E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina kalon në kundërsulm

Pas vendimit të qeverisë maqedonase që t'i drejtohet Gjykatës së Hagës, Athina ka kaluar në kundërsulm, duke akuzuar Shkupin se ka qenë ai i parë që ka shkelur marrëveshjen e ndërmjetme. "Shkupi e fsheh se vetë Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka shkelur që më parë me të dyja këmbët një sërë nenesh-detyrimesh themelore, që parashikohen qartë në atë Marrëveshje, por edhe parimin themelor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Deklarata e konsideron lëvizjen e qeverisë maqedonase për të filluar procedurën gjyqësore në gjykatën e Hagës, "si një vazhdim të taktikës së preferuar të kryeministrit Gruevski", duke i ngarkur atij edhe përgjegjësinë për refuzimin e paketës së fundit të negociatorit Nimic.
Pala greke, duke se do ta shfrytëzojë procesin në Hagë, për të paraqitur argumentet e veta, që sipas deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, "do të dëshmojnë shkeljet e sipërpërmendura nga ana e qeverisë maqedonase". "Me aktin e saj, qeveria maqedonase dëshmon përsëri se nuk interesohet për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit, siç parashikohet në rezolutën 845 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në vitin 1993", përfundon deklarata, ku shtohet se Greqia, pavarësisht këtyre zhvillimeve, pra drejtimit në Gjykatën e Hagës nga ana e Shkupit, mbetet e përkushtuar në procesin e negociatave nën kujdesin e OKB-së.
Pavarësisht përkushtimit ndaj negociatave që thekson Athina zyrtare, media greke është skeptike për fatin e këtij procesi, pas lëvizjes së fundit të Shkupit, duke theksuar se "procesi, për momentin është hedhur në erë". Sipas mediave, "Shkupi synon që ta zhvendosë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga çështja e emrit, në atë të anëtarësimit në NATO", mirëpo, siç vënë në dukje, "bllokimi i anëtarësimit, nuk erdhi si rezultat i vetos greke, por si një qëndrim i përbashkët i aleatëve të NATO-s". Sipas analistëve grekë, bllokimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO përbën shkelje të nenit 11 të Marrëveshjes. Maqedonia, para samitit të Bukureshtit të prillit të këtij viti, kishte paralajmëruar se në rast të vendosjes së vetos nga Greqia, do ta denonconte marrëveshjen e ndërmjetme, duke e shfuqizuar atë. Por nuk e bëri, sepse shfuqizimi i Marrëveshjes do të krijonte probleme të mëdha për ekonominë e vendit, për shkak të volumit dhe rëndësisë së investimeve greke në Maqedoni. Prandaj kryeministri Gruevski preferoi, si rrugë më pak të dëmshme t'i drejtohet Gjykatës ndërkombëtare të Hagës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›