aksidentet rrugore zhvendosen në veri të vendit. Largimi i pushuesve kosovarë apo lëvizjet e lirshme nga Shqipëria drejt Kosovës kanë sjellë dhe viktimat e radhës. Që nga mbrëmja e së premtes e deri pasditen e djeshme, u regjistruan 3 raste aksidentesh, me një numër prej 12 personash të lënduar, një pjesë e tyre fëmijë. Në aksin nacional Rrëshen-Kalimash, në afërsi të fshatit Gziq, tre mjete u përplasën mes tyre. Katër persona u plagosën rreth orës 17:00 të së shtunës, dy prej tyre fëmijë. Sipas burimeve të policisë rrugore, aksidenti erdhi si rrjedhojë e një parakalimi të gabuar të një makine "Benz" me targë TR 9702 I, i cili u përplas me një fuoristradë me targa të huaja dhe më pas me mjetin tip "Wolksvagen" me targë 534 KS 756. Si pasojë u plagos rëndë Isat Pema, i cili bashkë me tre të tjerë u transportuan me shpejtësi për në spitalin e Rrëshenit, e më pas drejt atij ushtarak, për ndërhyrje të specializuar. Shpejtësia dhe parakalimi i gabuar, në një rrugë pa sinjalistikën e vendosur plotësisht, sipas policisë, janë shkaqet e aksidentit. Disa orë më parë, 8 persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë në dy ngjarje të ndryshme, një në afërsi të Doganës së Morinit dhe tjetra në aksin që lidh Tropojën me Kosovën. Burime zyrtare të policisë së Kukësit bënë të ditur se aksidenti i parë me katër të plagosur ka ndodhur pa hyrë në Doganën e Morinit. Mësohet se autovetura tip "Opel Vectra" me targa të Kosovës ka goditur nga prapa makinën e asfaltimit që në ato momente ndodhej e parkuar anës rrugës. Nga aksidenti është lënduar rëndë drejtuesi i mjetit Shukri Gashi, 38 vjeç e shoqja, Shyrete Gashi, 37 vjeçe si dhe dy fëmijët e tij. Menjëherë pas aksidentit, policia ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë transportuar të plagosurit përtej kufirit, në spitalin e Prizrenit. Hetimet e para tregojnë se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e autoveturës dhe humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit. Në një tjetër aksident, këtë herë në Tropojë, mbetën të plagosur 4 udhëtarë të tjerë. Dy makina "Benz" u përplasën mes tyre në rrugën që lidh qytetin verior me Kosovën. Nushe Kovacica, 65 vjeç, Sadri Kërtoci, 59 vjeç, Admir Kërtoci, 28 vjeç dhe Agrim Kërtoci, 26 vjeç, janë të lënduarit nga aksidenti, të cilët u transportuan për në spitalin e Bajram-Currit.