Daçiqi i Milosheviqit lejohet edhe te ne?!!
Qeveritarët më të lartë të Serbisë, edhe pas njëmbëdhjetë vjetësh në liri, po futen në Kosovë sa herë që po kanë dëshirë. Organet tona shtetërore po e marrin përgjegjësinë për vizitat e tilla, e në fakt këto vizita të zyrtarëve serbë po i lejojnë strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Edhe administrata e UNMIK-ut, të cilat tashmë i ka skaduar koha, por edhe ICO-ja, të cilat janë neutrale karshi statusit politik të Kosovës, janë duke i lejuar vizitat e tilla gjoja fetare. Në fakt, ato janë kryekëput të natyrës politike. Të gjithë zyrtarët serbë, të cilët e vizituan Kosovën, gjatë këtyre viteve, vizitat e tyre nëpër kishat ortodokse serbe, i shfrytëzuan mirë për qëllime politike. Në Kosovë deri me tash erdhën zyrtarët dhe popët më të lartë të Serbisë. Fillimisht Kosovën e patën vizituar dy kriminelët dhe ideatorët e gjenocidit në Kosovë, kallashKoshtunica dhe kryepopi Pavle, i cili sa ishte gjallë, nuk la gur pa lëvizur në dëm të shqiptarëve. Ata e patën vizituar Patrikanën e Pejës, duke i provokuar rëndë ndjenjat e shqiptarëve. Në vazhdën e këtyre vizitave në Kosovë për festa të ndryshme fetare, erdhi edhe kryetari Boris Tadiq, në Manastirin e Deçanit. Ai erdhi për t’i mbajtur gjallë shpresat e rreme serbe për Kosovën, si pjesë e Serbisë. Para disa ditësh, për vizitë në Kosovë, ishte patriarku i ri i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej Gavrilliviq, gjoja me lejen e Qeverisë. Në ceremoninë e inaugurimit të tij, kishte thënë se do ta mbështesë shtetin serb për ta rifituar Kosovën. Vizitën në Patrikanën e Pejës, shovinisti Irinej e shfrytëzoi për të dhënë deklarata provokuese politike. Edhe e ky e ka përsëritur qëndrimin se Kosova është Jerusalem për Serbinë. Vizita i Irenejit ishte edhe një provokim i radhës për qytetarët e Pejës dhe për Kosovën. Irineji haptazi u kërcënua se duhet të realizohen kërkesat e popullit serb. Zyrtar e lartë serbë vizitat e tyre në manastire i shfrytëzojë duke bërë agjitacion propagandistik, e vërteton vizita e fundit e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daciq, i cili vizitoi Manastirin e Graçanicës. Këtë vizitë sikurse edhe pushtetarët e tjerë nga Beogradi, e shndërroi në propagandë politike. Objektet fetare ortodokse serbe ishin dhe kanë mbetur qendra ku planifikohet gjithçka rreth dhe kundër Kosovës. Vizita e një eksponenti të SPS-it, dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të kryekriminelit Millosheviq, siç është Daçiq, as që është dashur të lejohet për kurrfarë çmimi që të futet në Kosovë. Vetë fakti se Daciq ishte bashkëpunëtor i ngushtë i një krimineli të madh, kjo nuk do koment tjetër. Të gjithë bashkëpunëtorët e tij ishin edhe bashkëpjesëmarrës në krimet në Bosnjë dhe në Kosovë. Në këtë dehje shoviniste, si në kohë të jogurt-revolucionit, kësaj të diele, në Graçanicë, Ivica Daciq nuk u përmbajt pa thënë se Beogradi nuk do të pranojë që në tekstin e rezolutës, e cila do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pavarësia e Kosovës të përmendet si çështje e kryer. Plani i Ahtisarit, gjashtëpikëshi i famshëm i Ban Ki Munit, dhe eksterritorialiteti ua kanë mundësuar zyrtarëve serbë për t’u sjellë në mënyrë komode e për të dhënë edhe deklarata politike në dëm të Kosovës dhe të ardhmes së saj. EULEX-i dhe ICO-ja janë ata që po i lejojnë vizitat e tilla të zyrtarëve serbë, siç i thonë një fjale të popullit, duke ua lënë “pataten e nxehtë në duar qeveritarëve tanë”. Ndalja e pagave për serbët e Kosovës, nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë nuk është vetëm edhe një tjetër farsë. Këto paga sigurisht se nuk do t’ju ndalën, por qëllimi është minoriteti serb të mos integrohet në realitetin e ri të Kosovës, kur tashmë janë bërë disa hapa pozitivë në këtë drejtim. Kur të bëhet një analizë, minoriteti serb as që ka nevojë për ato paga, kur dihet se kontrabanda e cila po zhvillohet në veri të Mitrovicës, pikërisht në pikat kufitare 1 dhe 31, të cilat pak ose fare nuk kontrollohen, minoritetit serb u sjell përfitime të shumëfishta në krahasim me pagat që i marrin nga Serbia. Por qëllimi madhor i Serbisë është ta krijojë, nëse është e mundur, edhe një Republika Srpska në zemër të Kosovës, që pastaj t’i hapën dyert për krijimin e Serbisë së Madhe, kur dihet se situata politike në Bosnjë nuk është shumë e qëndrueshme .Kësaj gjendjeje i kanë kontribuar edhe indiferenca e strukturave ndërkombëtare në Kosovë dhe jashtë saj, të cilat për këto vjet në vend që ta detyrojnë t’i përmbushë obligimet e paraqitura nga vetë ata, Serbisë po i lëshohet pe duke krijuar sërish krizë politike dhe ekonomike në Kosovë dhe më gjerë...