Athina përgënjeshtron lajmin e vrasjes të një të riu maqedonas

Ministria e Jashtme e Greqisë ka përgënjeshtruar informacionet se në Selanik është vrarë një shtetas maqedonas.
Në një reagim të kësaj ministrie thuhet se incidenti i tillë është një shpifje dhe se nuk ka ndodhur asnjë vrasje në Selanik. Zëdhënësi i MPJ-së, Grigoris Delavekuras deklaroi se bëhet fjalë për një fantazi ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë maqedonase që të jetë e kujdesshme dhe të mos krijojë hapësirë për acarime artificiale dhe rritje të nacionalizmit.
Ambasada e Maqedonisë në Athinë gjithashtu theksoi se nuk ka informacione të sakta për vrasjen e të riut maqedonas Aleksandar Samarxhiev në Selanik nga aktivistë të partisë neofashiste “Agimi i Artë”.
Lajmi për vrasjen e një të riu maqedonas është publikuar nga mediat vendase, duke u bazuar në një dëshmi të kushëririt të viktimës, i cili ka rrëfyer se Samarxhiev ishte vrarë brutalisht nga aktivistët e partisë neofashiste greke.