Athina dënon përdorimin e aksidentit të Himarës: E papranueshme tendenca për të nxitur trazira

PDU i bën thirrje Janullatosit të shmangë interpretimet për ngjarjen. Athina dënon përdorimin e aksidentit të Himarës. Drutsas: E pa pranueshme tendenca për të nxitur trazira
Segmentë të caktuar në Shqipëri po përpiqen të politizojnë ngjarjen e Himarës për të krijuar tensione dhe trazira. Deklarata është e ministrit të jashtëm grek, Dimitris Drutsas, e bërë gjatë një interviste në televizionin grek Skaj, si një mesazh i qartë dhe përgjigje e fortë e subjekteve politike apo individëve të caktuar që këto ditë e kanë politizuar dhe i kanë dhënë ngjyra etnike vrasjes së të riut shqiptar në Himarë, 35-vjeçarit Aristotel Guma. Duke komentuar ngjarjen Drutsas thotë se nga njerëz të veçante po kërkohet një pretekst për të sjellë trazira dhe po abuzohet me qëllim me këtë çështje, për interesa të caktuara. Ministri i jashtëm grek, Dimitris Drutsas u shpreh se janë të dënueshme përdorimi i fenomeneve të tilla, pra incidenteve për qëllime politike apo edhe më gjërë. “Më lejoni të mos ndaj të njëjtin mendim me ata që janë duke i përdorur fenomene të tilla, që edhe njëherë e ritheksoj se janë krejtësisht të dënueshme, si pretekste për të nxitur trazira, për t’u keqpërdorur nga disa individë apo për të abuzuar me fenomene të tilla dhe për të na krijuar probleme këtu në Greqi, që askush nuk dëshiron të ndodhin. Sigurisht që ne kërkojme që drejtësia të vihet në vend sa më shpejtë, por ky është një rast i izoluar dhe për këtë duhet të jemi të qartë dhe pa asnjë dyshim”. Por në Shqipëri, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule apo kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, kanë shfaqur këto ditë një mendim të ndryshëm nga ai i Athinës. Vangjel Dule i mëshon linjës së urrejtjes etnike. Pas ngjarjes ai i intensifikoi takimet me minoritetin grek dhe u bë nismëtar i një greve njëorëshe të punonjësve minoritarë të administratës vendore në jug të vendit, si shenjë proteste ndaj vrasjes së të riut himariot me kombësi dhe origjinë shqiptare. Ndërsa kryebashkiaku i Himarës e cilësoi incidentin si tentativë provokuese për minoritetin grek.
Protestat e Studentëve në Vlorë
Unioni i Studentëve të qytetit të Vlorës ka protestuar sot lidhur me incidentin e fundit në Himarë, ku sipasojë e një aksidenti me pasojë vdekje, banorët bllokuan për 16 orë aksin nacional Vlorë-Sarandë. Studentët kërkuan nga Gjykata e këtij rrethi trajtim të paanshëm për ngjarjen e 12 gushtit në zonën bregdetare të Himarës, ndërsa i bënë thirrje institucioneve të Drejtësisë të venë përpara ligjit të autorëve që shkaktuan bllokimin e rrugës, në pikun sezonit turistik, çka luhat ndjeshëm imazhin e Shqipërisë si vend atraktiv në fushën e turizmit. Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Eneid Hamzai kërkoi gjykimin korrekt nga Gjykata e Vlorës ku të ndëshkohen edhe shkaktarët e bllokimit të rrugës, dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve dhe gazetarëve. “Gjykata e Rrethit Vlorë duhet ta trajtojë në mënyrë të paanshme ngjarjen e 12 gushtit të Himarë”- thanë studentët, duke kërkuar që të merren masa ndëshkimore edhe për bllokimin e rrugës. “Nuk ka asnjë të ndaluar nga grupi i personave që bllokuan aksin Vlorë –Sarandë, ndërsa për A. Gumën u arrestuan 8 persona, kur në drejtimin e automjetit ndodhej një person”- deklaroi më tej, kreu i Unionit Studentor të Vlorës, Eneid Hamzai.
PDU: Janullatos të shmangë interpretimet, të heshtë ose të reagojë edhe për racizmin dhe ksenofobinë kundër shqiptarëve në Greqi
Partia Drejtësi dhe Unitet ndjek nga afër reagimet pas aktit tragjik të aksidentit me pasojë vdekjen e një bashkëqytetari në zonën bregdetare të Himarës. Përmes një deklarate për shtyp, PDU shpreh ngushëllimet e saj të thella ndaj familjes Gumi për humbjen e njeriut të tyre dhe i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të veprojnë me drejtësi dhe në përputhje të plotë me faktet dhe me ligjet shqiptare për ndëshkimin e autorëve. Partia Drejtësi dhe Unitet është e shqetësuar për reagimet e tipit nacionalist të drejtuara nga qarqe të minoritetit grek në Shqipëri, por edhe qarqe nacionaliste greke, të cilat cenojnë rëndë institucionet e pavarura shqiptare. Institucionet e drejtësisë duhet lënë të bëjnë punën e tyre në përputhje me parimet profesionale dhe ligjet e shtetit shqiptar. “Fqinjët tanë jugor, drejtuesit e organizatave të minoritetit grek dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, duhet të vetëpërmbahen nga politizimi i këtij krimi dhe të respektojnë normat ndërkombëtarë të mospërfshirjes në punët e brendshme të institucioneve të pavarura shqiptare. Paragjykimi i këtij krimi, si një krim me motive etnike, kur Policia e Shtetit, por edhe një pjesë e dëshmitarëve okularë pohojnë për të kundërtën, është një shenjë që na bën të dyshojmë për një politizim të stisur, të një akti tragjik siç është humbja e një njeriu. Ky politizim, i paragjykuar, është shenjë e rëndë mosrespekti ndaj bashkëqytetarit tonë të ndjerë Aristotel Guma. Reagimet e minoritetit grek, të drejtuara nga kryetari i Omonias, z. Vasil Bollano dhe kryetari i PBDNJ-shit, z. Vangjel Dule janë raste flagrante të një tentative për të përfituar politikisht dhe për të dëmtuar Shqipërinë në mes të sezonit turistik”- thuhet në njoftimin për shtyp, të PDU-së. PDU i referohet edhe qëndrimit të kryepeshkopit Janullatos. Sipas kësaj force politike, Anastasi duhet të shmangë deklaratat që interpretojnë në mënyrë tendencioze krimin, pasi në raste të caktuara të racizmit dhe ksenofobisë ku shqiptarët janë vrarë nga shtetas me kombësi apo shtetësi greke, kryepeshkopi ka heshtur. “Në gjitha rastet e tjera të racizmit dhe ksenofobisë ku shqiptarët janë vrarë nga shtetas me kombësi apo shtetësi greke, kryepeshkopi ka heshtur. Ka ardhur çasti që hirësia e tij të reagojë ose të mos reagojë në të njëjtën formë për të gjitha komunitetet, ose të dënojë çdo akt, ose të heshtë përpara çdo akti”- thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Partisë Drejtësi dhe Unitet.
...