Për kë do të votojnë arabo-amerikanët?

Arabo-amerikanët po “dezertojnë” si nga radhët e republikanëve, ashtu edhe nga radhët e demokratëve dhe gjithnjë e më shumë prej tyre po e konsiderojnë vetën si votues të pavarur, më saktësisht 24 për qind prej tyre, ka theksuar hulumtuesi i opinionit publik, James Zogby. Nëse merret në përgjithësi popullata arabo-amerikane në SHBA, 46 prej tyre janë shprehur si demokratë, ndërsa 22 për qind si republikanë.
Sa i përket asaj se cilat janë gjërat më të rëndësishme, të cilat do të përcaktojnë votën e arabo-amerikanëve në zgjedhjet e 6 nëntorit, ekonomia rreshtohet e para bindshëm para të gjitha çështjeve tjera. Pas ekonomisë vijnë kujdesi shëndetësor, liritë qytetare, tatimet, konflikti izraelito-palestinez dhe marrëdhëniet e SHBA-së me botën myslimane.
Në çdo kategori, në perceptimin e arabo-amerikanëve Obama rreshtohet si më i aftë para Romneyt për të zgjidhur problemet, me të cilat përballen shtetasit amerikanë në jetën e tyre të përditshme. Sa i përket aftësisë për të vendosur ekonominë sërish në binarët e duhur, Obama ka një epërsi dyshifrore ndaj Romneyt.
Anketa gjithashtu dëshmon se që nga viti 2010 deri në vitin 2012 janë shtuar brengat në radhët e arabo-amerikanëve edhe në lidhje me diskriminimin në SHBA dhe atë pa marrë parasysh përkatësinë fetare të shtetasve. Myslimanët arabo-amerikanë kanë një nivel të lartë të brengës sa i përket diskriminimit: 70 për qind, në krahasim më 64 për qind sa ishin në vitin 2010. Në radhët e protestantëve arabo-amerikanë 37 për qind u shprehën të brengosur në lidhje me diskriminimin, ndërsa një brengë të tillë e shfaqën e 27 për qind të arabo-amerikanëve të krishterë.
Ekzistojnë rreth 3.9 milionë arabo-amerikanë të vetë-identifikuar si të tillë në SHBA dhe vlerësohet se ka rreth 1.1 milionë votues arabo-amerikanë në Michigan, Virginia, Ohio, Penssylvani dhe Floridë. Në këto shtete, epërsia e Obamës ndaj Romneyt në mesin e votuesve arabo-amerikanë është 52 më 28 për qind.
Megjithatë, epërsia e Obamës këtë vit është më e ulët në krahasim me vitin 2008, pasi që shënoi një rënie nga 67 në 52 për qind, pra një rënie e konsiderueshme prej 15 për qind.
Por është interesante të analizohet se a do t’i ofrojë shkrirja e epërsisë së Obamës një mundësi reale Romneyt për të fituar zgjedhjet.
Siç ka shkruar gazetari i revistës National Journal, Ron Brownstein, matematika e re e këtyre zgjedhjeve mund të kufizohet si 80 me 40. Ai argumenton se në zgjedhjet e fundit para katër viteve, Obama e fitoi presidencën, pasi që mori votat e 80 për qind të votuesve jo të bardhë dhe fitoi mezi 40 për qind të votave të votuesve të bardhë.
Për këtë arsye, shifrat që duhet pasur parasysh sa i përket sfidës nga ana e Romneyt, është se a do të jetë kandidati republikan në gjendje që të marrë një sasi të votave të votuesve jo të bardhë apo se a do të jetë në gjendje që të ulë nën 40 për qind numrin e votave të votuesve të bardhë për Obamën.
Aktualisht, anketat dëshmojnë se Obama ende është brenda kornizës 80 më 40, por Brownstein thotë se gara megjithatë është ende dhe do të mbetet e ngushtë.
Kjo për faktin se edhe pse Obama kryeson në mesin e votuesve arab-amerikan dhe virtualisht në mesin e secilit grup tjetër etnik në SHBA, epërsia e tij bindëse, së paku sa i përket epërsisë në mesin e votuesve arab-amerikanë, është shkrirë dukshëm.
Ky fakt duhet të brengosë taborin e Obamës dhe mund ti ofrojë një mundësi të çuditshme Romney, skenar ky brenda të cilit Obama do të fitonte votat e shumicës së këtyre grupeve, si edhe ato të arabo-amerikanëve, por nuk do të fitonte me epërsi të mjaftueshme, e cila do t’i siguronte fitoren e përgjithshme në zgjedhjet e 6 nëntorit.