E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjentët e krimit ekonomik në Zyrën e Punës

 

LAÇ - Pas denoncimit të zhdukjes së dosjeve në Zyrën e Punës në Laç, Policia e Antikrimit Ekonomik zbarkon për të mbledhur provat e denoncimet. Ajo ka bllokuar dje të gjithë dokumentacionin që ndodhet në Zyrë, deri në zbardhjen e plotë të akuzave që bënë dje dy ish-punonjëse të shtetit. Në Zyrën e Punës mësohet se janë bllokuar të gjitha borderotë, për të vërtetuar shkeljet dhe gjetur se kush i ka marrë paratë e të 57 personave të trajtuar me dy paga njëkohësisht. Sipas denoncimeve, nuk rezulton që personat e regjistruar zyrtarisht, dhe të cilëve u takon sipas ligjit asistenca, të kenë firmosur në dokumente. Në to rezulton emri dhe numri i pasaportës së personit që duhet të merrte asistencë, por firma nuk ishte e tyre. Mësohet nga burimet e policisë se grupi hetimor po njihet dhe me deklarimet e ish-punonjëseve që janë trajtuar me leje lindjeje edhe me asistencë njëkohësisht nga kjo zyrë, por që kanë kundërshtuar të kenë marrë personalisht njërën prej pagave. Në ditët në vazhdim pritet shoqërimi i punonjësve të Zyrës së Punës, deri në zbardhjen e pozicionit të secilit prej tyre. Po dje, Ministria e Punës reagoi nëpërmjet zëdhënëses së saj, se këtë javë do të shqyrtohet raporti i Auditit të Brendshëm mbi këtë Zyrë.                                                                                  r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›