Pas takimit me Bakojanis, Basha: Greqia është një faktor strategjik dhe politik për vendin tonë

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaroi të hënën, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologen greke, Dora Bakoyannis, e cila ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare një ditore se, "Greqia, ka qenë dhe mbetet faktor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë". Duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Ministri Basha vuri në dukje vullnetin e përbashkët për t'i konsoliduar më tej këto marrëdhënie, nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit mes dy qeverive respektive. "Mes popujve tanë ka raporte tradicionale bashkëpunimi, afërsie, fqinjësie dhe afrimiteti kulturor duke bërë që marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë të jenë miqësore dhe me perspektivë të sigurtë", tha Ministri Basha. Prej muajit janar 2009 Greqia ka marrë kryesinë e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe në këtë drejtim, Ministri Basha vuri në dukje se turi i ditëve të fundit në rajon i ministres Bakoyannis, e cila është njëkohësisht edhe Kryetare e radhës e OSBE-së, "dëshmon për rëndësinë e veçantë që kryesia greke i kushton Ballkanit Perëndimor". Në këtë drejtim, Ministri Basha u ndal te kontributi i rëndësishëm i OSBE-së në konsolidimin e demokracisë, institucioneve dhe sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë". Gjithashtu, Ministri Basha shprehu vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me praninë e OSBE-së në Shqipëri, në përputhje me parimet e respektimit të nevojave dhe prioriteteve të vendit pritës. Lidhur me prioritetet e Greqisë si kryesuese e radhës e OSBE-së, Kreu i diplomacisë shqiptare siguroi për mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj nismave që Greqia do të ndërmarrë në funksion të rritjes së kapaciteteve të OSBE-së dhe parandalimit dhe zgjidhjes së konflikteve. "Mbështetja e Shqipërisë për prioritetet greke do të konkretizohet me organizimin në Tiranë në datën 16-17 mars, të konferencës së dytë përgatitore të Forumit për Ekonominë dhe Mjedisin që do të trajtojë tema që lidhen me impaktin e emigracionit dhe çështjen e sigurisë", tha Ministri Basha duke shprehur falënderimet për përzgjedhjen e Tiranës, si qendër për mbajtjen e kësaj konference. Kryediplomati shqiptar konsideroi si një objektiv të rëndësishëm të politikës sonë të jashtme edhe kërkesën e Shqipërisë për marrjen e e kryesisë së OSBE-së në vitin 2012. Në këtë drejtim, ai kërkoi mbështetjen e Greqisë në mënyrë që ky vendim të merret gjatë ministerialit të Athinës, në Dhjetor të vitit 2009. Duke u ndalur te rëndësia historike që Shqipëria i kushton OSBE-së, si organizata e parë transatlantike në të cilën Shqipëria u anëtarësua pas daljes nga izolimi komunist, Ministri Basha siguroi se kandidatura shqiptare gëzon kredenciale të forta, që bazohen në zbatimin e vazhdueshëm të angazhimeve të marra nga Shqipëria në kuadër të kësaj organizate. Ministri Basha informoi se një pjesë e rëndësishme e bisedimeve me homologen greke zunë edhe "hapat që po ndërmerr Shqipëria, për të përfunduar infrastrukturën zgjedhore përpara mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare". Në këtë drejtim, ai vlerësoi ndihmën e prezenës së OSBE-së në Shqipëri për dixhitalizimin e regjistrit të popullsisë. "Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe transparente është vullneti i qeverisë shqiptare dhe në këtë kuadër, rikonfirmova vullnetin e qeverisë për të pritur misionin më të madh vëzhgues që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri. "Për këtë qëllim, qeveria shqiptare ka ftuar ODIHR-in dhe ta gjitha shtetet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare", tha ministri Basha.
...