Banka e Vatikanit nën hetime

Paratë e konfiskuara të Bankës së Vatikanit në institutin e parave Credito Artigiano mbesin të ngrira, për shkak tyë dyshimit për shpërlarje të parave. Siç njoftoi gazeta italiane, Corriera Della Sera, gjykatësja hetuese, Maria Teresa Covatta, ka refuzuar zhbllokimin e 23 milionë eurove të bllokuara, duke theksuar se ka mungesë të transparencës. Sipas saj, mungojnë të dhëna për pranuesit e transferove dhe të çekëve.
“Banka e Vatikanit IOR mund të shndërrohet në kanal për operacione ilegale, me qëllim të shpërlarjes së parave”, e arsyetoi Covatta vendimin e saj. Vatikani qysh më herët ka hedhur poshtë akuzat për shpërlarje të parave, të ngritura kundër bankës së vet.
Banka IOR qysh në vitet e 80-ta tërhoqi vëmendjen e opinionit, për shkak të përfshirjes së vet në falimentimin mashtrues të Banco Ambrosiano, atëbotë bankës më të madhe private në Itali. Presidenti i Banco Ambrosiano, Roberto Calvi, u vra në vitin 1982, në rrethana ende të pasqaruara në Londër dhe u zbulua i varur nën urën Blackfriars.