E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina eksportuesi më i madh në botë

Kina ka tejkaluar Gjermaninë si eksportuesi më i madh në botë, pasi që eksporti në muajin dhjetor ka shënuar një ngritje prej 17.7 për qind, ngritja kjo e parë e eksportit pas 14 muajve të tërë, kanë dëshmuar sot të dhënat më të reja, shenja kjo më e re e forcimit të fuqisë ekonomike të Kinës.

Statusi i ri i Kinës është simbolik, por gjithashtu pasqyron edhe aftësinë e këtij vendi për të vazhduar shitjen e prodhimeve të veta të lira jashtë vendit, përkundër rënies së kërkesës për konsum, si pasojë e krizës globale.

Ngritja në dhjetor ishte një pikë e rëndësishme e kthesës për eksportuesit, deklaroi zyrtari i agjencisë doganore të Kinës, Huang Guohua.

“Mund të themi se ndërmarrjet eksportuese në Kinë kanë tejkaluar në tërësi pikën më të ulët të eksportit”, theksoi Huang.

Eksporti më i madh i prodhimeve kineze mund t’i ndihmojë përpjekjeve të Kinës për ri-këndellje, pas rënies së kërkesave në vitin 2008, gjë që nxiti mbylljen e mbi tre mijë fabrikave, trend ky që la pa punë me miliona punëtorë.

Ekonomistët dhe Oda Tregtare e Gjermanisë qysh më herët kishin theksuar se Gjermania me gjasë do të humb primatin e shtetit me eksportin më të madh në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›