Sanaderit, i zgjerohet aktakuza?
Prokuroria e Austrisë ka konfirmuar të mërkurën se ka filluar procedurën penale ndaj ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader, dhe një të afërmi të tij. Sanader dyshohet për shpëlarje parash.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Vjenë, Friedrich Koenig, njoftoi se tashmë ka filluar procedura zyrtare kundër ish-kryeministrit Sanader.
"Ne tashmë kemi filluar me procedurën penale kundër Ivo Sanader, një të afërmi të tij, dhe ndaj një personi të tretë", sqaroi ai, por pa dhënë detaje tjera për rastin.
Procedura penale filloi menjëherë pasi që u pranua një dosje hetimore nga Prokuroria austriake në Insbruck, e cila bazohet në një raport për shpëlarje parash në një bankë në Tirol.
"Planifikojmë që ta hetojmë atë, edhe pse tani s’mund të flas për procedurat e ardhshme hetimore ", deklaroi Koenig.
Përndryshe, hetimi dhe një akuzë e mundur ndaj Sanader nga ana e Austrisë mund ta vështirësojnë ekstradimin e tij në Kroaci, ku ai kërkohet për korrupsion.
Në kohën kur po merrej në pyetje nga një gjykatës austriak, ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, i kishte mohuar akuzat që vinin nga Zagrebi për korrupsion.
Sipas pretendimeve të Zagrebit zyrtar, Sanader akuzohet për korrupsion në kohën sa ishte në detyrë. Ai ende ndodhet në paraburgim në Austri.
Ish-kryeministri kroat pritet që fillimisht të merret në pyetje në burgun në Salzburg, ndërkohë që gjatë seancës dëgjimore në sallën nr. 209, të Gjykatës në Klagenfurt, do të jenë prezentë edhe anëtarët e trupit hetues dhe gazetarët.
Jozyrtarisht, mësohet se objekt i hetimeve është përfshirja e Sanader në aferën e Hypo Bank.