Të panjohurat e pathëna të Ramës tek rrëfimi në divanin e Psikologut
Edvin Rama në intervistën “Psikologji” i përgjigjet një pyetjeje të gazetares Arta Marku, se sa ndikon ose përcakton të ardhmen e një njeriu mjedisi ku lind e rritet. Edvin Rama çuditërisht i përgjigjet sinqerisht pyetjes me “...unë jam lindur dhe rritur në një mjedis familjar shumë stimulues për individualitetin dhe personalitetin tim”. Kaq sa deklaroi është e vërtetë, por ambienti familjar i folesë shtëpiake të Kristaq Ramës ishte stimulues për të, veçse në këtë habitat janë stimuluar dhe amplifikuar veset më të panatyrshme që mund të ketë individi, si shtazë politike. Siç dihet Ati në natyrë përfaqëson Ligjin, që është pra referenca objektive që ngrihet mbi subjektivitetin femëror të Nënës. Sikurse roli i babait është transmetimi i origjinës së emrit ose mbiemrit, të identitetit, të trashëgimisë kulturore e gjenetike dhe detyrave për të bërë në të ardhmen.
Rasti i Ramës është i veçantë, sepse ka pasur një baba të pazakontë. Kristaq Rama gëzoi sa ishte gjallë një autoritet atëror shumë të dobët, çka e ka nxitur dhe stimuluar Edi Ramën të kundërshtojë autoritetin e tij, apo/dhe çdo lloj autoriteti tjetër për rrjedhojë flagrante, të çdo lloj zakoni, kodi dhe ligji. Thamë se Kristaq Rama nuk kishte autoritet atëror mbi Edvin Ramën, dhe kjo është e vërtetë. Kurse në art Kristaqi ishte një autoritet. Ai ishte një nga padronët e artit të realizmit socialist, si njeri i besuar i regjimit komunist në këtë fushë dhe mbante poste partiake (Komiteti Qendror i PPSH) e shtetërore (Kuvendi Popullor-parlament), si dhe për faktin se Edi Rama ishte nipi (nga nëna) i një anëtari të Byrosë Politike (Spiro Koleka).
Edvin Rama në kohën e komunizmit kishte namin e një jokonformisti bohem, por ishte një anti-konformist me licencë sigurimse. Dihen implikimet e tij në karikaturat e ideve të sigurimit. Arti i tij bazohet pikërisht në shkatërrimin dhe de-shenjtërimin e institucioneve autoritare e bazike, si “Familja” për shembull. Aq sa Shoqatat Kundër Dhunës në Familje e shpallin Edi Ramën si armikun e tyre kryesor. Në familjen e tij ku ai ushtronte dhunë sistematike ndaj partnerëve (përkundrejt respektit maksimal për Dash Pezën), nuk ka pasur as edhe një lloj pengese, por për dhunën që po përpiqet të ushtrojë ndaj institucioneve shtetërore, kurrsesi nuk do të ketë asnjë masë tolerimi.
Edvin Rama e nisi me një familje me probleme dhe përfundoi vetë me familje me probleme, duke mos kuptuar se anti-konformizmi i tij ishte konformizmi solipsitik i një njeriu të sëmurë me ego-graci. Tek ai mbisundon kompleksi i sadisfaksionit sadist që vjen nga shkatërrimi.
Dhimbja e tij u transformuar në dhimbje të femrave të jetës së tij, aq sa arrin të thotë në intervistë se “në botën e tij ka pasur vetëm dy gra të bukura, nënën dhe gjyshen”, kurse gra të “shëmtuara”, pa të drejtë lumturie, ka pasur sa të duash, duke filluar nga Matilda, Delina, Rudina... Të mos kalojmë tek hermafroditët e analeve të Pezës. Analet e historisë do ta mbajnë mend Edvinin si një njeri me teka dhe vese të pacenueshme nga morali, sepse janë të pranueshme vetëm nga koncepti i amoralitetit.
Stimulimi i personalitetit të tij ka ardhur nga Kristaq Rama, një njeri sikur të kishte dalë nga romani “Doktor Jekyll dhe Mr. Hyde”, ku identiteti është i bigëzuar, në shtëpi një njeri i qetë, i butë, madje edhe i dashur për kujtimet e miqve, por në profesionin e tij si skulptor i zellshëm nuk nguronte të ishte daltaxhiu i vdekjes së poetit kuksian Havzi Nela, ku firma e tij është aq e zezë sa negociatat e tij për llogari të Ramiz Alisë, për të nxjerrë familjen Popa nga ambasada. Cilin baba ka njohur Edi Rama? Të parin që kundërshtonte apo të dytin që adhuronte? Edvin Rama ka pasur një arrati të rreme gjatë banimit tek Stacioni i Trenit. Ai arratisej natën dhe gjendej kur policia i shkonte pas. Nëse heroi i parë i tij ka qenë pikërisht Kristaq Rama, heroi i tij i preferuar është ai i xhelatit, dashuria për ata që e kanë mbajtur peng.
Më tej vijon rrëfimi i zbukuruar që prej fëmijërisë deri kur u bë shef i bashkisë Tiranë. Aty flet për marrëdhëniet me nënën, babanë, të birin, vëllanë, sigurisht duke harruar ngjarjet e jashtëzakonshme të dhunës familjare.
Nejse, kjo intervistë është një intervistë për t’u dukur ndryshe, i pranueshëm. Por I Papranueshmi Rama nuk e di që duhet më shumë se një intervistë psikologjike për të krijuar një imazh të rrejshëm. Sa më mirë të njihet personaliteti i një njeriu, aq më shumë arrijmë të kuptojmë edhe veprimet e tij. Në intervistë ai thotë se i mungon arti. Padyshim arti i shkarravinave abstrakte i mbush egon e ciflosur gjithmonë në konkurrencë me botën. Nuk mungon as vizioni personal për femrat e jetës së tij. Natyrisht harron të përmendë gjakun e Rudinës tek Piazza, ku më shumë se tre ambasadorë të huaj ishin dëshmitarë të dhunës. Teksa flet për femrat e jetës së tij, ai flet për nënën dhe gjyshen, por për Matildën, Delinën, Rudinën, gjermanen apo hermafroditin e Pezës asnjë fjalë. Ai i ka fshirë nga kujtesa, sepse kujtesa për të do të thotë një botë e mbushur me dhunë fizike e psikologjike, ku abuzimet ishin të dorës së parë.