Për PS-në, gusht e gunë
Ditët e vështira për drejtuesit socialistë po nisin që në muajin e nxehtë të gushtit. Dështimet e sezonit politik, si me bojkotin, ashtu edhe me grevën e urisë dhe refuzimin e ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve do të shpaguhen me luftën e re civile që pritet të shpërthejë mes strukturave. Edi Rama s’ka asnjë mundësi ta ndalë cunamin politik, edhe pas pushimeve luksoze e ushtrimeve qetësuese që kreu nëpër kazinotë e botës
Ditët e nxehta të gushtit, që padyshim i kanë dhënë vitit 2010 “statusin” e vitit më të nxehtë në 131 vitet e fundit, duket se zhvlerësojnë atë shprehjen frazeologjike shqiptare “gusht e gunë”. Përpos kapriçiove të motit, duket se “nderin” e shprehjes frazeologjike shqiptare “gush e gunë”, ka marrë përsipër ta ruajë Partia Socialiste Shqiptare. Ftohtësia, në të cilën PS-ja filloi të zhytje që gushtin e kaluar, pas një viti, nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse e ka ulur temperaturën brenda radhëve të saj. Dhe ky gusht, ndryshe nga ditët e nxehta, që zakonisht ofron, për PS-në dhe në PS, ka qenë dimër i vërtetë, që asnjë gunë nuk i bën derman.
Peshqeshin e këtij të ftohti në gusht, në kufijtë e ngricës, PS-ja, as më shumë e as më pak, e ka “merituar” nga kreu i saj, Edi Rama.
Ndërsa një vit më parë, Edi Rama shënoi fillesën e ngricës për PS-në dhe në PS, në një bilanc një vjeçar, shihet se ai ia ka arritur më së miri këtij qëllimi.
Në respekt të kronologjisë së sjelljeve të PS-së, për tu kujtuar është se në gushtin e vitit 2009, ndërsa Edi Rama, anonçoi ëndrrën tij për “hapje kutish”, gjithë lëvizjet e pretenduara në funksion të saj, rezultojnë se kanë dështuar dhe se nuk kanë realizuar asgjë.
Një vit më parë, ndërsa Edi Rama vendosi të hedhë mbi shpatullat e PS-së, gunën e gushtit, nismat e tij politike, e thënë ndryshe aksionet, “figurojnë”, si një dështim i vërtetë. Duke e nisur me bojkotin e parlamentit, ftohtësia që pasoi këtë aksion, kulmoi në kufijtë e fundit të rrezikut të humbjes së mandatit nga ana e deputetëve socialistë. Aq i prekshëm ishte ky rrezik, sa ata, në krye të gjashtë muajve, nënshkruan dështimin e radhës dhe hynë në Parlament, vetëm për hir të mos-humbjes së pagave. Ato që rrodhën më pas, janë fotokopje të këtij dështimi, ku (jo aq) për t’u përmendur janë protestat në rrugë, të cilat evidentuan si më të zellshëm Fidel Yllin, Erion Braçen, apo edhe Arta Dade e Dash Peza, që patën rastin të zbulonin nga ana tjetër, dëshirën për tu shkarëzitur në asfalt apo në çakëll. Rezultantja, hiç, asgjë, sepse kur u pa se as Fidel Ylli, as, Erion Braçe, apo edhe Arta Dade e Dash Peza, ju doli nga qejfi kjo puna e të shtririt rrugëve, Edi Rama urdhëroi “tërheqjen”, por..., për tu zhvendosur në çadra, në një grevë të pretenduar urie. Këtu, në çadra, ka shumë për të thënë, por për deri sa, as Erion Veliaj, as Shegushe Ligori, as Fatmir Xhafaj apo Blendi Klosi, nuk kanë qejf ta kujtojnë, çuditërisht nuk dihet pse është harruar të kujtohet edhe “sakrifica” e Elsa Lilës.
Sigurisht, kjo e ka një shpjegim. Ftohtësia paralajmëruese që do të kulmonte në gusht, e shprehur nëpërmjet mesazheve të mungesës së mbështetjes për këtë aksion, bindi edhe vetë 200 “petritët” e çadrës së pretenduar të urisë, se përveçse se kjo ishte një marrëzi e Edi Ramës, ishte edhe një turp, që edhe ata vetë, nuk e kanë përmendur që nga dita e fundit e ngujimit në çadrat e pretenduara të urisë.
I ftohur keq edhe pas këtij dështimi të përcjellë me ftohtësi, Edi Rama, pas kësaj, duke mos përballuar dushin e ftohtë të ndërkombëtarëve, i ka detyruar deputetët që të bëjnë sikur hyjnë në Parlament, po aq sa edhe të bëjnë sikur dalin nga Parlamenti, duke zgjedhur të sillen me ftohtësi, thjesht dhe pa ua kërkuar njeri.
Duket se i ftohti që “i ka shkuar deri në palcë” Edi Ramës, bëhet edhe më shqetësues, kur shihen marrëdhëniet e ftohta që ai ka krijuar me strukturat e PS-së. Sjellja me ftohtësi, apo edhe me indiferentizëm deri në kufijtë e mospërfilljes ndaj strukturave të PS-së, përkundë premtimeve për reformim dhe bashkim “për tej së majtës e të djathtës”, i ftohti në këto ditë gushti, e ka kapur aq keq Edi Ramën, sa e reflekton atë, jo aq me mungesën e tij publike, se sa me ftohtësinë “që nuk ngjit”, me të cilën Eduart Shalësi, del për çdo ditë e përsërit të njëjtat “zbulime”, për “mikun e mikut të mikut”, apo “fqinjin e fqinjit të fqinjit”, duke treguar ca letra të printuara nga web-site zyrtar i QKR-së, për pasojë duke vendosur kështu edhe një “standard” të ri të të bërit opozitë, pa dalë nga zyra, a thua se ka ftohtë edhe në gusht, me një PC, i cili mjafton të ofrojë shërbimin e internetit dhe të ketë edhe një printer aty pranë...